Ismet Azizi: Dy vendime “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve në Turqi” I

Ismet Azizi: Dy vendime “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve në Turqi” I

Migrimi i shqiptarëve në drejtim të Turqisë përkon me dobësimin dhe rënien e Perandorisë Osmane dhe në një mënyrë  përfaqëson “evakuimin” nga  territoret e humbura. Në anën tjetër, motivet të cilat nxitën shpërnguljen, ishin fetare, politike, ekonomike dhe ekzistenciale. Ishte proces ballkanik në një shkallë të madhe (Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi), në të cilin  hynte interesi i përbashkët i vendeve të Ballkanit dhe Turqisë. Jugosllavia u përpoq në këtë mënyrë të zgjidhë problemin me shqiptarët dhe të fitoj toka për kolonizim, ndërsa Turqia “me element të përshtatshëm” t’i populloj pjesët e boshatisura të vendit nga i cili ishin dëbuar më parë kurdët, armenët dhe grekët.

Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera. Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizoj me shpërnguljen me dhunë e terror të të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe meritoreve  rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.

Një kontrollim i kaosit të shpërnguljes është legalizuar më 11 korrik 1938 me nënshkrimin e Konventës jugosllave-turke në Stamboll. Sipas konventës ishte paraparë dëbimi i 40.000 familjeve nga viset e pushtuar nga Serbia, “të cilët flasin turqisht dhe kanë kulturë turke” nga 46 rrethet e banovinave të Vardarit, Zetës  dhe Moravës. Sipas konventës së përmendur, Turqia ka qenë e detyruar të pranoj 40.000 familje brenda gjashtë viteve, ndërsa me marrëveshje parashihej që  Jugosllavia të paguaj kompensim Turqisë nga 500 lira turke për familje, d.m.th. në total  20 milion lira. Konventa parashikonte transferimin e emigrantëve dhe pasuritë e luajtshme deri në portin e Selanikut në kurriz të Jugosllavisë.

Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 937 të cilin e hartoi  Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut polit serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.

Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua  për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.

Teksti i dytë paraqet  projekt planin për shpërngulje të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935 në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit  dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri është  propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit  të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të heqin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik  mund të llogarisnin  vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit. Pothuajse të gjithë propozimet  e përfaqësuesve të  Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa të cilat  projekti propozon për “shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri”: Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve  nga  rrethet kufitare në  stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil “të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim”, transferimi e zyrtarëve shqiptarë  në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.

Tekstin po e paraqesim  (të përkthyer nga autori) në formën e vet origjinale, pa asnjë ndërhyrje stilistike apo gjuhësore.

Procesverbali  i Konferencës ndërministrore , është mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 20 shtator të viti 1935. në lidhje me shpërnguljen  e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.

Prezent:

– nga Ministria e Punëve të Jashtme: Z. Ilia  Milikiq, Shef i Seksionit të  IV repartit  politik, g. Milivoje Milçiq, këshilltar, g. Peter Çabriq, këshilltar, zoti Radovan Mitroviq, sekretar;

– nga Ministria e Bujqësisë: g.  Vojislav Magovçeviq, inspektor, g. Gjuro Tataloviq, shef i seksionit financiar ;

– nga Ministria e Punëve të Brendshme: Z. Dushan Tadiç, inspektor;

– Nga Shtabi i  Përgjithshëm: Z. Jovan Sokolloviq, gjeneral kolonel;

– nga Ministria e Financave: Z. Dushan Trajkoviq, këshilltar;

– nga Ministria e Transportit: g. Milosh Popoviç,  zyrtar i lartë Komercial. Departamenti General  i drejtorisë së hekurudhës.

Seancën e udhëhoqi  g. I Milikiq. Procesmajtje e  udhëhoqi g. Dr. Feodor Koreniç dhe g. Dr. Jozo Logar, notar të  Ministria e Punëve të Jashtme.

Seanca u hap në ora 18.00

***

  1. Ilija MILIKIQ thotë se zoti V. Magovçeviq shprehu dëshirën që në një konferencë ndërministrore të trajtohet çështja e shpërnguljes së turqve dhe myslimanëve të tjerë nga rajonet jugore. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse në masë kompakte turqit dhe arnautët përgjatë kufirit të Arbërisë ( Shqipërisë) paraqesin problem kombëtar dhe në aspektin ushtarak problem të rëndësishëm. Numri i shqiptarëve, i cili është mbi gjysmë milion, nga viti 1931 është rritur për rreth 65.000 veta. Arsyeja e dështimit të nacionalizimit të elementit jo sllav, arsyeja është se popullsia ortodokse në rajonet jugore  numerikisht është e vogël (në rajonet jugore ka  vetëm 165.000 ortodoks) dhe për shkak se elementi jonë nuk ishte mjaft e përgatitur për ushtrimin e nacionalizimit. Prandaj, nuk mbetet gjë tjetër përveç dëbimit të elementit jo-sllave nga vendi.

Ministria e Punëve të Jashtme konstaton  se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet  Arbanasëve [Shqiptarëve], sepse ata janë kompakt dhe në kontakt të vazhdueshëm me Arbaninë [Shqipërinë] fqinje, ku, pavarësisht pa përcaktimit politik, megjithatë, ngadalë krijuan një ndjesi kombëtare.

Shpërngulja politike, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë rezultat të veçantë. Ky element shpërngulet në Turqi dhe në Arbani [Shqipëri]. Ekziston  mundësia që numri i të shpërnguluarëve në Turqi të rritet duke u bazuar në ligjin turk të vitit të kaluar për popullimin e të gjitha krahinave të saja me popullatë të  kulturës turke. Për këtë qëllim, turqit kanë lidhur një marrëveshje me Rumaninë, dhe tani negociatat janë duke i zhvilluar edhe  me Bullgarinë. Marrëveshja me Rumaninë parasheh  që turqit nga Rumania, të cilët janë  rreth 400.000, duhet të shpërngulen brenda 5 viteve. Të gjithë pasurinë e tyre, para se gjithash, do të mund të  kompensohen nga qeveria rumune. Gjatë dëbimit ata gëzojnë privilegje të caktuara; udhëtojnë pa pasaporta të zakonshme, tatimet e vjetëruara shlyhen, zyrtarëve iu kthehen  të gjitha paratë e paguar në fondin e pensioneve, rekrutët janë të liruar nga shërbimi ushtarak të mëtejshëm, për transportimin  e gjërave me  anijeve nuk paguhet taksë, ose transportin e kafshëve, mjetet tjera, e  kështu me radhë. Vlera e pronave të emigrantëve, të cilët, për shkak të kohës së shkurtër kan  mbetur të pa shitura, sikurse  pronat e vakëfeve, qeveria rumune do t’ua paguaj emigrantëve nga burimet e tyre, ndërsa më vonë do të merren vesh  me qeverinë turke.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …