Edi Rama

Kosova s’ ka konflikt me Edi Ramën, as me Shqipërinë, por janë mbetjet LKJ-LDK-iste, kosovacentriste, që synojnë konflikte

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Fushata e disa medieve dhe “biçim” analistëve  kundër Edi Ramës dhe përgjithësisht kundër qeverisjes aktuale socialiste, në Shqipëri, ka marrë përmasa,  sidomos me rastin e shpalljes së Sali Berishës person “non grata” me krejt familjen e tij, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Berishistët e Kosovës, së grigjës  LKJ-LDK-iste, disa të vetëquajtur analistë e disa sharlatanë të mjerë, që nuk dinë çka shkruajnë as pse shkruajnë, i turrën Edi Ramës, meqë nuk ua mbanë ta përkrahin Berishën, për shkak se u prishet “namuzi politik” me Amerikën.

Ata fajtorin kryesor për të gjitha të priturat e të papriturat, me të cilat ballafaqohen shqiptarët, fajtorin kujdestar, e kanë  Edi Ramën, i cili me apo pa qëllim u jep  dëngla, u jep “taxhi” të skaduar në mënyrë,  që ata të kenë çka të përziejnë në kazanët e tyre mediatike, duke nxjerrë në sipërfaqe gjuhën e ndragët dhe duke kërkuar thellim të përkeqësimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, vetëm për shkak se atë e qeveris Edi Rama, e jo Sali Berisha apo Lul Basha.  Se kush po e qeveris dhe do ta qeveris Shqipërinë këtë e ka thënë sovrani popull.

Etiketimi i kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama  si serbofil,  bëhet nga ish jugofilët e dëshmuar, të cilët edhe sot i mbajnë me krenari triskat e LKJ-së, edhe pse në fillim të viteve 90-të ata kishin bërë  një “revolucion” të  hedhjes së triskave, revolucioni i vetëm i tyre kur treguan botërisht  zhgënjimin e tyre  deri morbiditet  nga ish padroni 40-vjeçar jugosllav, të cilin i kishin shërbyer me besnikërinë e robit.

Të tillët dhe bijtë e bijat e disa prej tyre, janë prore kujdestarë për të  etiketuar çdo nismë të Shqipërisë, edhe atëherë kur këto nisma i mbështet fuqishëm Amerika, Gjermania e shtete të tjera,  të cilat pretendojnë se në Ballkan duhet të vendoset paqja shumë e dëshiruar, por e paarritshme në radhë të parë nga Serbia,  që ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti xhandar i Rusisë i Francës  dhe i Holandës në Ballkan.

Të kthehemi pak te historia e marrëdhënieve  serbo shqiptare

Marrëdhëniet ndërshtetërore të Shqipërisë me shtetet e Ballkanit, në këtë mes edhe me Serbinë, janë pjesë e diplomacisë shtetërore, dhe të tilla do të jenë gjithnjë. Ato marrëdhënie kanë një status-quo historike, për shkak se armiqësia serbo-shqiptare ka filluar para 13 shekujve kur fiset sllave u dyndën nga përtej Dnjeprit e Karpateve dhe u vendosen në trojet e Ilirisë e Dardanisë së  dikurshme, në Ballkanin të cilin paraprakisht e kishte katandisur Perandoria romake dhe ajo bizantine.

Këtë fakt historik e kishte shfrytëzuar edhe  kryeadministratori i parë i UNMIK-ut në Kosovë, Bernard Kushner, për ta arsyetuar pamundësinë e vendosjes së marrëdhënieve të përnjëhershme e të qëndrueshme mes shqiptarëve e serbëve. “Ata kanë të përbashkët  armiqësinë e tyre gjatë 13 shekujve”, kishte saktësuar Kushner.

Kjo armiqësi është historike, sepse ka në mes një padrejtësi të madhe, po ashtu historike.

 Sllavët, ne shekujt shtatë e tetë të epokës sonë,  me fuqinë e tyre numerike pushtuan vendet e Ballkanit, dogjën e shkatërruan një qytetërim të tërë dhe u vendosen dhunshëm, ashtu sikur edhe mongolët, avarët, hunët e të tjerë.

Përtej kësaj, sllavët, bënin spastrimin etnik, eliminonin popujt që nuk u nënshtroheshin dhe kryenin krime ndër më të çmeriturat mbi popujt e vegjël.

Andaj kapërcimi  mbi këtë histori të përgjakshme shumë shekullore thjesht është i pamundshëm, por gjithnjë ka vend për të bërë përpjekje në drejtim të marrëveshjeve të ndryshme.

Historia prej vitit 1912 e deri tani ka treguar se mes shqiptarëve dhe serbëve kurrë dhe asnjëherë nuk është arritur një marrëveshje, me të cilën janë pajtuar të dyja palët, sepse Serbia duke qenë shtet xhandar në Ballkan, ka dirigjuar lojën diplomatike dhe kurdoherë është përkrahur dhe përkrahet nga të gjithë aleatët e saj historikë, për veç Anglisë, në 25 vitet e fundit.

Edhe pse ishte bombarduar nga fuqia më e madhe ushtarake e botës sikur është NATO-ja, edhe pse kishte nënshkruar kapitullimin më 10 qershor në Kumanovë, ishte pse dishte dëbuar përgjithmonë nga Kosova, Serbia nuk heq dorë, sepse hegjemonizmin e saj e ushqen Kremlini, Parisi, Brukseli e jo vetëm pak shtete të Evropës dhe botës.

Andaj është e pamundshme të vendosen marrëdhënie mbi parime të njohura të drejtësisë, paqes e barazisë, sepse BE-ja dhe shtetet e saj. madje edhe miqtë tanë kërkojnë bisedime me kompromis dhe ky kompromis shkel kushtetutën e Kosovës.

Kompromisi nënkupton: shkëmbin të territoreve, nëse të dyja palët merren vesh dhe pajtohen paraprakisht, nënkupton vendosjen e një entiteti autonom serb në Kosovë, me kompetenca ekzekutive,  pavarësisht si quhet, Asociacion apo “Zajednicë”, nënkupton se të dyja palët duhet të fitojnë nga diçka dhe të pajtohen të humbin nga diçka.

Kompromisi në këtë rast nënkupton se Serbia e ka humbur pjesën e okupuar  shqiptare të Kosovës, por e kërkon pjesën veriore ku popullata serbe përben shumicën dhe cila do të ketë lidhjet horizontale me enklavat serbe, si  dhe lidhjet e tyre vertikale me Beogradin. Ky kompromis nuk nënkupton analogjinë me tri komunat shqiptare nën Serbi, sepse kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm. Kosova me rezolutën 1244 të KS  të OKB-së vazhdon të trajtohet provincë serbe nën sovranitetin e Beogradit. Aktualisht kjo rezolutë është “Shpata e Damoklit” që i rri mbi kokë Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve përgjithësisht. Ndërrimi, madje as modifikimi i kësaj rezolute nuk mund të bëhet pa miratimin e Rusisë, Kinës e disa shteteve të tjera.

Përpjekja për marrëveshje ballkanike me Serbinë në krye, është përpjekje e dështuar, por e nevojshme për të mbajtur një paqe të brishtë. Ata, që me gjithë mend mendojnë se mund të arrihet një ujdi e tillë, që nga koha e UJD-it të Veton Surroit, pastaj e halabakëve e zagarëve politikë të viteve 90-të,  përpjekjet për bisedime me Serbinë në kohën kur lufta çlirimtare kishte marrë përmasa, sikur ishte ajo e vjeshtës së vitit 1998 dhe të tjera pas luftës, qoftë me Kosovën apo me Shqipërinë, vazhdimisht kanë dështuar, sepse Serbia dirigjon politikat në disa nga ish shtetet e RSFJ-së, me bekimin e Kremlinit dhe Parisit zyrtar, madje krejt hapur.

Pretendimet se  nisma për të ashtuquajturin “Ballkan i hapur”, qenka tradhti kombëtare nga Edi Rama, me faktin se këtë projekt nuk e pranon Albin Kurti, se ky projekt po e ringjallka Jugosllavinë e Tretë, e gjykime të tilla sharlatanësh, kanë një mashtrim tjetër, që pretendon të bëhet kauzë, për qëllime të përfitimeve politike.

Nuk është e largët koha Kur Albin Kurti deklaronte me virulencë e pompozitet  se kurrë nuk do të ulej në tavolinë të bisedimeve me një kriminel serb sikur është ish ministri i Milosheviqit, Aleksander Vuçiq, por tani ai po ulet jo  këmbëkryq, sepse Vuqa është dy metra krijesë, por ulet  në tavolinën e bisedimeve.

Sot Albin Kurti e thotë me gojën plotë se nuk do të ketë kompromis, por kushti i parë i bisedimeve është pikërisht, kompromisi, kështu e konfirmoi  ditë më parë dhe ambasadori amerikan, në Beograd, Anthony Godfrey.  Kompromisin e kërkon edhe Gjermania, Franca e Holanda po se po, pastaj edhe Rusia dhe kush jo. Nuk di të ketë një shtet në Ballkan apo në Evropë që thotë se nuk duhet të ketë kompromis në bisedime.

Andaj duke ndodhur nën këtë presion shumë të fortë  për muskujt e dobët e të mefshtë të Albin Kurtit,  e të Kosovës në përgjithësi, vëmendja e militantëve të tij koncentrohet te “tradhtari” Edi Rama, te Shqipëria, e cila sipas mendësisë së tyre uloke, “gjithnjë na paska tradhtuar”. Andaj bëhet kaq e ashpër lufta politike, e cila kërkon zhvendosjen e vëmendjes së opinionit.

Ku e ka hallin Edi Rama me nismat e tij

Edi Rama është politikan pragmatist. Ai me politikat e tij të brendshme e të jashtme, ka arritur të fitojë tri herë me radhë zgjedhjet në Shqipëri, madje pa pasur nevojë as për aleatë, sikur bëri me mendjelehtësi herën e parafundit, kur e mori dhe e bëri kryetar shteti, Ilir Metën.

Edi Rama, në Beograd i ka kërkuar Serbisë ta njohë  pavarësinë e Kosovës, duke shkaktuar një skandal shokues,  në politikën serbe të asaj kohe.

Ai kurrë nuk ka pranuar as pranon degradimin e pavarësisë së Kosovës  por thërret vendet e botës që ta njohin këtë pavarësi.

Ka bashkëpunuar me të gjithë politikanët e Kosovës, Maqedonisë dhe shqiptarëve kudo ku jetojnë. Edhe pse euro-politikan i përbetuar ai ka kritikuar dhe kritikon hapur BE-në për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të vetmit në Evropë, të cilëve u mohohet kjo e drejtë.

Ai ka përkrahur ish-kryetarin Hashim Thaçi në  analizat e tij lidhur me mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, por asnjëherë nuk ka insistuar, as ka pranuar se kjo është rruga e vetme.

Edi Rama ka deklaruar publikisht se përkrah fuqishëm luftën e UÇK-së si luftë të drejtë çlirimtare.

Ai nuk është pajtuar as pajohet kurrë që të gjykohet kjo luftë nga Gjykata Speciale.

Edi Rama i ka lejuar hapësirë militantëve të Vetëvendosjes madje edhe të marrin pjesë në zgjedhjet e kësaj partie në Shqipëri, që parqet një precedent diplomatik.

Edi Ramës, sipas mendimit tim,  i mungon njohja e historisë së Serbisë, i mungon njohja e diplomacisë serbe, i mungon një këshilltar serioz dhe njohës i thellë i kësaj historie.

Edi Rama do të duhej t i thoshte Serbisë:

-Prano krimet kundër shqiptarëve dhe kërko falje nëse dëshiron të kesh marrëdhënie të mira me Shqipërinë.

-Kthe në Kosovë  eshtrat e më shumë se një mijë shqiptarëve të zhdukur.

-Nëse i keni djegur në kazanët e minierave, trego për fatin e tyre.

-Nëse u keni marrë paraprakisht gjymtyrët dhe pastaj i keni zhdukur tregoni dhe kërkoni falje.

A do të duhej të kishte vendosur kushte të tilla  Beogradit zyrtar edhe Hashim Thaçi para fillimit të bisedimeve me Serbinë, në Bruksel, në vitin 2012?.

A duhet që sot, Albin Kurti të vendos kushtëzime të tilla dhe a ka guxim e vendosmëri të insistojë fillimin e çdo dialogu,  me apo pa kompromis  me Serbinë, lidhur me këto kushtëzime që fillimisht janë kombëtare, morale, humane e pastaj edhe politike.

Nëse Thaçi e Kurti nuk kërkuan kushtëzime të tilla, pse u dashka me çdo kusht që këto t’ i kërkojë Edia Rama. Mbase Edi Ramës i ka takuar më shumë kjo, sepse ai nuk do të kishte  pasur presion nga qarqet  ndërkombëtare  sikur kishte Hashim Thaçi dhe sikur ka sot, Albin Kurti. Të gjitha këto çështje  duhen shikuar lidhur ngushtë njëra me tjetrën, sepse  në politikë asgjë nuk zgjidhet vetëm me retorikë patriotike, por asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet, as nuk guxon të pranohet kundër vullnetit të shumicës së popullit, kundër atdheut e kombit në përgjithësi, kudo ku jeton dhe nga kushdo  që sundohet.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

  1. 8. 2021

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …