Koncerti i këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviq, në Korçë, u shoqërua me incidente. Në natën e fundit të festimeve në Festën e Birrës në Korçë, eveniment që organizohet çdo vit, u ngjit në skenë Bregoviç, me këngën “Kosovarja” në gjuhën shqipe. Por ky gjest i tij nuk e ndali turmën. Persona ende të paidentifikuar hodhën gazlotsjellës në mes të njerëzve ku kishte gra, fëmijë të moshuar dhe burra. Të gjithë nisën të largoheshin nga koncerti me sy të përlotur ndërkohë që mësohet se një prej qytetarëve ka përfunduar në spital pasi ka pasur komplikime me frymëmarrjen. Korça ishte e blinduar, 200 forca policie të reparteve të ndryshme ku nuk përjashtoheshin as “Shqiponjat” dhe FNSH-të, rrethuan të gjithë hyrje-daljet e qytetit, po kjo nuk i ndaloi një grup të rinjsh që të futeshin në koncertin me biletën 1 mijë lekëshe të reja dhe me gaz lotsjellës me vete.
Policia bëri me dije se janë shoqëruar tetë persona në komisiariat.
Fill pas sulmit, Tifozët Kuqezi që paralajmëruan për incidente bënë një reagim ku nënkuptuan se merrnin përsipër autorësinë e këtij sulmi. Ende nuk është e konfirmuar nëse ky grup qëndron pas hedhjes së gazit lotsjellësh. Pavarësisht incidentit, koncerti vijoi me muzikë dhe Bregoviç nuk zbriti nga skena. Qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe artistë të shumtë bënë thirrje për bojkot dhe kërkuan që të mos ftohej këngëtari serb në Korçë, mirëpo nuk ia arritën qëllimit. (Dita)