Libri studimor, shkencor, i Azis Gjergjit: “Rinia e Mbretit Zog”, është një vepër ndër më të dëshmuarat, më të dokumentuarat e të argumentuarat që janë shkruar ndonjëherë për Ahmet Zogun, politikanin më kontrovers të historisë së kombit tonë.
Duke qenë studiues i përkushtuar, njohës i metodologjisë së punës kërkimore, shkencore, njohës i shkëlqyer i kushteve dhe rrethanave politike, sociale e diplomatike të kohës për të cilën ka shkruar, studiuesi i mirënjohur, Azis Gjergji, ka arritur që figurën kontroverse të Ahmet Zogut ta paraqesë, në mënyrë integrale, duke e parë dhe duke e “zhveshur” atë nga të gjitha anët, nga të gjitha segmentet, nga të gjitha dromcat e jetës së tij, duke mos e kursyer asnjë anë të karakterit dhe veprimeve të tij, të intrigave dhe luftës së pandershme politike, që ka zhvilluar gjatë tërë jetës së tij, Ahmet Zogu, të cilin nuk e kemi njohur deri në këtë, nivel sikur e ka zbuluar dhe sikur e ka paraqitur atë me gjuhën e fakteve, autori i këtij libri, i cili begaton literaturën tonë me një vepër tjetër të arrirë shkencore, pas monografisë për Myslim Peza dhe vepra të tjera historike e publicistike, të cilat i ka shkruar dhe i ka botuar ky autor.
Azis Gjergji, në këtë libër ka shfrytëzuar një literaturë tejet të pasur jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera dhe duke u mbështetur në fakte e dëshmi të shumta historike, ka arritur që tërë lëndën ta sintetizojë në mënyrë kronologjike, duke shkrirë në tërësinë e saj dhe duke mos i lënë anash asnjë fakt të duhur e të nevojshëm, madje duke zgjedhur edhe nga mesi i atyre, që kanë pasur dhe kanë konsideratë për Ahmet Zogun, me të cilin ende manipulon një segment i politikës shqiptare jo vetëm në Shqipëri…
Libra ka 463 faqe, shtypi shtypshkronja, GEER, Tiranë, 2020.