Themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, po komentohet edhe si pasojë e dështimit të gjykatave vendore, ndërkombëtare dhe vetë Tribunalit të Hagës në arrestimin, ndjekjen dhe dënimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së, të akuzuar nga Beogradi zyrtar për gjoja krime lufte në Kosovë kundër serbëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjatë viteve 1997-1999 dhe shumë prej tyre të dënuar nga gjykatat e UNMIK-ut e të EULEX-it.
Të gjithë ata që po pretendojnë të fshihen pas këtij “arsyetimi” nuk janë tjetër pos hipokritë antikombëtarë dhe kundërshtarë indirektë të luftës dhe vlerave të saj, sepse faktet janë krejt të tejdukshme dhe flasin ndryshe.
Po ashtu, pretendimi se Gjykata Speciale do të dënojë disa individë dhe jo krejt shqiptarët apo krejt UÇK-në, është një deklarim naiv, i pa perceptuar realisht, kur dihet se asnjë gjykatë në botë nuk dënon “a priori” një popull, apo një lëvizje çlirimtare. Si i tillë nuk është dënuar as populli gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, por vetëm kreu i saj politik dhe ushtarak.
Edhe në rastin tonë, nuk mund të dënohet një popull që ka luftuar kundër barbarisë së regjimit serb, dhe luftën e të cilit e ka përkrahur edhe NATO-ja, por kërkohet të dënohet kreu i luftës, madje edhe ata që gjykatat vendore e ndërkombëtare i kanë shpallur të pafajshëm. Sepse kur dënohet kreu doemos se demonizohet edhe lufta jonë çlirimtare dhe fitimtare.
Në raportin e Dik Martit ( Dodik Martinoviq) kërkohet të gjurmohen krimet dhe trafiku i organeve të gjoja 400 serbëve që, sipas tij ka kryer UÇK-ja në gjashtë kazerma në Shqipëri. Ky konstatim për Atifete Jahjagën nuk paska vlerë, sepse asaj, këshilltarët që ia shkruajnë fjalimet i kanë thënë se nuk duhet ta përmend këtë fakt. Këtë fakt e anshakojnë po thuajse të gjithë zyrtarët e Qeverisë aktuale, ashtu sikur edhe zyrtarët e lartë të ish-Qeverisë, madje edhe ata që janë direkt apo indirekt të akuzuar për pretendime të tilla.
Pretendimi për ta bindur opinionin se gjyqësia e vendit dhe ajo ndërkombëtare kanë dështuar në ndjekjen dhe dënimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së, është krejtësisht i paqëndrueshëm nëse iu referohemi fakteve se sa udhëheqës të lartë të luftës nga kreu i saj janë dënuar prej vitit 1999 e deri tani. Por këto fakte nuk lejohen të publikohen.Këto fakte kurrë dhe asnjëherë nuk i ka botuar Koha Ditore, Ekspressi, Bota Sot, madje as gazetat e tjera që hiqen si përkrahëse të luftës së UÇK-së, për shkaqe të njohura.
Ja faktet:
Katër e më shumë Gjykata kanë dënuar dhe po dënojnë luftëtarë të lirisë të tri ushtrive tona çlirimtare. Prej vitit 1999 e deri tani gjykatat e UNMIK-ut në Kosovë, së bashku me ato vendore kanë arrestuar dhe dënuar qindra luftëtarë të lirisë. Po kështu ka vepruar dhe po vepron edhe Gjykata e EULEX-it e cila prej fillimit të stacionimit në Kosovë, të vetmin angazhim e ka pasur luftën kundër eprorëve të UÇK-së, sidomos të atyre që janë postuar në institucione. Tribunali i Hagës ka hapur dy proceseve gjyqësore dhe ka dënuar tre ish-eprorë të UÇK-së: Idriz Balaj, Lahi Brahimaj dhe Haradin Balaj ndërsa ka liruar të pafajshëm, në mungesë të provave: Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn. Gjykatat në Serbi kanë ndjekur, arrestuar dhe dënuar më shumë se 120 ish-luftëtarë të lirisë, ndërsa kanë hartuar dosje edhe për 156 të tjerë, të cilët ndiqen madje edhe nga Interpoli. Këto dosje i ka pranuar UNMIK-u dhe EULEX-i. Në to përfshihet krejt kreu komandues i luftës së UÇK-së. Apo ndoshta këto nuk qenkan fakte sipas qeveritarëve tanë.
Gjykatat në Maqedoni kanë dënuar, kanë vrarë në rrethim dhe në burgje dhjetëra luftëtarë të lirisë. Madje edhe një Gjykatë në Tiranë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar një ish luftëtar të UÇK-së e UÇPMB-së.
Të pretendosh se gjykatat vendore dhe ndërkombëtare nuk e kanë kryer punën e tyre në Kosovë, nuk i kanë dënuar krerët e luftës, nuk është vetëm hipokrizi por është një poshtërsi e llojit të vet, sepse vetëm në këtë segment të angazhimit kanë qenë azhure dhe shumë këmbëngulëse të gjitha gjykatat. Fshehja e këtij fakti i pëlqen Beogradit, BE-së dhe spiunëve të Serbisë, të cilët janë shumë të pranishëm në institucionet e Kosovës.
Janë sjellë para gjykatave krerët më të lartë të luftës në Kosovës, të krejt zinxhirit komandues, jo si individë, por si struktura të larta organizative ushtarake të UÇK-së.
Komandanti i SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi, ndodhet në proces gjyqësor, i akuzuar për krime lufte, sepse i paska rënë një shuplakë gojës një putaneje, në shërbim të Policisë serbe të Milosheviqit.
Komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, me disa eprorë të lartë ndodhet po ashtu në proces të gjykimit, nga Gjykata e EULEX-it
Komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe disa eprorë ka kaluar në proces të gjykimit dy herë, madje në Tribunalin e Hagës.
Komandanti i Zonës së Pashtrikut, Fatmir Limaj, me disa eprorë, tri herë i arrestuar dhe i liruar në mungesë të fakteve.
Komandanti i Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa, me disa eprorë të lartë, të dënuar me burg.
Është akuzuar disa herë dhe është marrë në pyetje, ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla.
Është marrë në pyetje, është mbajtur në arrest edhe Komandanti i Zonës së Neredimes, Shukri Buja.
Janë dënuar për krime lufte duke u mbështetur në dosjet e regjimit serb të kohës së Millosheviqit disa qindra luftëtarë nga të gjitha zonat e luftës.
Është shpallur fajtor dhe është dënuar për krime lufte, ish komandanti UÇPMB-së, si Januz Musliu.
Janë likuiduar në pritë nga policia sllavo-maqedonase, disa nga krerët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si: Harun Aliu, Shaban Zenuni, Kemal Mustafa dhe Xhafer Shala e të tjerë.
Numrin e saktë të dënuarve nga radhët e pjesëtarëve të UÇK-së, në periudhën 15-vjeçare, pas luftës e di mjaft mirë Ministria e Drejtësisë por nuk ka vullnet ta shpall, as nuk ka vullnet t’i tregojë opinionit se për 15 vjet katër gjykata ndërkombëtare, rajonale dhe vendore kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar qindra luftëtarë të UÇK-së, të akuzuar për krime të kryera gjatë luftës dhe për krime lufte, meqë sipas akuzave ata kanë vrarë dhe kanë torturuar spiunë të regjimit të Milosheviqit dhe policë e ushtarë serbë. Pse e fsheh këtë numër të të dënuarve kjo ministri?
Pse nuk i publikon emrat e të dënuarve për të parë dhe për t’ u bindur se shumëfish më tepër janë dënuar pjesëtarë të UÇK-së në Kosovë, nga gjykatat ndërkombëtare, sesa ka shpallur fajtorë dhe dënuar Serbia, për vrasjen e afër 300 mijë boshnjakëve, shqiptarëve, kroatëve e sllovenëve. Derisa Serbia dënon katër vjet burg kriminelin që ka vrarë 22 shqiptarë, ish komandanti i një zone të luftës çlirimtare dënohet 6 vjet burg për torturim të inskenuar të një bashkëpunëtori të Serbisë së kohës së Milosheviqit. Ja cila është drejtësia, për të cilën aq shumë po flitet nga krerët tanë.
- 3. 2015