Bedri Islami

Bedri Islami: Në Shtator, Ilir Meta duhet të miratojë qeverinë e re të socialistëve, edhe pse ishte betuar se nuk do të mandatonte kurrë

Në shtator,  kryetari, Ilir Meta do të jetë para një zgjedhje të vështirë: do të duhet të miratojë qeverinë e re të shumicës socialiste dhe shefin e saj, Edi Rama, kryeministër. Nëse para disa muajve mund të jetë menduar se ai do të kthejë prapa listën e paraqitur dhe nuk do të mandatojë Edi Ramën, tani kjo dilemë ka rënë.

Ai do e bëjë këtë patjetër, natyrisht jashtë dëshirës së tij, duke synuar të zgjasë një proces që nuk do të mund të zgjatet, duke u kacavjerrur pas çdo neni a germe të Kushtetutës, por, në fund, me hir e me pahir, do e bëjë. Ilir Meta është i mundur, më rëndë se asnjëherë tjetër dhe ka para vetes një shembull që mund ta ndjekë së shpejti: shpalljen e tij “non grata” nga Departamenti i Shtetit, vendim që nuk do të çudisë askënd dhe që është pritur shumë më herët se ajo që i ndodhi Berishës dhe familjes së tij.

Për Sali Berishën ishte një grup i caktuar njerëzish, të lidhur me opozitën apo thjeshtë me figurën e tij, të cilët u revoltuan, janë të gatshëm të protestojnë, ta mbështetin edhe më tej në çdo veprim që mund të ketë planifikuar, të financojnë fshehtas fushatën e tij, qofshin edhe jashtë Shqipërisë, megjithëse e dinë se është një çështje e humbur.

Për Ilir Metën pikëllimi do të jetë veç i familjes dhe stafit të tij, i atyre pak njerëzve që janë gati të zihen me këdo dhe kurdoherë, për të mbrojtur një çështje që e dinë se nuk është e drejtë. Do të mund të jeni një grup njerëzish, “vasilësh”. Megjithëse, në këtë rast, nuk ka çështje.

Ilir Meta do e mandatojë shefin e qeverisë Rama për krijimin e qeverisë. Do të jetë i pari president i vendit që, i shkarkuar nga shumica, do të nënshkruajë qeverisjen e atyre që e shkarkuan.

Ironia e politikës është e papërballueshme.

Edi Rama është i sigurt në mandatin e tij. 74 deputetë të vijës së parë dhe, tre të tjerë në vijën e dytë, i japin atij sigurinë e një qeverisje normale, të qetë, dhe, si duket, kësaj here duke shmangur përplasjet politike. Ai po e lë ujët e opozitës të rrjedhë nga të dojë, pa pasur frikë se mund të laget.

Edi Rama do të shkojë në presidencë, ashtu si ka shkuar edhe dy herë të tjera, dhe, si duket, edhe me bekimin e ndërkombëtarëve – tani ky bekim u rrit në raport të drejtë me pritjen e afganëve në Shqipëri; e kështu do të nisë qeverisjen e vitit të nëntë. Pa e përfillur njeriun që desh e dërgoi për skrap, së bashku me partinë e familjes së tij , mospërfillja do të jetë krejt e hapur, aq sa ia lejon pushteti thuaj absolut që ka krijuar nga budallallëku i shefit të opozitës, i bindur se është i përkëdheluri i ndërkombëtarëve, në fakt është në pikën më të lartë të kuotave të tij dhe, duhet thënë, jo për meritën e tij.

Pak ditë para 25 prillit, ditën që e mendoi si triumf , por që i përfundoi si funeral, Meta kishte deklaruar se, në rast humbje, ai do të ishte shefi i ardhshëm i opozitës. Zgjedhjet që i njohu në mbrëmje dhe i mallkoi mëngjesin e nesërm, tani janë ligjëruar. Askush nuk i zhbën dot më. As ai vetë. Çdo skenar i menduar, tani është i pavlerë.

Mes dy rrugëve, shkarkimin e tij nga posti, dhe tjetrës, drejtimit të opozitës, ai do të synojë të dytën. Aleati i tij më i hapur dhe mbështetës është Berisha. Zakonisht të rrezikuarit bëhen bashkë kur u vjen theqafja. Berisha është i interesuar të ketë një opozitë të vetme, ku drejtues të jetë Ilir Meta, megjithëse nuk del dot hapur. Sidomos tani. Projekti i tij u ndërpre nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por kjo nuk do të thotë se ai ka hequr dorë. Zërat medialë pranë familjes së tij dhe “të revoltuarit” pranë kampit opozitar janë zërat e parë të asaj që do të vijë. Kushdo që mendon se Berisha nuk do i shkojë deri në fund agresivitetit të tij politik, është i gabuar. Fronti që ka hapur në Paris, përmes avokatit të tij, është ajo që duket.

Pjesa tjetër do të jetë pas mbledhjes së Parlamentit. Tani për tani, ai ndjehet i mposhtur, por jo i mundur. Të vetmen zgjidhje të momentit ai do të mund ta gjejë në daljen e tij si deputet i pavarur, duke krijuar alibinë se kjo është lufta e tij vetjake dhe, si zgjidhje të momentit të fundit, nuk do të përfshijë në të edhe opozitën.

Njeriu që e ndjen veten në gjendje nokdauni është Basha. Deklarata e tij pas shpalljes së Berishës si personi minues i demokracisë ishte as mish e as peshk. Më tepër një mbrojtje e gatshme për tu tërhequr, nëse veshi i tij do të këputet nga duart e zgjatura përtej Atlantikut.

Ai tashmë ndodhet në gjendjen më enigmë të këtyre kohëve. Ndoshta më të vështirën. Çfarë do të bëjë me Berishën? Si do të jetë marrëdhënia e tij me Ilir Metën dhe pjesën katërshe të opozitës lësëiste, që nuk arrin të bëhet dot grup parlamentar? Do të huazojë ai një grup deputetësh ndaj aleatit të djeshëm, që në parlament të jenë dy grupe parlamentare të opozitës? Enigmë ishte largimi i tij nga parlamenti, enigmë përse dogji mandatet, enigmë përse nuk u fut në zgjedhjet vendore, enigmë përse kërcënoi me dhunë dhe forcë, enigmë përse u tërhoq, enigmë se çfarë po ndodh mes tij dhe zotit Berisha.

Largimi i Berishës nga grupi parlamentar forcon krahun radikal brenda opozitës dhe i krijon hapësirë Ilir Metës të synojë marrjen e opozitës si kapoja i saj. E largon nga mendimi politik perëndimor dhe i ngushton hapësirat. Meta është në gjurmimin e çdo lëvizje të tij dhe, sa herë që Basha të lëkundet, aq më tepër forcohet vetë ai. Është si puna e dinozaurëve, lëkunden, deri sa të bien, por në të rënë e kanë rrezikun më të madh.

A është ky fillimi i një lëvizje, që ka pas vetes shumë mëri të vjetra politike dhe një shenjë për afrim drejt kundërshtarit të përhershëm politik? E lehtë të mendohet, por thuajse e pamundur të realizohet. Koalicioni i madh është fatal për Bashën, por lehtësues për Ilir Metën.

Katër vite më parë, e gjithë lëvizja politike e Bashës në zgjedhjet politike, ishte dërrmimi i Ilir Metës dhe i LSI-së. Të gjitha lëvizjet e tij të çonin drejt shkatërrimit të lësëistëve, ndoshta edhe i joshur nga premtimi i heshtur i Ramës për bashkëqeverisje. Tani është Meta që do të synojë shkatërrimin e një trupe drejtuese të pëdëistëve. Do e bëjë këtë në emër të bashkimit të opozitës, për të shkatërruar gjoja Edi  Ramën, dhe në fakt për të shpëtuar veten.

Aleanca e tashme, e pritur prapsht edhe nga baza e PD-së, ishte më shumë një lëvizje e detyruar nga Berisha, që shihte tek Meta njeriun që kishte hak për të marrë ndaj Ramës, i cili e dërgoi në presidencë, por që fillimisht e la jashtë qeverisë, ku LSI-ja kishte gjetur vendin e ngrohtë të pushtetit dhe , më 25 prill thuaj se i mbylli edhe dyert e parlamentit..

Katër  vite pas është tashmë Ilir Meta që bën lëvizjen e tij. Ai ndodhet në mes të Ramës dhe Bashës, duke synuar largimin e të dytit dhe për të qenë edhe një herë i domosdoshmi në skakierën e politikës. Jashtë saj ai nuk është asgjë. Do të jetë i dënuari i pashpallur, por i ditur.

Basha nuk mund të heqë dorë nga kushti i tij i parë dhe kryesor,  sikur është largimi i Edi Ramës.

Por nuk do të dorëzojë selinë e shqup-it politik, ndaj shpejtoi dhe bëri të gjitha lëvizjet e pas 25 prillit, jo për frikën e rivalëve të tij, por për të mbyllur rrugën që kalon nga presidenca drejt zyrës së tij.mDo të tërhiqet tani ai nga kushti kryesor, largimi i Ramës? E pamundur. Tërheqja do të thotë se e gjithë alibia e tij ishte e kotë, e rreme dhe se çdo lloj justifikimi nuk e sillte më atë në vetën e parë njëjës si drejtues politik.

Rënia e kësaj alibie do të hidhte në erë çdo gjë e luftuar deri tani, deri edhe përgjimet e publikuara në Bild, edhe protestat, edhe dhunën në qendrat zgjedhore, edhe molotovët, edhe masakrën elektorale, që do të jetë flamuri i tij i betejës. Do e bëjë në parlament, duke parë nga presidenca. Meta do të ndjekë lëvizjet e tij për ta spostuar dhe hequr krejt nga opozita. Njëri ose tjetri janë afër fundit të tyre politik.

Të dy bashkë nuk qëndrojnë dot, e as krah njëri-tjetrit. Gjithë secili ka frikën e tij për të ardhmen, deri sa listat e personave  “non grata“ ende nuk janë shpallur. Të gjithë dyshojnë për vete dhe për njëri-tjetrin. Luten të shpëtojnë vetë dhe të jetë tjetri në fatalitetin e tyre politikë.

Basha, duke e pranuar Edi Ramën si kryeministër të zgjedhur përmes votës  do i duhet të pranojë se karriera e tij merr fund dhe se e ardhmja e tij do të jetë në fushënajat holandeze ose në ndonjë shërbim tjetër, ku ka lidhje të hershme. Heshtja e tij do të thotë se ai, më mirë se askush tjetër, e di se është mes dy zjarreve: synimit presidencial dhe çështjes së nxehtë Berisha. Rama e ka lënë në “zjarrin” e tij.

Ai ka vetëm një shpresë dhe një mundësi.

Të heshtë, të mos prononcohet. Të nxjerrë të tjer,ë që nesër i heq pa të keq dhe vetë të jetë i pakuptueshëm. Të pranojë në heshtje dhe të kundërshtojë në heshtje. Për ata që janë rreth tij, partitë satelite pa anëtar, nuk ia vlen të flasim. (Dita(

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …