Pashk Quni: PLAGË E VRRAGË

Pashk Quni: PLAGË E VRRAGË

Kurrë nuk do të harrohet fytyra e frikës, lumturia e humbur, bombat, breshëritë e as nuk do të harrohen lotët në sytë e fëmijëve, por nuk do të harrohet as fytyra e armikut ! 

Për këtë arsye, pushoni në paqe, pushoni në lirinë e amshuar të trojeve ilire, o bijtë e shqipes, luftëtarë trima të rënë për liri, që jeni të gjallë në zemrat tona e që jetoni me ne. 

Nënë, nuk do të kthehen të gjithë vëllezërit dhe miqtë tanë, ata të cilët shpirtin që ua dhuroi Zoti e dhanë për atdhe dhe shtatin që e rritën në Kosovë e flijuan për këtë tokë.

Nënë, mos më qorto, birin tënd, të vetmin që të mbeti, nëse sonte e pi një gotë vërë për  shpirtrat  e vëllezërve dhe për shpirtrat e të gjithë  trimave të  tjerë që ranë për atdhe, nëse unë i ngre  dolli trimërisë së tyre, sepse shpirtin e kam  plot me plagë dhe trupin plot me  vrragë që nuk shërohen dhe nuk  harrohen.
Kujtimet janë plot dhembje, therin, djegin, copëtojnë e çjerrin, njëjtë sikur plagët kurë gjakojnë. Vrragët që i kam në trup nuk më lejojnë që të harroj.

Kujtimet janë plagë të shpirtit që nuk kanë shërim, e që gjakojnë përherë.

Plagët  dhe vrragët  e shpirtit sonte le të m’i shërojë rakia.
“O luftëtarë, o trima të rënë për atdhe, Ju jeni këtu, jeni me ne, jeni  në ëndrrat tona që janë të gjalla, ju ato i bëtë të vërteta, ëndrra  që të parët  tanë i ëndërruan prej shekujsh, pushoni  në paqe, pushoni  në lirinë e amshuar të trojeve të Arbrit”!   

Le të këndojë sonte  dhe përherë e tërë Iliria, këngë himni  për shpirtrat e atyre që më  nuk janë me ne, le t’ ju këndojë me refren në çdo strofë: Ju faleminderit përgjithmonë!  Ju faleminderit deri në amshim!
Ju faleminderit, e të mos harrojmë, se bijtë e shqipes nuk vdesin kurrë, vdekja nuk  është për ta,  por fluturojnë në  lartësitë hyjnore  të përjetësisë me krahët e bardhë të lirisë.     

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …