Ramazan Sherja

Ramazan Sherja: Madhështia e liderit të rremë

Deri tani shqiptarët nuk kanë arritur të nxjerrin liderin e tyre të vërtetë, apo burrin e shtetit që me kontributet e dhëna në shërbim të kombit dhe popullit të vet, të mbesë tribun dhe udhërrëfyes për brezat pasues. Mjaft vende të botës kanë lindur dhe kanë përjetësuar në historinë e kombeve të tyre madhështinë e liderëve të madhërishëm, prej të cilëve kanë përfituar edhe popujt e vendeve të tjerë në prosperitetin e tyre.

Ne shqiptarët të edukuar me frymën e një krenarie boshe dhe të një sedre kapriçoze, jemi munduar të krijomë madhështinë e një lideri të rremë nëpërmjet një euforie dhe entuziazmi të pabazuar në arritjet konkrete të vendit. Madhështia e rreme e liderit krijohet nëpërmjet duartrokitjeve zhurmuese, elozheve të pështira të servilëve, këngëve patetike me tekste mediokre, e lavdërimeve të pamerituara dhuruar atij pa kandar në sy, ose shfaqur nëpër ekrane e media komerciale. Edhe Sali Berisha ka krijuar një madhështi të rreme si një lider historik që ka luftuar për vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Por fakti që gjithë shqiptarët ankohen se në këtë vend nuk ka demokraci, atëherë si mund të bëhet fjalë për lider demokracie! Nuk është demokraci ajo që të jesh i lirë të llapësh ç’të duash dhe mos ta varë kush. Të kesh fituar lëvizjen e lirë nëpër botë dhe mos të kesh para për të kaluar as pragun e shtëpisë.

Të kesh demokraci në radhë të parë do të thotë të bësh zgjedhje të lira e të pakontestuara, të kesh mirëqenie për të gjithë, të zotërojë në gjithë sektorët e jetës konkurrenca e ndershme, ta thuash fjalën tënde kur duhet e të dëgjohet zëri, të disponosh ligjërisht pronën tënde dhe ta shfrytëzosh e menaxhosh atë sipas dëshirës tënde e rregullave të shtetit, të ketë barazi ligjore dhe drejtësi për të gjithë. Po cili lider apo udhëheqës shteti, i krijoi këto të drejta themelore të demokracisë tek ne të paktën për këta tridhjetë vitet e demokracisë? Ne shqiptarët kemi afro 80 vjet, që nga dita e Çlirimit që duartrokasim e brohorasim liderin e radhës me trastën bosh. Në takime e mbledhje, të çfarëdo tematike qofshin, në biseda ku marrin pjesë njerëz të veshur me pushtet, më shumë dëgjon elozhe e duartrokitje, se sa bëhen analiza konkrete, debate me bukë, ballafaqime për të gjetur rrugët për kapërcimin e gjendjes reale.

Dhe me këto gjendje “duartrokit e shko pas berihasë”, tanimë janë mësuar të gjithë dhe nuk mund të rrimë dot pa to, si drejtuesit e mbledhjes, ashtu edhe ata që mbushin sallat. Bëhen mbledhje në lagje, e qendra pune, bëhen protesta e mitingje, konferenca e kongrese dhe më shumë ka bujë, eufori, duartrokitje shurdhuese e pak ose aspak punë. Një model i një forumi euforik dhe të një krenarie boshe, ishte Kuvendi Kombëtar i PD që zhvilloi punimet para ca ditësh. Kuvendi u mblodh në një gjendje kaotike e tepër shqetësuese për gjithë PD, kur ajo shënonte humbjen e katër të radhës dhe kërkohej që secili anëtar i PD, që nga kryetari i saj deri tek më i thjeshti, në këtë forum të rëndësishëm, duhet t’i vinte gishtin kokës e të nxirrte konkluzione të sakta, pse PD është katandisur në atë gjendje. Por drejtuesit kryesorë dhe shumica e pjesëmarrësve në sallë, të mësuar me madhështinë e rreme të liderit, që gjithmonë humbjen e quan fitore, brohorisnin e duartrokisnin në ekstazë, sikur të ishin në mandatin e tretë të fitores dhe jo në mandatin e tretë të humbjes së thellë.

Kuvendin e mbyti zhurma e dështakëve, euforia boshe për t’i bërë qefin kryetarit, deklamimet euforike për punën e mirë të të deleguarve nëpër qarqe dhe gjithë fajin Kuvendi ia hodhi Edi Ramës, që “u vodhi zgjedhjet”! Të gjitha diskutimet që pamë dhe dëgjuam, i bënin elozhe kryetarit Basha dhe punës së “shkëlqyer” të drejtuesve politikë në qarqe dhe shoqëroheshin me duartrokitje të zgjatura, sikur me qenë në sallat e kongreseve të Enver Hoxhës. Në atë Kuvend nuk u duartrokit vetëm diskutimi i Mark Markut dhe i Fatbardh Kadillit, të cilët e vinin vënin gishtin realisht mbi plagët e hapura të PD. Por euforikët e mbështjellë me aurorën e madhështisë së rreme nuk mund të pranonin të tilla diskutime me bukë, që preknin liderin e PD dhe udhëheqësit e tjerë në thembrën e Akilit.

Akoma më qesharak ishte momenti kur në sallë hyri “dielli” Sali Berisha dhe kryetari Basha zbriti nga podiumi dhe e përqafoi përzemërsisht dhe salla brohoriste në ekstazë “Sali Berisha, Sali Berisha”! I kemi dëgjuar shpesh këto thirrje euforike edhe kur Sali Berisha digjte Shqipërinë dhe fuste vëllavrasjen midis Veriut dhe Jugut, përndiqte kundërshtarët e tij politikë dhe përligjte kanunin e Lekë Dukagjinit. Në 30 vjet demokraci, u krijua madhështia e rreme, u glorifikuan veprimet aventureske të Sali Berishës, u ngrit kulti i udhëheqësit karizmatik e i pagabueshëm edhe pse shkatërrimet, varfëria, djersa dhe gjaku i derdhur nga intelektualë bujarë dhe shqiptarë të ndershëm, bëjnë apel për të kundërtën, për ta ndëshkuar sa më ashpër njeriun e zi të tranzicionit të tejzgjatur. Është bajraktarizëm dhe narcizëm ekstrem këmbëngulja e Berishës, ku me një buzëqeshje vrastare, këmbëngul para gazetarëve dhe emisioneve televizive që “mezi po pret të shkojë në Parlamentin e ardhshëm”. Edhe kjo është një eufori e nxitur nga karrierizmi i tij patologjik dhe kostumi fallco që i kanë veshur ithtarët e tij dhe militantët e verbër. Nuk mund të quhet i suksesshëm vetëm se ke ditur të nënshtrosh një popull të tërë me forcën e pushtetit, as se të duartrokasin e brohorasin ca militantë fanatikë në mitingje, apo salla mbledhjesh pa bukë. Të duartrokasësh e t’i thurësh elozhe Sali Berishës tani, që bota e vërtetë demokratike brenda dhe jashtë e ka izoluar plotësisht, apo ta marrësh atë në mbrojtje në media, siç bën ndonjë analist, do të thotë ose ke fituar padrejtësisht prej Berishës, ose nuk do të kuptosh fazën ku ka hyrë demokracia në vendin tonë dhe të tallesh me të.

Emrin e liderit të vërtetë nuk ta japin turmat që të duartrokasin sa herë hap gojën, as ata që të ngrenë në krah në mitingje, as vetëkënaqësia e shkaktuar nga ndonjë triumf i çastit, por fakti nëse je korrekt me ligjin dhe rregullat e demokracisë, sa e ndjen detyrimin për t’u shërbyer të tjerëve në respekt të besimit që të kanë dhënë, sa kontribut ke dhënë e jep në dobi të popullit e vendit tënd. Shumica e drejtuesve, duke qenë mirë për veten dhe rrethin e tyre familjar, u pëlqen të mbajnë një gjendje apatike, të mos hapin telashe, e t’i mbajnë të fshehtat e hallet dhe shqetësimet që kanë të tjerët. Dhe nëse në raste të tilla ngrihesh e paraqet një shqetësim, drejtuesi ta mbyll gojën me kundërpërgjigjen kërcënuese: Po ti vetë ç’ke bërë? Na thuaj një herë përgjegjësinë tënde dhe pastaj flit për të tjerët! Si dje në diktaturë edhe sot në demokraci, njeriun parimor që ngre probleme dhe kërkon ndryshim të gjendjes, kërkojnë t’i mbyllin gojën e ta mënjanojnë, duke i nxjerrë lloj lloj yçklash dhe duke ia bërë rrugën drejt suksesit sa më të vështirë e të paarritshme. Në fillimet e demokracisë u zgjodha kryetar komune dhe duke parë atë entuziazëm që kishte shpërthyer në pritje të demokracisë si shpresë e madhe, kujtova se do të bëj mrekullira për popullin e varfër të zonës sime që më dhanë besimin.

Por pëdëistët ujqër, që kishin uzurpuar pushtetin në qendër dhe në rreth, përqendruan tërë kompetencat në duart e tyre dhe kërkuan t’i asfiksonin komunat, sidomos ato, ku kishin fituar socialistët. Në një mbledhjen që bëmë në rreth, si i deleguar ishte vetë Sekretari i Shtetit për pushtetin lokal dhe unë ngrita mjaft probleme që shqetësonin zonën time. Fillimisht ai përballë fakteve nisi të anashkalonte duke kërcënuar: “Po ti çfarë bën atje në komunë, kot je vënë? Zbato ligjet e mos u anko”. Pastaj, pasi nuk më nënshtruan dot në mbledhje të tilla burokratike, ku brohoritej për sukseset e PD, duke u njohur edhe me një sërë relacionesh të dërguara për probleme jetike të popullit të zonës, më thirri në zyrën e tij dhe ma tha shqip: “Ke bërë dhjetra relacione se “nuk bëhet shkollë, nuk ka shërbim shëndetësor, se nuk vjen polici në zonë, se janë shkatërruar e ka vjedhje kudo”. A je në vete ti? Ç’më duhet mua, nëse bëhet shkollë apo ka shërbim shëndetësor atje në komunën tënde. Unë dua që kur të pyes në mbledhje apo në takime, të më përgjigjesh se në popull nuk ka asnjë shqetësim. Të thuash se shkollat bëjnë mësim rregullisht, ka shërbim të mirë shëndetësor, populli i ka të gjitha e nuk i mungon asgjë. Jemi mirë të gjithë, se demokracia që solli Berisha na ka lumturuar, por do të punojmë të gjithë që të jemi edhe më mirë”. Unë që e kisha kuptuar demokracinë si liri dhe kontroll, që ka të drejta, por dhe detyrime, ika i zhgënjyer dhe nuk e dëgjova këshillën e fundit të funksionarit të lartë: Bëj ndonjë tender dhe shih hallet e tua, se nëse vazhdon po kështu ne të heqim fare, nuk duam t’ia dimë se të ka votuar populli. Dhe vërtet më hoqën pa plotësuar mandatin që më kishte dhënë populli. Punët e mëdha nuk bëhen me “urra” e brohoritje entuziaste, por me studime të mirëfillta, me plane serioze, me menaxhim efikas e kontroll të rreptë.

Sa emocione e lot shkaktoi në shumicën e tifozëve anembanë botës largimi i Lionel Messit nga skuadra ku i dha sukses për 16 vjet. Qau Messi, qanë tifozët, por qanë edhe gazetarët, sepse ata ishin lot të natyrshëm, lot shpirti. Ishte një madhështi që meritonte lot, sepse ngrihej mbi sukseset dhe thjeshtësinë e njeriut që dhuroi aq spektakle të bukura në skuadrën e Barcelonës për 16 vjet me radhë. Deri këtu madhështia rrezaton dinjitet, vlerësim, njerëzillëk. Por ama, nuk ka asnjë arsye që peceta me të cilën Messi fshiu lotët e ndarjes, të nxirret në ankand me një vlerë prej 1 milon dollarësh. Kjo e venit madhështinë dhe e kthen gjithë kontributin dhe vlerat e këtij sportisti të madh në komercializëm. Përbuzëse që t’i vihet një vlerë 1 milon dollarëshe, një copë shamie hundësh. Kështu prishet madhështia e suksesit. Se ka një fund me nder, kur largohesh në kulmin e suksesit me krenari, mes admirimit dhe respektimit të shumicës, siç qe fundi i Lionel Messit, por ka edhe fund të turpshëm, kur del nga skena politike si dështak e me mijëra mallkime mbi shpinë si Sali Berisha.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …