Serbët orgjizojnë ne Veriun e vendit tonë si për inat të Xhelal trimit, ministrit të Brendshëm të Albin Kurtit, i cili inatin e tij e nxjerrë në shesh me kundërshtarët politikë, por nuk ia mbanë me serbët përtej Ibrit, sepse a ka hangër një herë dhe nuk e ha më. Derisa tërfëllen si derr i kënaqur, Bora Çorba dhe i këndon leshrave të pista e të ngordhura të lugetërve serbë, Xhelali rri urtë e butë, sepse e di hallin e vet, ashtu sikur edhe trimëresha “Moza”, e cila e ka thënë hapur, më mirë paguajmë 20 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga serbët në veri, sesa të bëhemi si Hashim Thaçi, ta dërgojnë policinë e të na i vrasin serbët. Punë e paçme dhe e mençur nga një politikane e regjur e Kosovës dhe e Gjakovës.
Xhelalit nuk po i ndihet zëri.
Trimat e vetëvendosjes që të marrin gjak në vetull, që dikur rrëzonin kamionët me mallra që hynin nga Serbia, në Kosovë, trimat që i fusnin zjarr Kuvendit të Kosovës, trimat që tymosnin Kuvendin nga brenda me gaz lotsjellës, trimat që më në fund e morën pushtetin, tani janë shushatur. Duket se janë ngopur me trimëri, por nuk janë ngopur me arrogancë, me të cilën ushqehen në çdo racion politik, ditor.
Derisa serbët ne Veri vendosin gurë-themelin për Universitetit serb të Prishtinës, Qeveria tregohet shumë e matur në reagime zyrtare, sepse mund të keqkuptohet, sepse mund të krijohet bindja se nuk e do arsimin, sepse nuk do të veprojë si Serbia dikur kundër shkollave dhe fakulteteve të Kosovës, në gjuhën shqipe.
Tekefundit çka prish punë një Universitet serb në Veri edhe nëse quhet Universiteti serb i Prishtinës, është me rëndësi të mos themelohet në Prishtinë, në veri, nuk ka pse ndalohet, atje sundon Beogradi, këtë e dinë të gjithë, por ja që “namuzi politik” e politikanëve më trima që ka Kosova dhe Albin Kurti nuk ua lejon ta pranojnë realitetin apo të reagojnë, në kohën ku ka rifilluar dialogu me Serbinë, sepse Ndodh që Vuqeja të hidhërohet dhe ta akuzojë Kurtin se nuk po u lejnon universitet serbëve.
Nuk thonë kot për Albinin se është rrush me mend.
Në sprova të tilla dëshmohet maturia, vetëpërmbajtja, diplomacia e urtë dhe e butë. Ka ku lufton Albini dhe albinët, dhe, nuk iu hyn asnjë therë në këmbë. Në vend se ta luftojnë Vuçiqin, ata i turren Edi Ramës, duke e quajtur “vëlla të Vuçiqit”, në vend se ta akuzojë Serbinë pse nuk merr leje kur vendos të orgjizojë me këngë e me të shara kundër shqiptarëve, ai lufton Bregoviqin dhe Korçën, sepse ka shumë më të lehtë me Ramën sesa me Vuqen.
Në vend se të organizojë e të mbajë zgjedhje në veri të vendit, ai mban zgjedhje me argatët e tij, në Tiranë dhe kur humb, sikur humbi dhe do të humb për gjithmonë, zgjedhjet në Shqipëri i shpall të manipuluara. Dhe vërtetë dalin të kenë qenë të manipuluara, sepse vetëm dy treqind veta ia votuan sejmenët në Tiranë, Çushbashit të zgjedhur nga Albini.
Serbët ne veri janë qytetarët më të privilegjuar të Evropës. Ata kanë dy shtete, Serbinë e cila i udhëzon dhe i mbështet dhe Kosovën, të cilën nuk e njohin si shtet por zhvasin për aq sa duan. Mjafton të kërcënohen, apo të paraqiten si të kërcënuar dhe i fitojnë të gjitha.
Qeveria ka hallet e veta, sidomos tani me përhapjen rapide të pandemisë. Ka hallet e bezdisshme si të fitojë në zgjedhjet e ardhme vendore, të paktën mos të koritet me fitore në dy tri komuna, por të marrë më shumë, edhe pse me emrat që ka paraqitur për kandidatë, ka gjasa të kthehet krejt duarthatë, ashtu si gjithnjë, sepse Vetëvendosja nuk fiton dot në zgjedhjet lokale, mjafton që për 15 vjet me ndihmën e gjysmës shkizmatike të LDK-së së përçarë, i fitoi zgjedhjet e përgjithshme. Kjo nuk është pak.
Trimat si Sveçla, Konjufca, Abazi, Moza, Albulena, Bahtiri e shumë të tjerë, kanë ku e tregojnë trimërinë dhe maturinë, por nuk ua mbanë me Serbinë, të paktën jo konkretisht, realisht, por mjaftohen edhe virtualisht.