Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë jep informacion zyrtar mbi 13 vatrat e zjarrit në Shqipëri. Në Fushë-Arrëz tashmë situata duket më kritike pasi zjarri rrezikon zonat e banuara. Nga ana tjetër në gjithë operacionet janë përfshirë mbi 500 efektivë të Ushtrisë, ndërsa puna vijon si nga toka dhe ajri. Aktualisht në Shqipëri tonë janë 13 vatra zjarri. Në Gadishullin e Karaburunit, pavarësisht punës së palodhur e të pandërprerë të efektivëve të FA dhe shërbimit zjarrfikës ka ende prani vatrash zjarri, por pa rrezik për banesat.
Prani të zjarreve ka edhe në fshatin Cukal, në Shkodër, gjithashtu pa rrezik për banesat. Në Gjirokastër, vijon zjarri në vatrat në luginën e Lunxhërisë, por pa rrezik për banesat. Forcat e Armatës po punojnë së bashku me ato të pushtetit vendor për shuarjen nga toka. Zjarret në Fushë-Arrëz rrezikojnë të kalojnë në zonat e banuara, ndaj në ndihmë të forcave që po vijojnë punën prej orësh është dërguar edhe një helikopter për mbështetje nga ajri. Vatra të tjera zjarri, por pa rrezik për jetët e njerëzve dhe banesave janë në monitorim në bashkinë Tepelenë, pyllin e fshatit Shetaj, në fshatin Manskuri në Durrës. Në fshatin Lukan në Dibër, në bashkinë Mallakastër dhe në fshatin Shelçan në Elbasan.