David Phillips

David L. Phillips: Qasja malinje e Euroazisë në Ballkanin Perëndimor

Ndikimi i Rusisë dhe Kinës paraqesin kërcënim për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Gjithashtu paraqet sfidë të drejtpërdrejtë për interesat amerikane në Evropën Lindore, si dhe për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë bashkërisht për t’ua prerë këmbët fuqive euroaziatike malinje për ta përdorur Ballkanin si pikë mësymëse për projektimin e ndikimit të tyre tinëzar Rusia dhe Kina e përdorin Serbinë si mjet për ta shtuar fuqinë dhe ndikimin në Ballkanin Perëndimor. Veprimet e tyre nuk janë të motivuara nga afërsia e natyrshme për Serbinë, por nga antiamerikanizmi dhe mospëlqimi i vlerave liberale të Perëndimit. Liderët politikë të Kosovës duhet të jenë të vëmendshëm ndaj fuqive euroaziatike dhe të punojnë së bashku me SHBA-në dhe vendet evropiane për ta kundërshtuar ndikimin e tyre.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Vladimir Putini ndajnë solidaritet të fortë dhe interesa praktike. Rusia i shet armë Serbisë. Përveç Ambasadës në Beograd, ka edhe një bazë inteligjence në Nish për t’i monitoruar aktivitetet e NATO-s. Rusia e sheh Serbinë si mjet që me kalimin e kohës të ketë qasje në Detin Adriatik. Duke e marrë parasysh diplomacinë ndërkombëtare, Serbia përfiton nga vetoja e Moskës në Këshillin e Sigurisë në OKB për ta bllokuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe për të fituar ndikim në Perëndim.

Serbia dhe Rusia, që të dyja e kundërshtojnë rolin e Amerikës si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë-Serbi. Kufizimi i Washingtonit ndihmon në izolimin e Serbisë nga kërkesat perëndimore mbi korrupsionin, kleptokracinë, demokratizimin, të drejtat e pakicave dhe bashkekzistencën rajonale.

SHBA-ja mund ta kundërshtojë ndikimin e Rusisë përmes zgjerimit të bashkëpunimit të sigurisë me Kosovën. Hapat fillestarë përfshijnë rritjen e kapacitetit të forcave të armatosura të Kosovës me trajnime dhe pajisje për t’i përmbushur standardet e NATO-s. Kosova duhet të ketë një rrugë të shpejtë drejt Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s me një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO deri në vitin 2028. Çdo politikan i Kosovës e mbështet anëtarësimin në NATO. Po ashtu edhe shumica dërrmuese e kosovarëve, e matur me Barometrin e Sigurisë së Kosovës.

Për një kohë të shkurtër SHBA-ja dhe vendet evropiane duhet të hyjnë në marrëveshje bilaterale me Kosovën për siguri dhe mbrojtje. Qëndrimi duhet ta bëjë të qartë se misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) do të mbetet derisa Kosova është e anëtarësuar plotësisht në Aleancë. Tashmë rreth 3,500 trupa nga 27 vende ndodhen në Kosovë si pjesë e KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë ta mbrojnë Kosovën nga kërcënimi i paraqitur nga Serbia. Mund të ndjekë një hartë të bashkëpunimit të mbrojtjes me Kosovën, e ngjashme me marrëveshjet e SHBA-së me shtetet baltike ose një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë, të ngjashme me marrëveshjen e SHBA-së me Korenë e Jugut.

Për më tepër, qarqet perëndimore mund ta ndërtojnë kapacitetin e organizatave të sigurisë së Kosovës në luftën hibride dhe kibernetike, duke u mbështetur në ekspertizën dhe praktikat më të mira nga Baltiku. Kosova mund të jetë vatra e një qendre rajonale të përsosmërisë për mbrojtjen hibride.

Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se zyra ruse në Prishtinë është fole e spiunazhit. “Diplomatëve” rusë që sillen si agjentë të inteligjencës duhet t’u hiqet statusi dhe të dëbohen. Jo të gjitha vendet pajtohen me qasjen “e vrazhdë”. Për shembull, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e justifikon paqen, duke e përmendur rrezikun që Serbia ta kthejë kokën kah Rusia.

Rrjedhimisht, Macroni cenon një qëndrim të unifikuar perëndimor, llogarit në duart e Qeverisë joliberale të Serbisë dhe cenon forcat demokratike brenda Serbisë.

Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik për Rusinë. Megjithatë, ndikimi i saj rajonal po vaket. Mali i Zi u anëtarësua në NATO më 2017, ndjekur nga Maqedonia Veriore me gjithë kundërshtimet e Rusisë. Rumania ia bllokoi Rusisë dërgesat e armëve Serbisë në korrikun e vitit 2019. Në vitin e pastajmë, Serbia anuloi pjesëmarrjen e saj në manovrat ushtarake të “Vëllazërisë sllave” me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Megjithëse Serbia është monitoruese në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive, të prirë prej Rusisë, ka kryer 13 manovra ushtarake me NATO-n dhe vetëm katra me Rusinë më 2019. Rusia tkurri edhe më shumë marrëdhëniet duke transferuar gjashtë aeroplanë luftarakë MIG-29, pastaj me marrjen përsipër të faturës së riparimit prej 185 milionë dollarësh. Serbët u zemëruan kur doli një xhirim që tregonte një zyrtar të Inteligjencës së ushtrisë ruse (GRU) në Ambasadën e Rusisë në Beograd, duke e korruptuar një ish-zyrtar ushtarak serb.

Rusia në mënyrë cinike spikat precedentin e Kosovës për të justifikuar aneksimin rus të Krimesë më 2014. Beogradi po shqetësohet gjithnjë e më shumë se Moska mund të tregtojë përkrahjen në këmbim të tërheqjes së sanksioneve perëndimore që u imponuan pas aneksimit të Krimesë.

Dhe me vakjen e ndikimit të Rusisë, Kina po e zëvendëson ngadalë Rusinë si mbështetësja më e madhe e Serbisë. Marrëdhëniet Kinë-Serbi përkufizohen prej bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë.

Në gushtin e vitit 20120, Serbia u pajtua të blinte sistemin raketor kinez FK-3 në vend të sistemit rus, S-300. Serbia zgjodhi njashtu sistemin mobil të mbrojtjes ajrore të Francës, Mistral, para teknologjisë ruse.

Në vitin 2019, tregtia e Serbisë me Rusinë dhe Unionin Ekonomik Euroaziatik, të prirë prej Rusisë, përbënte vetëm tetë për qind të tregtisë së përgjithshme të Serbisë, me eksportet që arrinin 5.4 për qind dhe importet 9.4 për qind. Kina po del të jetë partnere më e mirë ekonomike. Serbia ka marrë 4 miliardë dollarë investime të drejtpërdrejta dhe rreth 5 miliardë dollarë hua dhe projekte infrastrukturore nga Kina.

Serbia fillimisht u mbështet në “Sputnikun”, vaksinën e Rusisë për COVID-19. Sot po thellon bashkëpunimin me Kinën gjatë reagimit ndaj pandemisë.

Ndikimi i Rusisë mund të vaket, por ende mund të nxisë aktivitete malinje. Kina është alternativë zori. “Ngritja e saj paqësore” është mit. Modeli i qeverisjes ruse frymëzohet prej autoritarizmit. Derisa modeli kinez frymëzohet prej diktaturës së ashpër kineze. Turqia është alternativa tjetër, por qeverisja e saj joshet prej irredentizmit islamik.

Ndikimi i Rusisë dhe Kinës paraqesin kërcënim për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Gjithashtu paraqet sfidë të drejtpërdrejtë për interesat amerikane në Evropën Lindore, si dhe për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë bashkërisht për t’ua prerë këmbët fuqive euroaziatike malinje për ta përdorur Ballkanin si pikë mësymëse për projektimin e ndikimit të tyre tinëzar.

(Autori është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia. Ka shërbyer si këshilltar i lartë dhe ekspert i lartë për marrëdhënie të jashtme në Departamentin amerikan të Shtetit gjatë administratave të Clintonit, Bushit dhe Obamas)

Kontrolloni gjithashtu

BDI; Përgënjeshtrim i deklaratave të Albin Kurtit mbi Gjuhën Shqipe, që inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe …