Në Deçan familjes Gjikolli iu shtri dora e pajtimit

Në Deçan të shtunën u shtri dora e pajtimit. Familjet Dukaj dhe Tolaj i falën gjakun e bijve Valon Dukaj dhe Agim Tolaj, familjes Gjikolli nga Peja. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në aksident trafiku më 31 janar të këtij viti në Pejë.

Akti tradicional i faljes i cilësuar si akt burrëror, ndodhi në hapësirat e Kuvendit të Deçanit në një ceremoni të organizuar nga kreu i kësaj komune Rasim Selmanaj, i cili fillimisht falënderoi familjet e nderuara Dukaj dhe Tolaj, si dhe të gjithë ata që gjetën forcë për ta mbështetur në këtë akt pajtimi.

Sali Dukaj dhe Ali Geci në emër të familjeve që humbën më të dashurit e tyre, falënderuan të pranishmit në ceremoninë e faljes, si dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që gjetën forcën t’i ngushëllojnë e t’i mbështesin deri në këtë akt të faljes.

Në emër të familjes së Nagip Gjikollit nga Peja, mulla Nexhemdin Hoxha, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e përjetshme ndaj familjeve Dukaj dhe Tolaj nga Drenoci i Deçanit për këtë akt madhështor të faljes.

I pranishëm në këtë akt burrërie, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, çmoi lartë vendimin e familjeve Dukaj e Tolaj, duke theksuar se falja është hyjnore. “Familje të nderuara Dukaj dhe Tolaj, ju arritët sot që ajo dhembje e pamerituar për ju, me u pajtu me falje për familjen Gjikolli nga Peja. E keni nderu gjithë shqiptarinë. Qofshi të nderuar. Një vepër e tillë, me të cilën ju e nderoni kombin, na mundëson të ecim nga e mbara”, deklaroi mes tjerash Haradinaj.

Ramush Haradinaj, në shenjë nderimi për këtë akt burrërie, familjeve Dukaj dhe Tolaj ua dhuroi nga një flamur kombëtar, si simbol bashkimi e uniteti.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …