Libri, “Burgjet e mia fati im i madh”, është një vepër e veçantë dhe mjaft kuptimplote, e cila shënon edhe një segment tjetër, deri tani jo aq të njohur të krijimtarisë së Demaçit, jo vetëm në Kosovë por të njohur edhe në shumë shtete e vende të tjera të botës.
Ky libër i përgatitur nga, Bardhyl Adem Selimi, redaktuar nga Selatin Novosella, botim i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, është parathënia e librit me të njëjtin titull, vepër e Adem Demaçit, botuar në vitin 2001, ndërkohë e përkthyer në 34 gjuhë të botës.
Në pasthënien e librit, veprimtari dhe kryetari i Shoqatës së të Burgosurve politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, ka shkruar se vepra që tani doli në dritë, ”është një trajtesë e shkurtër, që përbën një libër origjinal, të pazakonshëm dhe të llojit të vet, një vepër “sui generis”.
Një e veçantë tjetër e këtij libri është qasja ideore, e përzgjedhur e veprimtarit, mikut të ngushtë të Adem Demaçit, profesorit të njohur të gjuhës esperanto, Bardhyl Adem Selimi, i cili ka gjurmuar dhe përgatitur për botim këtë libër, që sapo ka dalë nga shtypi dhe që shënon një aktivitet meritor në tre-vjetorin e ndarjes nga jeta, të Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi.
Paradhënia e librit është përkthyer në 34 gjuhë të botës dhe ky është një shembull që vërteton se deri ku ishte bërë i njohur, Adem Demaçi, “Mandela i Evropës”, i cili mori edhe çmimin Saharov për paqe e humanizëm. Mandela i Afrikës, u njoh në botë, madje dhe për së gjalli arriti t i gëzojë edhe frytet e fitores historike të popullit të tij. Edhe Adem Damaçi, arriti ta përjetojë çlirimin e Kosovës, së cilës i dha tërë jetën, tërë angazhimin e kontributin e tij jetësor.
Në trajtimin, njohjen pa rezervë të meritave, kujdesin qeveritar e shoqëror, Adem Demaçi nuk pati fatin të ishte trajtuar njëjtë në Kosovë, ndër shqiptarë përgjithësisht, as në Evropë, ashtu sikur Nelson Mandela ishte njohur për meritat në Republikën e tij, në Afrikë por edhe kudo në botë.
Botimi i këtij libri, në radhë të parë përmbush një borxh ndaj Bacës, por edhe na jep një pasqyrë reale de deri ku njihej, çmohej, lexohej e vlerësohej, Adem Demaçi.
Mesatarja e veprave të përkthyera të autorëve më të njohur, në gjuhët e ndryshme të botës, është përkthimi në 25 gjuhë, në raste të veçanta si Danteja, Tolstoi, Lenini, Balzaku, Markezi e të tjerë, përthimi kalon shumë lart mbi këtë shifër.
Pavarësisht se këtu kemi të përkthyer vetëm një paradhënie libri dhe jo një libër të plotë, kjo nuk ia ulë fare vlerën veprës së Demaçit, por hapë për diskutim një çështje tjetër. Cilido shkrimtar i njohur në botë, nga ata më të mëdhenjtë, është përkthyer e botuar nën përkujdesje institucionale, sepse nuk ka autor, shoqatë apo klub, që mund të përkthejë në 25 gjuhë të botës një libër. Vepra e Ismail Kadaresë në Shqipëri ishte botuar e përkthyer në disa gjuhë të botës me përkrahje institucionale të Republikës Socialiste të Shqipërisë, andaj u njoh me kohë dhe u çmua nga publiku lexues, në Evropë e më gjerë. Po ta kishte përkthyer romanin, “Gjarpinjtë e gjakut”, në disa gjuhë të botës, Ministria e Kulturës e Kosovës apo e Shqipërisë, Demaçi do të njihej shumë më tepër në botë edhe si krijues dhe jo vetëm si vigan qëndrese e atdhetarie të pashoqe.
Tani në trevjetorin e ndarjes nga jeta, Demaçin e kemi sërish jo vetëm në mendjet tona, nga ku nuk do të ndahet kurrë, por edhe në letrat tona, madje me një libër të veçantë, një libër që lexohet me një frymë, por që të zgjon kureshtjen për të parë se deri ku kishte depërtuar në vendet e ndryshme të botës, rrezatimi demaçian, merita e tij jetësore, se deri ku ishte bërë e njohur çështja e Kosovës nga krye-idealisti i saj, nga krye-qëndrestari i saj, sepse jeta e Demaçit me fatin e Kosovës ka qenë e lidhur, si mishi me thoin.
Libri, “Burgjet e mia fati im i madh”, është pasuruar edhe me pasthënien e shkruar nga Hydajet Hyseni, i cili me përkushtim, invencion krijues dhe njohje meritore të jetës dhe veprës së Adem Demaçit ka spikatur disa nga momentet kyçe të sinkronisë dhe diakronisë vepruese e krijuese, të heroit të kohës sonë, Adem Demaçi.
Ahmet Qeriqi
Krojmir
- 7. 2021