Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Asimilimi i mërgatës shqiptare në rrugë pa kthim

Edhe pse lavdërohemi se jemi kombi më i vjetër në Evropë, disa madje mendojnë se jemi më të vjetrit në botë, ka sharlatanë madje edhe me tituj shkencorë që pretendojnë  të na bindin se shqipja është shkruar dhe është folur kështu si sot, para 30.000 vitesh, se shqiptarët janë racë superiore, se  janë pellazg0-iliro-trako-dako-faraonë, nga fara-jonë, farë, sa nuk ka më e fortë në botë, se janë më trimat, më besnikët e më qëndrestarët, se Evropa na ka hyrë në hak që ka lejuar  fqinjët tanë të na grabisin tokat, se padrejtësisht po e miklon Serbinë dhe sa e sa ankime të tjera, realiteti, mjerisht apo fatkeqësisht ka qenë dhe  po mbetet krejt ndryshe.

Sesa jemi burra dhe trima u tregua gjatë luftës së UÇK-së, kur në luftë ishte përfshirë një përqindje fare e vogël e popullatës liridashëse, kryesisht me prejardhje fshatare, ndërsa pjesa tjetër e bëri historinë duke ikur nga lufta dhe duke marrë në sy rrugët e botës, duke mistifikuar eksodin biblik. Të dëgjosh për heroizmat dhe sakrificat që kanë bërë ata, gjatë kohës kur u ka  rrëshqitur nën këmbë toka e Atdheut të përgjakur, duke ikur nga sytë këmbët, të duket se ai që ka qëndruar në front, ka jetuar si pasha, duke pritur lirinë nën granatat e masakrat e përditshme serbe.

Në kohën kur Qeveria e “mençur dhe largpamëse” e Kosovës shpalli konkurs për të gjithë qytetarët e Kosovës, që kanë marrë pjesë apo kanë ndihmuar luftën, u kthyen për të zhvatur çka mund të zhvatet,  edhe shumë nga ata që ia kishin kthyer shpinën  Atdheut në ditët më të rënda, kur brenda ditës serbët masakronin qindra shqiptarë dhe në frontet e luftës binin qindra dëshmorë. Tani ata janë të parët, që kanë marrë triskat e veteranit, të invalidit, të pjesëtarit të UÇK-së, madje ato tash së fundit i kanë marrë edhe të gjithë dezertorët e ikanakët. Janë ata, që kanë qëndruar në Tiranë e gjithandej nëpër Shqipëri dhe në vendet e Evropës, të cilët nganjëherë i kanë hapur kuletat, kanë derdhur djersë, kanë pritur e kanë përcjellë delegacione, pa çka se kanë fjetur nëpër hotele, janë rrezitur  nëpër plazhe nga mërzia për Atdheun, janë dëfryer e argëtuar duke pritur që NATO-ja ta mund Serbinë e pastaj, – “O burrani, kush asht trim! Se erdhi dita e pritur me shekuj… , sepse Vatani ka nevojë për “koka”, e jo për ata mendjelehtët që e paguan me kokë ngutinë e tyre duke na futur në “lluga”, në kohën kur, “Ibrahim Rugova e kishte garantuar pavarësinë e Kosovës”, kishte kërkuar nga NATO-ja t’ia ndalte bombardimet  Serbisë dhe nga dita në ditë e priste lirinë në Velaninë e velanisur nga skllavëria…..

Edhe pse kanë pensionet e tyre të majme në Zvicër, në Gjermani e vende të tjera, erdhën për ta marrë edhe atë kafshatën që  ka ndarë Qeveria “zemërgjerë”,  për të gjithë ata që i kanë kontribuar luftës, qoftë edhe vetëm me një gotë ujë, apo me një thes patate”. Mendohej  se nuk do të kishte më shumë se 12.000 përfitues,  por ja që tani numri u dyfishua, numri i invalidëve u trefishua. Konkursi ishte i hapur, ishte fer. Ai vlente për të gjithë shqiptarët, pse jo për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Natyrisht se pati  dhe ka nga ai mes edhe burra e atdhetarë  që nuk konkurruan, pati madje edhe të tillë, që duke parë “jurishnikët”, duke parë që po stoliseshim me triskën e veteranit edhe ata që e kishin sharë UÇK-së, hoqën dorë vullnetarisht nga triska e Qeverisë, por jo nga përkatësia morale e veteranit të luftës, në saje të  kontributit që i kanë dhënë Atdheut, në burgje, në luftë e pas luftës.

Shumë prej tyre, sidomos ata që shkuan në Amerikë, Australi por edhe në shtetet e Evropës, as janë kthyer as mendojnë të kthehen kurrë në Kosovë. Për ta mjafton të deklarohen se janë shqiptarë, madje “puro”, edhe pse bijtë e tyre mes veti nuk e flasin shqipen dhe kur e flasin e çorodisin me fjalë dhe aksent të gjuhës që kanë zgjedhur për identitet të ardhshëm. Disa nga ata e shohin, e ndiejnë, brengosen, sikletosen por nuk marrin dot vendim të prerë. Ata  kanë mbetur pezull, kanë mbetur “fetah”, as me ne as me ata. Të tjerët, që për mendimin tim janë 90 për qind, as u “han” për Kosovën. Atdhe, për ta është vendi ku mund të jetosh si parazit, duke u shtirë si i sëmurë, madje qoftë edhe si i sëmurë mental. Mjafton “t ia hedhësh” shtetit mikpritës, duke jetuar si pasha, pa derdhur djersë. Punë e madhe se fëmijët nuk e flasin shqipen, ta mësojnë sa më mirë gjuhën e mjedisit, të integrohen, të evropianizohen, njëjtë si ata shqiptarët, që shkonin në Turqi dhe në vendet e lindjes, një e dy shekuj më parë, turqizoheshin dhe integroheshin në ingranazhet e Perandorisë, duke ngjitur madje edhe majat më të larta të saj, nga ku më në fund u rrokullisej koka pas shpine. Ashtu bënë edhe trimat arvanitas. Për ta ruajtur fenë e të parëve u bënë grekë, madje shumë më patriotë  se grekët, ranë, u vranë, u masakruan, u shkatërruan për “Helladën”. Dhe sot krenohen me këngët, me vallet, me dasmat në “gluhën tanëh”, duke porositur njëri tjetrin: “kudo ku të  shkoni, arvaniten mos harroni”, por ama “kalimera e kalispera” nuk u shqitet nga “gojët e nga zemrat”.

Pavarësisht bindjes folklorike e romantike që kanë ngelur si relikte deri te ky brezi ynë, përpjekjet për ta ruajtur identitetin kombëtar, në kohën kur me tërë familjen je përcaktuar të jetosh përgjithmonë në Zvicër, Gjermani, Francë, Itali, Turqi apo kudo ku janë degdisur shqiptarët, janë përpjekje koti, janë britma në shkretëtirë.

Është ligj i jetës dhe i natyrës që pakica të shkrihet në shumicë, pavarësisht kushteve, pavarësisht çka ofrojnë vendet nikoqire.

Italia ka nxjerrë një ligj, ku në çdo qytet apo lokalitet ku mund të tubohen  30 nxënës të një etniteti të caktuar, qeveria lokale merr për obligim të hap një paralele për mësimin e gjuhës përkatëse të komunitetit. Statistikat tregojnë se shqiptarët anashkalojnë këtë dhuratë të shtetit, që i strehon dhe iu jep punë. Italia nuk ka pretendime asimilimi, por nuk mund të nxjerrë ligj, me të cilin i detyron të huajt ta ruajnë identitetin e tyre gjuhësor. Këtë të drejtë në Itali nuk e shfrytëzojnë shqiptarët. Nuk e shfrytëzojnë madje as në Greqi. Ata, më me dëshirë bëjnë punë të tjera, shpeshherë të palavdishme. Ankohen se fëmijët po u asimilohen, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës në asimilim, ankohen madje edhe te Qeveritë, në Prishtinë dhe në Tiranë, që nuk po ua financojnë mësimin në gjuhën shqipe, por fëmijët nuk i dërgojnë as në ato pak shkolla ku ka kushte dhe ku është mësuar e mësohet lënda e gjuhës shqipe.

Logjikisht shtrohet pyetja, pse u dashka që qeveritë në Prishtinë dhe në Tiranë të financojnë mësues shqiptarë për nxënësit në mërgatë, derisa baballarët e tyre kanë shtetësinë e shteteve përkatëse dhe nuk derdhin asnjë lek në Buxhetin e Kosovës, apo të Shqipërisë. U dashka që për hir të “patriotizmit të zjarrtë të baballarëve që digjen për Atdheun”  buxheti i Kosovës të ndajë mjete financiare për familjet shqiptare në mërgim që marrin 10 fish rrogë më të madhe sesa marrin arsimtarët në Kosovë apo në Shqipëri.

Nuk më ka rënë të lexoj apo të dëgjoj që lavdërohet një familje shqiptare në vendet e mërgatës, se e zotëron shqipen, që e flet apo që e mëson ta flasë sa më mirë. Natyrisht se ka përjashtime, por ato janë modeste. Por na ka rënë të lexojmë ditë e natë për shqiptarët që po integrohen, që po japim kontribut në vendet mike, madje edhe duke zgjedhur dhe duke u zgjedhur për të qenë pjesë e qeverisjes lokale.

Nuk kemi parë djalë apo vajzë shqiptare të jetë dalluar me ndonjë këngë shqipe, por kemi parë sesi të gjitha këngët i këndojnë vetëm në gjuhë të huaja. Në to, ata arrijnë t’ i shqiptojnë fjalët e tingujt më mirë se në gjuhën shqipe. Rastet e tilla janë unike edhe në Tiranë, Tetovë e në Prishtinë.

Fëmijët e mërgimtarëve kanë ideal, me ndonjë përjashtim, jo Shkurte Fejzën apo Mrika Trumshin, por Rita Orën dhe Rita të tjera lakuriqe, të droguara e të zezuar për së gjalli.

Janë prindërit shqiptarë ata që duhet të përkujdesen për bijtë, bijat, nipat e mbesat e tyre e jo qeveritë e lodhura, që Buxhetin në radhë të parë ia rregullojnë vetvetes, pastaj ajo që mbetet, ia gjejnë lehtë vendin. Sipas një informate të afishuar në medie (AlbInfo), del se Zvicra ndanë për shëndetësi hiq më pak se 71 miliardë franga në vit, hiq më pak se 50 buxhete të Kosovës, ose sa do të ketë Kosova buxhetin e përgjithshëm edhe për 50 vitet e ardhshme. Një lojtar futbolli, në Itali, Zvicër apo në Gjermani ka më shumë të ardhura vjetore se sa Buxheti i Kosovës, për 2 milionë banorë.

Natyrisht se ne, jemi mësuar të jetojmë me nga dyqind euro në muaj  dhe mund të jetohet me to, sa për të mos vdekur urie, ndërsa ata që janë mësuar të jetojnë me nga 3000 euro e më shumë në muaj, si mund të begenisin dhe të vinë në Kosovë, për hir të patriotizmit e të mbesin shqiptarë si babai, gjyshi e stërgjyshi.

Këtu del  në shesh sprova  matematikore e patriotizmit.

Është e vërtetë se një pjesë e madhe e mërgimtarëve dërgojnë të hollat e tyre për familjarët, i ndihmojnë, dhe një përqindje e madhe e popullatës jeton me remitenca, por është edhe një e vërtetë tjetër e hidhur se, shumë nga  ata përdorin paratë për të blerë toka e prona të fqinjëve, apo të farefisit me çmime krejt të ulëta, jo me çmime reale apo  “patriotike”, por me çmime puro kapitaliste.  Ankohen në taksa, jo gjatë kalimit nëpër Serbi, por ankohen nëse i ndal polici i Kosovës dhe i dënon. Në raste të tilla i merr guxim dhe i thotë, – “jeni bërë më të këqij se milicët e Milosheviqit”. Ankohen se Kosova nuk por bën asgjë për ta. Edhe ne i ankojmë, sepse “mjerë kalorësi, atij i varen këmbët”.

Ankimin nuk na e heq kush. Na u ka bërë pjesë e filozofisë së jetës. Mbaj mend kur Simboli i Rezistencë Kombëtare, Adem Demaçi, në vitet 90  u zgjidh në krye të KDMLNJ-së, meqë nuk kishte vend për të, madje as në pushtetin paralel të improvizuar, duke u ballafaquar me ankimet e përditshme të popullatës durimtare të Kosovës thoshte. Ne, bacës, jemi Këshilli i ankimit. Ankime 24 orë, kjo është filozofia jonë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …