Agjencia federale amerikane që merret me oqeanet dhe klimën ka njoftuar se korriku i këtij viti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Ndërkohë, ekspertët kanë njoftuar se është shqetësues fakti se temperatura po vazhdon të rritet nga viti në vit dhe kjo rritje e pandërprerë do të ketë pasoja serioze për token dhe jetën në të. Administratori i Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike ( NOAA-s ) Rick Spinrad, ka deklaruar se korriku është zakonisht muaji më i ngrohtë në botë i vitit, por korriku i vitit 2021 e tejkaloi veten si korriku dhe muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Temperaturat e kombinuara të sipërfaqes dhe ujit ishin për 0,93 gradë Celsius mbi mesataret e shekullit të 20-të për korrikun, dhe ishte më e nxehta e matur që kur filluan regjistrimet 142 vjet më parë. Temperatura ishte gjithashtu për 0,01 gradë Celsius më e nxehtë se rekordi i mëparshëm i vendosur në korrik 2016. Ditë më parë, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se Toka po kalon një ndryshim të pakthyeshëm dhe të paparë nga ngrohja globale, me efekte që prekin çdo cep të planetit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quajti raportin e Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike “një kod të kuq për njerëzimin”, duke kërkuar “përpjekje të përshpejtuara”. Ai theksoi në mes tjerash se kambanat e alarmit janë shurdhuese dhe provat janë të pakundërshtueshme: emetimet e gazrave që shkaktojnë efektin serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile, si dhe shpyllëzimi, po mbytin planetin tonë dhe po vënë miliarda njerëz në rrezik të menjëhershëm.