Dr Ilaz Hysaj: Barku, truri ynë i dytë I
100.000 miliard bakterie që popullojnë trupin tonë, kanë interesin e tyre t’a ruajnë të shëndetshëm nikoqirin e tyre : NJERIUN. 7miliard e 250 milionë njerëz që e popullojnë planetin e tokës me sjelljet e tyre çdo ditë e më shumë po e degradojnë atë duke i rrezikuar pasardhësit e tyre.!
Shpesh kemi dëgjuar shprehje të ndryshme nga gjuha e jonë që lidhen me barkun dhe gjendjen tonë emocionale si :« frika në bark , « lepuri në bark », « i ka hy dreqi në bark », « dridhnet në bark », » ma plasi barkun », « më plasi mullani i barkut » « nyje në bark » … etj » dhe mund te kujtohen situata përcjellur tek ju me një dridhje barku, dhimbje barku, shtrëngim, emocion që buron diku nga kërthiza dhe ngjitet lart nga zemra deri te koka…ju bëjnë te djersiteni, te dridheni, të skuqeni, të zbeheni… (dita e parë e shkollës, aktori para shfaqjes, takimi i parë me të dashurën, lajm tepër i gëzuar apo i trishtë…)
Zbulimet e viteve të fundit nga domeni i neuroshkences, mikrobiologjisë, endokrinologjisë , imunologjisë etj, vetëm se kanë vërtetuar atë që e kanë ditur dhe praktikuar para shumë vitesh mjekësia tradiconale kineze, induse, japoneze të cilat e konsideronin barkun si organ qendror të perceptimit emocional, organ që komunikon me trurin e kokës dhe organet tjera, për të menaxhuar jetën tonë afektive në raport me veten tonë dhe mjedisin që na rrethon.
Barku më nuk konsiderohet një « sillos » ku tranziton ushqimi për t’u tretur, absorbuar dhe më në fund hedhur ekskrementet në rrjetin e kanalizimeve sepse në barkun tonë, jetojnë rreth 100.000 miliardë bakterje të cilat, në bazë te studimeve të fundit, ushtrojnë një influence të padiskutueshme në UNIN tonë..
Barku sot konsiderohet ORGAN FISNIK, që përveç funksionit të tretjes ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen imunologjike. Por mbi të gjitha, sepse aty gjendet TRURI YNE I DYTE apo Sistemi Nervor Enterik (SNE)
Rezultatet e hulumtimeve klinike të dhjetë viteve të fundit në Universitetin Columbia të New York-ut ,Universitetin Mac Master Hamilton të Kanadasë, INSERM Nante te Frances, CHRU Lille , Universiteti Teknik i Munich-ut, Qendrat hulumtuese në Gjenevë e shumë qendra tjera, kanë mundësuar të kuptojmë më mirë kompleksitetin e asaj që ndodhë në barkun tonë.
Më në fund, po e dimë se ekziston një komunikim “sekret “ në mes trurit të barkut dhe trurit të kokës. Një shprese e re për të kuptuar dhe shëruar shume sëmundje nervore neurodegjenerative, sëmundje metabolike, autoimune si dhe sëmundje tjera psikike që mundësohet pikërisht nga njohja e funksionimti të Sistemit Nervor Enterik dhe asaj që popullzon këtë trakt : MIKROBIOTI , nje « galaksi » e vërtetë prej 100.000 miliard bakteriesh që bashkëjetojnë me ne.
Por, me çfarë gjuhe flet barku me trurin?!
Çka i thotë barku trurit te kokës ? Sa e influencon atë per të marrë vendime kundër dëshirës së tij ?
A është zot i i plotfuqishëm i botës sonë afektive truri ynë i dytë që gjendet në bark ? Sa është i pavarur AI.
Për të kuptuar këto lojëra misterioze do të mundohem të ju paraqesë në mënyre të banalizuar disa të dhëna anatomike dhe fiziologjike në lidhje me sistemin nervor.
Sistemi Nervor Qendror ( truri i madh, truri i vogël, palca kurrizore) analizon sinjalet senzitive që merr nga periferia dhe emiton influkse nervore në formë “urdhri” për të kryer një aksion motor.
Truri ynë është qendër komplekse e aktiviteteve tona intelektuale dhe kogniktive , mbi të gjitha.
Sistemi Nervor Periferik (i përbërë nga shumë nerva që dalin nga kafka dhe palca kurrizore) ka për detyrë që “urdhrat e trurit” që i merr në formë të influxit nervor t’i përcjellë deri te strukturat adekuate të organizmit, për shembull deri te qelizat muskulare nëse ai të urdheron që të ngritesh nga karriga dhe të shkosh në punë.
Sistemi Nervor Autonom apo vegjetativ (simpatik dhe parasimpatik) rregullon dhe koordinon funksionet vitale të organizmit si psh. Ritmin kardiak, frymëmarrjen, perisaltikën e traktit digjestiv etj.
Ky sistem është plotësisht i pavarur. Pra edhe nëse duam të ndalim frymëmarrjen këtë nuk mund t’a bëjmë sepse është në domenin e sistemit autonom vegjetativ. As ritmin e zemrës nuk mund t’a ndalim me urdhrin e trurit.
NEURONI apo qeliza nervore, është njësia themelore anatomike e sistemit tonë nervor.
Neuronet janë të lidhura me njëra tjetrën me të ashtuquajturat SINAPSA.
Për t’a përcjellë sinjalin nervor, neuron pas neuroni , sinapsë pas sinapse, nga truri deri në periferi dhe anasjelltas, nevojiten disa substanca kimike që quhen NEUROTRANSMETORE apo messazherë kimik që prodhohen në pjesë te ndryshme të organizmit, e më së shumti në barkun tonë, rreth 80 për qind.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia madhore e barkut dhe sistemit nervor enterik.
Për të kuptuar më mirë rolin e madh të trurit të barkut në sferën afektive dhe influencën e tij në sjelljet tona do te njihemi shkurt me disa neuro-transmetues kryesorë :
1.ADRENALINA apo « stressori» lirohet sidomos në situata të veçanta stressi. Ky përgatitë organizmin për t’u ballafaquar me situatën « luftë apo ikje ».
2.NOR ADRENALINA kontrollon lirimin e hormoneve përgjegjëse për fertilitet, libido ,oreks ,metabolizëm, modulon aftësinë për të mësuar dhe për t’u integruar në shoqëri. Ulja e Noradrenalinë shkakton demotivim, ulje të libidos desocializim dhe depresion.
3.DOPAMINA modulon lëvizjet muskulare, sistemin imunitar, kurse në sferën komportementale, dopamina modulon vigjilencën dhe kënaqësinë seksuale. Çrregullimet në lidhje me dopaminën shoqërohen me rigjiditet muskular, dridhje tek sëmundja e Parkinsonit, demotivim, depresion të tipit melankolik.
4.SEROTONINA modulon ritmin e gjumit, frenon dukshëm aktivitetin neuronal dhe frenon aksionin. Me një formë e futë trurin në refleksion para se të reagojë, pra, reflekton urtësi dhe qetësi. Në të kundertën, shkalla e ultë e serotoninës shoqërohet me gjendje impulsive, irritative, e në raste ekstreme edhe me tendenca për vetëvrasje.
5.GABA favorizon qetësinë dhe relaximin. Në të kundërtën shkalla e ultë e GABA shkakton gjendje anksioze dhe vështirësi për të fjetur.
6.ACETYLCHOLINA , ndër neurotransmetorët kryesorë që modulon dhe kontrollon lëvizjet, merr pjesë në stokimin e informatave në zona të trurit si dhe në aksionin e gjetjes së këtyre informatave në momentet e duhura , pra është mesazheri kimik i memories.
Çrregullimet në lidhje me acetilcholinën manifestohen me probleme të memories qoftë ajo te sëmundja e Alzheimer apo tek demenca e rëndë senile.
Pasi u njoftuam ne vija të trasha me sistemin nervor dhe neurotransmetorët kryesorë mund te kalojmë në përshkrimin e Sistemit Nervore Enterik apo TRURIT TE DYTE.
TRURI YNE I DYTE (SNE)
Sipas disa shkencëtarëve truri ynë i dytë apo Sistemi Nervor Enterik, në fakt është i pari sepse gjatë zhvillimit embrional , tubi digjsetiv bashkë me neuronet e tija zhvillohen para sistemit nervor qëndror në kafkën tonë.
Neuronet, apo qelizat nervore të SNE, janë plotësisht identike me ato të SNQ dhe përdorin të njejtët neurotransmetorë për të përcjellë mesazhet. Është konstatuar gjithashtu se shumë dëmtime degjenerative që prekin qelizat nervore të trurit, prekin njëkohësisht apo edhe më herët, neuronet e sistemit tonë enterik, bile në rastin e sëmundje së Parkinsonit japin shenja klinike shumë më të hershme, në formë të çrregullimit të odoratit dhe shenjave tjera digjestive, shumë më herët se shenjat e para të çrregullimit motor. Dhe pikërisht këtu qëndron shpresa e diagnostikës së hershme të shumë sëmundjeve neuro-degjenerative përmes një biopsie të thjeshtë të një cope zorre, që është fare pa rrezik në krahasim me biposinë e qelizave nervore të kokës.
Qelizat nervore të SNE veshin gjithë traktin tonë digjestiv duke filluar nga goja, ezofagu, lukthi, duodeni, zorrët e holla, zorrët e trasha e deri te vrima anale. Ato janë të organizuara në dy pleksuse ganglionare:
1.Pleksusi submukoz i Meissner-it i cili gjendet në mes të qelizave endoteliale që veshin nga brenda gjithë traktin digjestiv dhe shtresës muskulare. Ky pleksus kontrollon, mbi të gjitha, sekrecionet e domosdoshme për tretjen dhe mbrojtjen digjestive.
2.Pleksusi myenterik i Auerbach-ut i cili shtrihet në mes të muskujve gjatësore(longitudinal) dhe muskujve rrethore ( circular). Ky pleksus kontrollon motricitetin, pra gjithë perisaltikën dhe lëvizjet e traktit digjestiv që lidhen me tretjen dhe mbrojtjen digjestive.
Kjo është ajo që dihej kaherë për SNE.
Por hulumtimet e reja na tregojnë se këtu prodhohet 95 për qind të serotoninës, neurotransmetorit kryesor që menagjon emocionet tona, si dhe një numër i madh i neurotransmetorëve që i përmendëm më lart.
“Derisa psikanaliza gastrike është në kërkim të fondatorit të saj, akupunktura kineze abdominale ka mbi 40 vjet që përdoret në mjekimin e sëmundjes së Parkinsonit, Alzheimer-it dhe të depresionit.”
Megjithëse është në ineraksion me pjesët tjera të sistemin nervor autonom, SNE funksionon në mënyrë plotësisht të pavarur nga qendra. Të dy pleksuset që përmendëm janë të lidhura dendësisht në mes vete në nje rrjet reticular interkonekcional, ngjashëm sikurse truri ynë, prej nga edhe iu kanë atribuar emra të ndryhem si “gut’s brain”, “truri visceral”, “truri i dyte” sipas Taoistëve, apo qendra e Qi në kulturën sino-japoneze.
SNE lidhet direkt me sistemin nervor qendror (SNQ) përmes NERVIT VAGAL apo pneumogastrik.
Përmbanë mbi 200 million neurone, aq sa ka ne trurin e qenit apo maces, një mije herë më pak se në trurin e njeriut.
Sipas neurogastroenterologut Jean Fioramonti zorrët tona kanë të njejtat neurone sikurse truri ynë. Duke marrë përsipër punën kaq të madhe në digjstion dhe në mbrojtje, truri ynë i dytë i ka mundësuar, gjatë evolucionit, trurit të kokës, që të merret dhe të zhvillojë kapacitete tjera intelektuale.
I pasur shumë më termoreceptorë, mekanoreceptorë, kimioreceptorë, ky sistem ka një aftësi të veçantë te kapë të gjitha sinjalet e natyrës sensitive dhe t’i shnderroje ato ne levizje mekanike cirkulare apo longitudinale, me nje kadence ritmike qe ne mjekësi quhet perisaltikë, kurse neuronet glandulare kontrollojnë sekrecionin e substancave të domosdoshme për tretjen dhe eshalonin e mbrojtjes abdominale.
Kurse përmes neurotransmetorëve që përmendëm më lart, ai merr pjesë , dhe në një formë menagjon jetën tonë afektive. (vazhdon)