“Një epokë quhet e errët, jo se drita nuk shkëlqen, pohonte Jemes A. Michener
(Anëtar i misionit britanik), por sepse njerëzit refuzojnë ta shikojnë atë”. Kjo sentencë merr një vlerë të madhe, veçanërisht për ne shqiptarët, kur, duke kujtuar faqet e historisë sonë, sjellim ndërmend epokën e Rilindjes Kombëtare, që pat lindur si lëvizje kombëtare për çlirimin nga robëria turke dhe si lëvizje e madhe kulturore, që do ta frymëzonte luftën e shqiptarëve për liri, që nga fillimi i shekullit XIX deri në ditën e shpalljes së pavarësisë.
Kjo kishte të bënte me parullën lapidare të rilindasve tanë të mëdhenj, me thirrjen e tyre: “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”. Ky ishte zëri i rilindasve tanë të mëdhenj Jeronim Dë Radës, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Naim Frashërit, Anton Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Risto Siliqi e të tjerë, zë që gjëmoi fort krahas krismave të armëve të shqiptarëve në vitet e rënda të robërisë turke.
Ky zë jehonte si krismat e pushkëve të atdhetarëve shqiptarë, kur Naim Frashëri thërriste nga thellësia e shpirtit të tij: “Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar/ Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr”. Ky zë jehonte kur Naimi ynë i madh, këndonte për “malet e lartë”, që përpinin “qiejt e retë” për “çuka, kodra dhe pyje të gjëlbëruar” e kur Çajupi, pasi thërriste se “Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr, lëshonte kushtrimin:
“Merrni pushkët në duar
Edhe bëni besa-besë:
Shqipëria do shpëtuar
Këmbë turku të mos mbesë:!
(“Historia e Letërsisë së Rilindjes”, v. II, f. 440)
Ky zë do të dëgjohej fort gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Do të dëgjohej ky zë edhe kur ideologu i shquar i rilindjes kombëtar, Sami Frashëri, u tregonte bashkëatdhetarëve të vet se “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes”; se “aty ku s`ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”. Ky zë do të ngrihej edhe më lart në vitet e para të shekullit XX, kur rilindasi i shquar Mihal Grameno lëshonte zërin kushtrim për gjithë shqiptarët:
“Poshtë rob`rija! Posht` errësira,
Që po përdorin armikët sot!
Njëri me kisha, tjetri me xhamia;
Jemi vëllezër, s`na ndajnë dot”!
Këtë zë do ta përcillte edhe Asdreni ynë i madh, jo vetëm kur do të shkruante tekstin e Himnit tonë Kombëtar, të cilin ka rrezik të mos e njohin shumë nxënës të shkollave të mesme, po edhe kur, si Mihal Grameno, do t`u drejtohej bashkëkombasve të tij me vargjet, që tingëllojnë aktualë edhe në ditët tona:
“Gegë e toskë, vëllazën jemi,
Te dy bashkë një emër kemi
Dhe një fat në këtë botë:
Shqiptarë jemi, fjala thotë”.
(“Vepra”, f. 277)
Dhe duket se i paharruari Naim Frashëri nuk u fliste vetëm bashkëkohësve të vet, por gjithë pasardhësve, kur skruante:
“S`jemi as turq as kaurrë,
Mos e thoni këtë kurrë!
S`jemi grekër as bullgarë,
Jemi të gjithë shqipëtarë”!
(Vepra të zgjedhura, I, f. 227)
Sikur televizionet shqiptare, në vend të reklamave të stërpërsëritura e, shpesh herë, edhe bajate, të përcillnin në programet e tyre emisione të ndryshme për veprat e rilindasve tanë, si veprat “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet” të Sami Frashërit, “Historia e Skënderbeut” e Naimit a nga sonetet e famshme të rilindasit Ndre Mjeda në vëllimin poetik “Juvenilja”, do t`u servirnin shqiptarëve të ditëve tona jo vetëm të vërteta të mëdha historike, por edhe vlera të mëdha artistike, që do të ndikonin fuqishën në botën e tyre shpirtërore të tyre.
Se kishte të drejtë shkrimtari Ismail Kadare i viteve të socializmit, kur shkruante me zemrim:
“Pështyj mbi sensacionet e përtej detit,
Mbi yj e supëryj e gjithë ç`janë;
Të gjitha këto dinjitetin
E një are me grurë nuk e kanë”
Se, për fat të keq, rrallë po i dëgjojmë në ditët tona zërat e rilindasve tanë për bashhkim kombëtar; rrallë po i dëgjojmë vargjet e Ndre Mjedës: “Geg`e toskë, malci, jallia,/ Janë nji komb, m`u da s`duron!/ Fund e majë nji asht Shqipnia/ E nji gjuhë t`gjithë na bashkon” e kur Gjergj Fishta lëshonte kushtrimin: “Mblidhi bashkë si kokrra n`shegë”!
Por ja që disa nga televizionet tona nuk para i pëlqejnë ca ide demokratike dhe emancipuese të rilindasve tanë të mëdhenj. Se duket si pabesueshme, por është një e vërtetë e hidhur, që, “për qefin” e ndonjë prej televizioneve tona, Artisti i Popullit Reshat Arbana, duke recituar fragmente nga vjersha madhore “O moj Shqipni” të Pashko Vasës,
Jo vetëm kalon pa e recituar distikun “Priftët e hoxhët u kanë hutue,/ Për me u da, me u vorfnue’, por, çuditërisht, shmang strofën lapidare:
“Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën në nji besë shtrëngoniu,
Dhe mos shikoni kisha e xhamia,
Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria”.
(Vepra letrare 1, f. 39)
Se nuk kanë qënë komunistët ateistët e parë të kësaj bote, po filozofët e mëdhenj të epokave të ndryshme, përpara se të lindte doktrina komuniste. Se nuk ishte komunist as Rilindasi ynë Sami Frashëri, kur u kishte folur gjithë shqiptarëve të kohës kur jeto: “Shqiptar i vërtetë e i mirë është ai që vë gjithnjë kombërinë përpara fesë. Nuk ka vëllezër ata që ka në besën (besimin) e tij, por ata që ka në kombëri të tij”.
Se komunist nuk ishte as matematikani e poeti i famshëm arab Omar Khajam, i cili në Rubairart tij, të përkthyera nga kryeprifti ynë, Fan S. Noli, shkruante:
“Xhami e kish` e tempull: Robëri!
Këmban` e minare: Një batërdi
Dërvish e prift e hoxh` e kryq e hënë,
Pengesa që të gjitha për Liri”!
(“Rubairat”, f. 50)
Gjithsesi, duke e lënë mënjanë fenë, çdo television shqiptar do t`i bënte nder vetës, po edhe kombit tonë, po të përcillte në ndonjë nga emisionet e saj fjalët lapdare të rilindasit tonë të madh Jeronim De Rada, që janë shënuar në faqën 3 të librit të tij “Flamuri i Arbrit”, ku ai thotë : “Unë do të rroj gjersa të shoh të bukurën, të dashurën, Shqipërinë tënë të lire dhe të madhe e pastaj me gëzim le të më vijë vdekja’.
*Autor i 23 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë