Arbëreshët e Italisë, një pjesë vitale e kulturës, letërsisë dhe trashëgimisë shqiptare- Gavril Dara i Riu II

Gavril Dara i Riu (1826 – 1885)

Letërsia shqipe e krijuar  nga arbëreshët e Italisë, pa dyshim se është një  pjesë vitale e letërsisë shqiptare të kohës së romantizimit, edhe pse nuk pati ndonjë ndikim të madh në katër vilajetet e Shqipërisë së asaj kohe, që kishin mbetur pre e mujsharëve të Evropës dhe Perandorisë Osmane, e cila  kishte filluar të shpërbëhej duke lënë prapa një rrebesh që ra si reja nga qielli edhe mbi kokat e shqiptarëve.

Arbëreshët e  shpërngulur  nga Moreja dhe nga disa vise shqiptare në mesjetë, e sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, në vitin 1468 ishin vendosur në jug të Italisë dhe në Siçili, Ata deri në shekullin 19-të e më vonë kishin ruajtur jo vetëm gjuhën, traditat, doket por edhe shkrimin e shqipes. Duke qenë besimtarë të ritit ortodoks, ritet fetare i kryenin në gjuhën amëtare dhe kjo bëri që një pjesë e tyre të mos asimilohej, edhe pse asimilimi tashmë ka bërë të veten.

Letërsia arbëreshe ka shumë krijues, poetë, shkrimtarë, intelektualë të njohur, jo vetëm në Itali e Shqipëri por kudo edhe në mërgatë.

Arbëreshët më të njohur në botën kulturore letrare e intelektuale shqiptare janë:

Lekë Matrënga (1567 – 1619), prift i ritit bizantin-ortodoks dhe shkrimtar, i cili shkuajti librin e parë të letërsisë shqipe-toskë.

Josif Nikollë Brankati (1675 – 1741), prift ortodoks dhe shkrimtar.

Gjergji Guxeta (1682 – 1756), Shërbëtori i Perëndisë, Apostull të arbëreshëve, që kaloi vetë në mbrojtje të ritit lindor dhe mbajti gjallë gjuhën e kulturën e të parëve ndër shqiptarët e Sicilisë.

Pal Maria Parrino (1710 – 1765), prift dhe dijetar, themelues i ideologjisë romantike iliro-shqiptare.

Jul Variboba (1727 – 1788), prift ortodoks dhe shkrimtar.

Nikolla Keta (1741 – 1803), prift ortodoks, poet, shkrimtar dhe teolog.

Jeronim De Rada (1814 – 1903), poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues i kulturës arbëreshe, ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shqiptarëve të Kalabrisë.

Anton Santori (1819 – 1894), prift ortodoks, poet dhe shkrimtar.

Dhimitër Kamarda (1821 – 1882), prift ortodoks, gjuhëtar, historian dhe filolog, i cili shkroi monumentin e parë sistematik shkencor të kulturës shqiptare.

Gavril Dara i Riu (1826 – 1885), poet dhe politikan, një nga shkrimtarët e parë të Rilindjes shqiptare.

Zef Serembe (1844 – 1901), poet.

Frangjishku Muzaka (1852 – 1931), nëpunës dhe diplomat, themelues i Lidhjes Kombëtare Shqiptare së Palermos, i cili bëri një kontribut të veçantë për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandorisë Turko-Osmane.

Zef Skiroi (1865 – 1925), poet, historian, gjuhëtar, gazetar, albanolog, atdhetar, studiues dhe profesor universiteti, ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, përfaqësuesi më i njohur i arbëreshevet të Sicilisë.

Dushko Vetmo (1914 – 1999), prift i ritit grek-ortodoks, shkrimtar dhe titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kozencës.

Domeniko Belushi (1918 – 1988), prift i ritit bizantin-ortodoks dhe poet, i njohur si “Vorea Ujko”.

Lluka Perone (1920 – 1984), poet, folklorist dhe shkrimtar.

Karmell Kandreva (1931 – 1982), shkrimtar.

Sotìr Ferrara (1937), peshkop bizantin i arbëreshëve të Sicilisë.

Jozef DioGuardi (1940), politikan, president i “Lidhjës Qytetare Shqiptaro-Amerikane”.

Paolo Petta (1942 – 1999), dijetar i ligjit kushtetues dhe historian.

Gavril Dara i Riu (1826 – 1885)

Lëvizja letrare arbëreshe, zanafillën e vet  e pati në ngulimet e shqiptarëve të Siçilisë, me studjues e letrarë të ndryshëm, si: Matrënga në shekullin e XVI, Brankati, Filja, Keta, Gavril Dara(plaku) dhe Andrea Plaku në shekullin e XVIII. Në kohën kur kjo lëvizje fitoi karakter të ri kombëtar u përfaqësua nga Gavril Dara(i riu), që vijoi traditën e nisur nga i ati dhe i gjyshi.

Lindi në Palac Adriano më 6 janar 1827. Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos. Po në këtë qytet ai kreu studimet e larta për drejtësi.

Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha që më tepër ishin intime. Shkëndia që i dha zjarr talentit të tij, ishin idetë liridashëse, ideali i bashkimit të Italisë dhe dëshira për ndryshime demokratike. Këto ide janë derdhur në vëllimin “Disa poezi”, shkruar në italisht, që doli në dritë në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848. Vëllimi është si një ditar i lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës, si fryma luftarake optimizmi dhe begatia e figuracionit. Vlerën artistike të vëllimite dëmtojnë karakteri abstrakt dhe retorizmi.

Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, “Palingenesi” (Përtëritja e jetës). Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Në çastet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje ishte një nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, më 1860.

Në të njëjtën kohë ai s’i ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan një poemë të gjatë italisht, po me subjekt shqiptar “Ana Maria”. Poema është shkruar në vargje njëmbëdhjetërrokësh, është e gjatë (1.300 vargje) dhe e ndarë në dy pjesë. Ka dy protagonistë: Bozdar Stresin, nipin e Skënderbeut, të cilit i kushtohet pjesa e parëdhe Ana Maria Kominiatën, mbesën e Donikës, gruas së Skënderbeut, së cilës i kushtohet pjesa e dytë, më e gjatë. Dara mishëron në këto dy personazhe idealin e burrit dhe të gruas shqiptare. Poema tingëllon si një himn për atdheun e të parëve. Këto personazhe i patëm gjetur edhe te De Rada, po ai i paraqet si heronj romantikë që kryejnë një faj tragjik dhe shkojnë për këtë drejt fundit tragjik, kuse Dara i ri thekson aspektin heroik të karakterit të tyre.

Në poemë spikatin për vlerën e tyre estetike pjesët lirike. Në vitet 1871-74 Darën e gjejmë në Romë ku drejton gazetën politike “La Reforma”(Reforma), që shpreh ide përparimtare të së majtës .

Më vonë, ndoshta i shtyrë nga pakënaqësia e përgjithshme e arbëreshëve për rezultatet e arritura për bashkimin e Italisë, Gavrili la gazetarinë dhe politikën.

Pikërisht në këto vite Dara shkruan italisht vjershën epistul “Të zezat tona”, ku jepet një tabllo rrëngjethese e gjendjes së vendit, e shtypjes dhe e mjerimit të dyfishuar që rëndonte mbi popullin. Ai e pikturon këtë tablo me epitete epitete dhe metafora nga më të vrazhdat, nga më të ashprat, që të kujtojnë penën e Dantes në përshkrimin e skenave të Ferrit. Vjersha demaskon me realizëm të mprehtë shtetin e ri borgjez, me mjerimin, taksat, gënjeshtrën dhe korrupsionin. Patosi mohues është tepër i fuqishëm, ndihet revolta e poetit demokrat. Tema politike trajtohet sërish në poemën “Djalli dhe Muza”. Vitet e fundit të jetës së Dara i Ri i kaloi në Xhirxhenti, ku punoi si avokat dhe u mor me arkeologji e me studime filozofike. Aty vdiq në nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur.

Ai e kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe duke kuptuar me mprehtësi rrezikun e synimeve të shovinistëve fqinjë si dhe të imperialistëve austriakë dhe italianë ndaj Shqipërisë. Ai ishte për një bashkëpunim të ballkanasve, kundër zgjedhës osmane.

Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, “Kënga e sprasme e Balës” është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.

Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqmisht. Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë , e ngriti në art këtë epokë, duke e bërë shprehëse të ideve patriotike, për t’i shërbyer sa më mirë tokës mëmë dhe vëllezërve të tij të përtejdetit.

Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …