Turbullirat që ngjanë në Kosovë, nuk erdhën për fajin tonë, as të nxitjes e ndërhyrjes më të vogël nga ne dhe as të marrëdhënieve ekonomike, tregtare e kulturore në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, të cilat udhëheqja e Federatës Jugosllave i konsideroi si “ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, si nxitje të shovinizmit shqiptaro madh, si rivendikime territoriale, si irredentiste”. Ajo këto marrëdhënie që po zhvillohen prej kohësh në dritën e diellit dhe jo në skuta, i cilësoi si frymëzim bazal të nacionalizmit shqiptar, i importuar nga Tirana, nga shkencëtarët, nga profesorët, nga akademikët, këngëtarët dhe valltarët tanë. Ky mendim shpifës dhe armiqësor asnjëherë nuk u shfaq si kritikë ose si vërejtje nga ana jugosllave.
Përkundrazi, duam të theksojmë se disa udhëheqës nga më kryesorët të udhëheqjes shqiptare në Federatë dhe në Kosovë, që u treguan nga më të egrit kundër demonstruesve në Kosovë, njerëzit tanë të artit dhe të kulturës që shkonin në Kosovë, vazhdimisht i kanë marrë si shembull dhe i kanë lavdëruar e falënderuar publikisht për mirësjelljet e tyre. Kjo ngritje e shpatave dhe e mburojave kundër nesh nga ana e udhëheqjes jugosllave u bë sigurisht për të mbuluar diçka të tmerrshme, të llahtarshme dhe të dënueshme që ngjau në rrugët e qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës, ku u derdh gjak i shumtë i popullit. Sa u vranë dhe si u vranë?
Kjo mbahet e fshehtë, por populli shqiptar i Kosovës i di djemtë dhe vajzat e tij që janë vrarë, janë torturuar dhe janë zhdukur e burgosur. Sa më shumë të fshihet e vërteta, aq më e rrezikshme bëhet. Gjaku nuk bëhet ujë! Mos e harroni! Udhëheqja jugosllave këtë tragjedi i’a veshi “nacionalizmit”, “shovinizmit shqiptar” dhe “irredentizmit”, ia veshi ndërhyrjes dhe nxitjes nga ana e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë. Por kjo nuk qëndron. Kjo mund të gënjejë disa dhe jo për një kohë të gjatë. E vërteta e plotë do të dalë në shesh dhe kjo e vërtetë do të jetë e tmerrshme për ta. Udhëheqja jugosllave harron se kombi shqiptar është një, pavarësisht se një pjesë rron në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe pjesa tjetër në tri pjesë të Jugosllavisë Federative. Ai ka historinë, kulturën, gjuhën e tij të njëjtë, ai ka heronjtë e tij, poetët, piktorët, muzikantët etj. të përbashkët. Ky është thesari i tij i madh që ai e ruan, e kultivon dhe e zhvillon. Këto janë tiparet kryesore të një kombi. A mendojnë jugosllavët se këto tipare të kombësisë shqiptare duhet të shuhen, duhet të cilësohen si shenjat dhe dukuritë e një “nacionalizmi romantik të perënduar, të sëmurë dhe të një shovinizmi të dënueshëm”? Për njerëzit e Shqipërisë socialiste që kanë shkuar në Jugosllavi dhe për shqiptarët që jetojnë atje dhe që kanë ardhur në Shqipëri, që kanë shkëmbyer mendime me njëri-tjetrin për pasurimin e gjuhës shqipe, për gjenezën e popullit shqiptar, për historinë e të parëve tanë, për shkencat ekzakte, për shkencat shoqërore dhe natyrore, a mund të konsiderohen këto si nxitje të shovinizmit dhe të irredentizmit shqiptar?
A mund të konsiderohen vallet dhe këngët tona popullore që janë shfaqur në Jugosllavi si nxitje të shovinizmit dhe të irrendentizmit? Ky është thesari ynë, i gjithë shqiptarëve, i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në veçanti. Planet dhe programet tona jua kemi paraqitur dhe i keni aprovuar. Ato i ka pëlqyer shumë publiku, i ka duartrokitur. Të bukurën dhe të shëndoshën të gjithë e duan. Ansamblet tona artistike kanë shkuar kudo. Ato janë pritur dhe janë duartrokitur me një simpati dhe entuziazëm të madh nga populli grek dhe udhëheqësit e tij, nga artdashësit dhe shtypi i këtij vendi. Po e njëjta gjë, vallet dhe këngët tona popullore i kanë pëlqyer shumë populli turk dhe udhëheqësit e tij të çdo rangu. Kështu ka ngjarë në Francë, në Itali, në Algjeri, në Tunizi, në vendet nordike e kudo. Asnjë s’na ka akuzuar as për nacionalizëm, as për shovinizëm. Ata kanë respektuar ndjenjat tona dhe ne kemi respektuar të tyret. Pyesim: Pse ky qëndrim i udhëheqësve jugosllavë? Çfarë i shqetëson ata në realitet në kokën dhe në ndjenjat e tyre? Pse nuk e kanë ndërgjegjen të qetë? A mos mendojnë ata se kanë shkuar shumë njerëz ose grupe njerëzish nga ana jonë në Jugosllavi? Statistikat tregojnë të kundërtën dhe ne gëzohemi.
Vijon…