leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Tehu i opozitarizmit duhet drejtuar kundër regjimit

“Na u kanë qartë zotërinjtë ndër veti”, kështu fillonte një kënge për zotërinjtë e Prizrenit në një kohë e rrethana tjera. Ky varg lehtas mund të thuhet edhe për zotërinjtë e opozitës që janë çartur ndër veti, si në kohë të mbretit.  A thua u prishen pse e “donë” ndryshimin apo në pyetje është rrëmbimi i pushtetit nga njerëzit që nuk e kanë as edhe një përvojë administrative në shërbim të vendit, njerëz që nuk e di, se sa e dinë, sesi administrohet edhe buxheti i familjes e mos të flasim sesi menaxhohet buxheti i shtetit?! A thua pse, a pak njerëz të tillë i patëm edhe deri më tani në pushtet që 17 vjet?! A duhet të vazhdojmë të ecim symbyllazi edhe në të ardhmen pas njëshave, dyshave a tresheve që e donë pushtetin vetëm për veten e tyre? Është për tu frikësuar nga njerëzit që nuk njohin asnjë përvojë a meritë të askujt dhe që mendojnë, se historia fillon vetëm më ta! Koha është për një ndryshim me vigjilentë e gjithsesi më vizionar. Ndërrimi i “dushk për gogël” si duhet askujt. Ndërsa opozita e bashkuar ka njerëz që dinë, donë dhe mund ta bëjnë ndryshimin që i duhet vendit, veçse për ketë duhet vullneti politik për ndryshim.

Ka disa ditë që është duke u zhvilluar një debat interesant nder opozitar! Pas një kohe të gjatë të bashkimit opozitar, që pa dyshim, bashkimi opozitar ishte i pari i këtij lloji, në gjithë vitet e jetës sonë parlamentare dhe pa dyshim kjo ishte një fitore e jetës sonë parlamentare. Besoja se ky bashkim opozitar ishte bërë për interesin e kombit e jo të individëve të pasionuar për pushtet personal. Vetëm aty ku ka një opozitë të bashkuar, ka kontroll të duhur të ekzekutivit, ndërsa aty ku opozita është e çakorduar si në rastin tonë, pozita qeverisë me komoditet, pasi askush nuk ia prish”tymin e duhanit”. Është vështirë që ta kuptoj njeriu normal ketë gjendje në një qeverisje jo normale! Madje kësaj qeverisje jo normale, ison po ia mban opozita e çakorduar. Megjithatë, opozita ka kohë për të ndryshuar vet dhe për të ndryshuar trendin negativ të qeverisjes e të bërit politik nacionale.

Pse opozita ose më saktë një pjesë e saj e bënë ketë?

Njeriu politik normal, nuk e ka të lehtë ta kuptoj ketë, pse opozita e sulmon opozitën, kur të gjitha problemet në vend janë të krijuara nga koalicioni që qeverisë më vendin dhe që qeverisë më shumë se keq. Koalicion që ka bërë marrëveshje të dëmshme në Bruksel me Serbinë, që ka bërë një Demarkacion të dëmshëm për vendin me Malin e Zi, që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit. Dhe jo vetëm kaq, nëse nuk ndërpritet kjo qeverisje, nuk do të mund të ndalen as marrëveshjet e këqija, të cilat opozita i pat bërë kauzë nacionale. Në një situatë të tillë, natyrshëm shtrohet pyetja: A ishte kauza reale? Nëse po, pse u la në mes të rrugës? Kur lufta opozitare na qenka bërë për kauzë nacionale, pse humbi kjo kauzë si “vesa para diellit”, kur filloi lufta për ndarjen (lexo: kapjen) e pushtetit në kampin opozitar. Madje, shkohet deri atje sa një parti opozitare, kërkon nga anëtarësia e dy partive të tjera opozitare që t’i bashkohet partisë më kundërshtare të opozitës?! Kështu se paku po deklarohet një pjesë e opozitës! Kësaj politike, djalli i raft në fije. Ndoshta edhe ai do të thoshte: “Djall jam, por në fije s’po i kësaj pune”.

Çka  mund t’i thotë kësaj mendja e shëndoshë?

Mendja e shëndosh mund të thotë: Këtu dikush ose nuk po dinë ose nuk po donë të dinë apo ndoshta kemi të bëjmë me mendje narcisoide që nuk han arsyeje alternative të menduarit politik. A, demokraci nuk ka aty ku nuk ka mendim disonant. Ndryshe nuk ke si e kupton, ketë komoditet që i lejohet kësaj qeverisje kriminale, që po degradon shtetin dhe jetën e qytetarëve tanë. Që si perspektivë na kanë lenë, nënshtrimin e pakusht ose ikjen nga atdheu. Përndryshe opozitarizmi mund të bëhet edhe duke mos u dakorduar për gjithçka e çdo gjë, por tehu i opozitarizmit gjithnjë është i përqendruar ndaj regjimit të koalicionit qeverisës. Aty ku nuk bëhet kjo, dikush lojën po e luan nën rrogoz.

Kush po e bënë, e ku po zihet kjo lojë e ligë?!

Është vështirë që të dihet se kush po luan nën rrogoz. Por është më shumë se e pa kuptimtë, kur njeriu e prenë degën në të cilën duhet e mund të qëndroj i sigurt. Ndërsa, nëse njeriu i beson vetëm vetës së vet, vetmia do të jetë zgjedhja tij! Nuk besoj se kishte  ndonjë arsyeje të fortë që të dëmtohej shpresa e qytetarëve për ndryshim për teke a “vizion” të akëcilit individ, qoftë ai edhe më i mençuri i botës!

Le të shpresojmë se ka mbetur diçka e freskët që i lidh fijet e bashkimit për ndryshim!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …