Organizata Save the Children me mbështetje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njoftuan sot për ndarjen e nën granteve për tridhjetë organizata vendore, të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale për grupet më të ndjeshme në Kosovë.Ndarja e nën-granteve për ofrimin e shërbimeve sociale është mundësuar në kuadër të projektit
“Fuqizimi i ofrimit të shërbimeve sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë si përgjigje ndaj
Covid-19”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Save the Children në
Kosovë, me mbështetjen e Save the Children në Suedi.
30 organizatat e mbështetura në raundin e parë do të ofrojnë shërbime direkte sociale për
vajzat, djemtë, gratë dhe burrat të cilët janë në gjendje të vështirë sociale . Këto organizata
njëkohësisht do të punojnë ngushtë me institucionet lokale, palët e tjera të interesit dhe
Qendrat për Punë Sociale për mbështetje sociale për grupet më të cënueshme. Nga kjo
mbështetje do përfitojnë më shumë se 3500 përfitues, ndër ta fëmijë me aftësi të kufizuara,
fëmijë të tjerë që jetojnë në situata të cënueshme, kujdestarë/anëtarë të familjeve të tyre, të
rriturit në nevojë, të moshuarit, viktima të dhunës dhe ofrues të shërbimeve nga 24 komuna
të Kosovës. Mbështetja e nën-granteve arrinë vlerën prej rreth 1.8 milion Euro.
Nga 30 organizatat e mbështetura në këtë raund, 10 nga to janë të përcaktuara në ofrimin e
shërbimeve rezidenciale me bazë në komunitet dhe të qëndrimit ditor; 6 nga to janë përcaktuar në
ofrimin e shërbimeve familjare me bazë në shtëpi për fëmijë dhe të rritur në nevojë dhe 14 janë
përcaktuar në ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës ndaj grave dhe/apo fëmijëve në familje
dhe trafikimit.
Në lansimin e nën-granteve të pranishëm ishin edhe Z. Ahmet Kryeziu – Drejtor Vendor i Save the
Children në Kosovë ku ndër tjerash theksoi rolin e zyrës së Save the Children në Kosovë drejt
përmirësimit të mirëqenies sociale për grupet më të cënuara në vend.“Përmes këtij projekti, ne jemi
zotuar bashkarisht që të fuqizojmë kapacitetet e organizatave jo-qeveritare lokale në përmirësimin e
cilësisë, disponueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve sociale lokale dhe atyre me bazë
në komunitet”.
I pranishëm në ngjarjen e lansimit të nën-granteve ishte edhe Z. Tomáš Szunyog – Shefi i Zyrës së
Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësues i Posaçëm, i cili theksoi rëndësinë e finalizimit të Ligjit
për Shërbimet Sociale dhe Familjare në mënyrë të sigurimit të qëndrueshmërisë së shërbimeve
sociale. “Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të finalizojnë Ligjin e ri të Shërbimeve
Sociale dhe Familjare, i cili do mundësojë qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve sociale, duke
dedikuar fonde të nevojshme si dhe të qartësojë kompetencat ndërmjet nivelit qendror dhe
komunal. Kjo do t’u mundësojë gjithashtu institucioneve publike si Qendrat për Punë Sociale në
zgjerimin e shërbimeve sociale për grupet e cenueshme dhe gjithashtu OJQ-të e licensuara do
kenë mundësi të specializohen në ofrimin e shërbimeve dhe të ngrisin kapacitetet e tyre ”.
Në anën tjetër, Z. Ilir Kapiti – Zëvendësministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve
ndër tjerash u shpreh: “Gjatë vitit 2020-2021 ofrimi i shërbimeve sociale dhe familjare nga ofruesit
publik dhe joqeveritar ishte i shoqëruar me vështirësi krahasuar me vitet paraprake. Sidoqoftë,
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes Departamentit të Politikave Sociale dhe
Familjare, është duke vazhduar procesin e licensimit të OJQ-ve në ofrimin e shërbimeve sociale
dhe familjare, ku deri më tani janë licensuar 50-të OJQ”.
Më shumë informata rreth projektit dhe aktiviteteve / shërbimeve të cilat do ofrohen nga organizatat
fituese të granteve mund të gjinden në sherbimetsociale.org – faqja zyrtare e cila u lansua në këtë
ngjarje.
Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni:
Liridona Osmanaj
Koordinatore per Avokim dhe Fushata
Telefon: +383 (0) 45 110 905
[email protected]