Letër nga vajza, Maj 2000
Babi im i dashur!
Në këtë periudhë shumë të gjatë dhe të rëndë pa ty, ndjehemi si familja më e varfër dhe më e mjerë në rruzullin tokësor, sepse na mungon Ti – drita e dashurisë dhe kujdesit prindor, me të cilin na ke mësuar dhe edukuar në jetë.
Por ndjehemi edhe si njëra nga familjet shpirtërisht më të pasura, sepse të kemi Ty, thesarin e botës, që dergjesh i burgosur i ndërgjegjes.
Babi, ne jemi me ty dhe të ruajmë me lutjet tona fëmijërore, me mallin dhe me dashurinë tonë.
Babi im, ti nuk je me ne që të na ledhatosh e të na përqafosh, por edhe pse na ndajnë largësi të mëdha, edhe pse na ndajnë fusha dhe male, edhe pse na ndajnë ushtri e kufij, ti je me ne, me mua, me motrat që po rriten si lulet, me nënën dhe me gjyshen malësore që po kujdesen për ne, e që po mundohen që të mos e ndjejmë mungesën tënde. Nëna është e fortë si shkëmbi. Ajo na jep zemër ne dhe gjyshes. Nëna përherë na thotë: “Babi do vijë e do qëndroi gjithherë me ne”.
Gjyshja, edhe pse e kërrusur nga pesha e moteve të saja, po mbahet e fortë dhe mjaft mirë. Ajo krenohet shumë me ty dhe na thotë se duhet të jemi gjithashtu krenare me babin tonë, njëjtë sikurse krenohet ajo me birin e saj.
Motra e vogël, Miranda, ka filluar ta kuptojë se ku gjendesh e që ti vuan për ne. Ajo çdo ditë kujdeset për lulet që do t’i dhurojë kur të lirohesh ( po i ujit kohë e pa kohë).
I dashur babi, ne jemi mirë, asgjë nuk na mungon, përveç teje. Për ne po kujdesen xhaxhallarët dhe të gjithë të afërmit.
Axha Agim është kthyer nga Zvicra, është kthyer së bashku me Luzin. Ata janë kthyer burrërisht, ashtu siç u ka hije burrave, me ballin lartë.*
Agimi tash është përherë me ne, ai është engjëlli ynë i mbrojtjes. Na i plotëson të gjitha dëshirat, madje edhe nëse ndonjëherë e teprojmë me kërkesat dhe çapkënëritë tona fëmijërore.
Babi, ne jemi duke i vijuar mësimet. Shkolla ka shpëtuar, nuk është djegur dhe nuk është dëmtuar nga lufta, sikur të kam shkruar edhe më parë, madje tash edhe e kanë rregulluar dhe duket si të ishte e re fare! Këtë po ta them që të gëzohesh, duke e ditur se si mësues që je, sa e do shkollën.
Babi, ne kemi një det të tërë me dëshira e ëndrra që i shohim syhapur sesi e sa të gëzuara do të jemi kur Ti të na kthehesh, e që edhe ne do të jetojmë shumë të lumtur, do të jemi familja më e lumtur e botës, sepse do të kemi Ty dhe të gjitha ato që nuk i patëm deri me tash.
Do të përjetësohen ëndrrat tona!
Babi, natën e mirë, ne të ruajmë me ëndrrat tona dhe lutemi për ty dhe për të gjithë shokët tu atje!
Të përqafoj me mallë, për së largu. Rozalina ( Qupa e babit)!
*(-Në këtë letër dhe në shumë letra të tjera vajza shkruante shumë qartë, por me shumë kujdes që të lexohet mes rreshtash e që të tjerët të mos e kuptojnë thelbin- si p.sh. Ata janë kthyer burrërisht, ashtu siç u ka hije burrave, me ballin lartë; ose, Sepse do të kemi ty dhe të gjitha ato që nuk i patëm deri me tash, d.m.th. lirinë ).
P. S. (Vëllai im Agim ( Prenk) Quni dhe kushëriri Luz (Alfred) Quni ishin kthyer nga Zvicra në luftë dhe kanë qenë luftëtarë në Betejën e Koshares ).