Dëshmori i kombit, Shemsi Istrefi, rrjedh nga një familje që kishte zbritur nga bjeshkët e Kovaçicës, në qytetin e Vushtrrisë. Kjo familje ishte e njohur për trimëri dhe çdo herë i qëndroi përballë regjimit okupator.
Rrugën e të parëve e vazhdoi edhe Istrefi, ndonëse në moshë të re ai u dallua si ushtar shembullor në radhët e UÇK-së.
Gjyshi i Shemsiut, Murseli, ishte nip i Hys Popovës dhe bashkëluftëtar i Ahmet Selacit dhe Shaban Polluzhës. Atij asnjëherë nuk iu ndanë vuajtjet, të këqijat dhe maltretimet të cilat e përcollën edhe të birin, Xhaferin, dhe tërë familjen deri me daljen publike të UÇK-së. Gjyshi i dëshmorit, Murseli, me bashkëluftëtarët e tij të udhëhequr nga Ahmet Selaci ishin mburojë e hekurt e kufirit Kosovë – Serbi, në fshatrat e Shalës së Bajgorës: në Bistricë, Ceceli, Koshtovë e deri në Bërqan.Të njëjtën rrugë e vazhdon edhe i biri i Murselit, Xhaferi, babai i dëshmorit të kombit, i cili qysh nga viti 1981 ishte në shënjestër të UDB-së jugosllave, meqë ka qenë pjesmarrës i demonstratave të vitit 1981. Në vitin 1986, bashkë me një grup shokësh organizon ndëprerjen e prodhimit në Minierën e “Trepçës” duke shkruar dhe shpërndarë pamflete në të gjitha horizontet e minierës. Më pas policia filloi arrestimin e organizatorëve. Në krye të këtij shërbimi ishte shqipfolësi, Hajdin Tahiri, si dhe komandanti i policisë në Trepçë, Fahri Visha. Në vitin 1988 – 1989, në Trepçë u organizuan demonstrata dhe greva kundër regjimit. Në mesin e organizatorëve ishte edhe Xhaferi. Ai ishte në mesin e minatorëve, të cilët qenë ngujuar për disa ditë në horizontet e Minierës, pas të cilës qe suspenduar nga puna dhe qe arrestuar nga policia jugosllave. Pas një kohe kthehet në punë, por ai bashkë me shumë shokë qe dënuar me burg deri një vit burg. Pikërisht në ditën kur qe ftuar të shkonte në vuajtje të dënimit, përjeton infarkt, si pasojë e torturave të shkaktuar nga policia si dhe për shkak se fëmijët ia përjashtojnë nga shkolla.
Edhe pse të gjithë djemtë e Xhaferit ishin të edukuar në frymën patriotike, Shemsiu ishte më i dalluari nga ta. Ai u lind më 20 gusht 1977. Si fëmijë ishte i urtë, i dëgjueshëm dhe mjaft inteligjent.
Shkollimin fillor e mbaroi në shkollën fillore “Zija Prishtina”, kurse të mesmen në shkollën “Muharrem Bekteshi”, dega e elektroteknikës në Vushtrri. Ishte nxënës shembullor dhe lexonte shumë, por më shumë i pëlqenin disa libra me përmbajtje historike, të cilat nuk gjendeshin nëpër bibliotekat e shkollave, por ato siguroheshin në rrugë ilegale për atë kohë.
Ai në rininë e tij të hershme filloi të mendonte dhe të merakosej për fatin e popullit dhe pa drejtësitë që i bëheshin. Kishte pasur rast të përjetonte edhe padrejtësitë që i bëheshin familjes së tij.
Lëvizjet çlirimtare kishin filluar të rritnin aktivitetet dhe ai gjendej kudo në ballë të protestave dhe demonstratave që organizoheshin kundër okupatorit shekullor. Edhe pse i ri, herët e kuptoi se gjendjen në të cilën ndodhej Kosova mund ta rregullonte vetëm pushka. Këtë e bisedonte shpesh me familjen dhe shokët e tij.
Me të filluar lufta në Drenicë, Shemsiu nuk ngurroi dhe një ditë tregoi në familje se dëshiron të bëhet ushtar i lirisë. Nuk vonoi dhe u nis drejt majave të larta të Shalës së Bajgorës, ku kishin filluar përgatitjet e djemve të lirisë të kësaj ane.
Komandantët në fillim i thanë se nuk kishin armë të mjaftueshme dhe dukej ende i ri për ta marrë armën. Por ai nguli këmbë. Atyre u tha se armët do t’i siguronte dhe nuk dëshironte të kthehej prapa. Kështu, me 15 korrik të vitit 1998, veshi uniformën e UÇK-së, të cilën e kishte ëndërruar ato ditë. Fillimisht u angazhua në Batalionin IV të “Brigadës 141 të Zonës Operative të Shalës.
Pas një kohe ofensivat e armikut shtoheshin dhe Shemsiu në mësimet e artit luftarak përparonte gjithnjë e më shumë. Ndërkohë u paraqit nevoja e formimit të Njësitit të Tretë të Njësisë Speciale në kuadër të Brigadës 141 “Mehë Uka”, në të cilin njësit ishin të zgjedhur djemtë më të aftë dhe më të shkathtë në artin e luftës. Bashkë me Shemsiun në këtë njësit ishin edhe Tahir Isufi, Latif Hyseni, Ali Berisha, Fehmi Preteni, Hazir Januzi, Basri Zeneli, Mursel Xhemali, Hamdi Hasani, Naim Ferati, Naim Gashi, Zymer Hyseni, Ramadan Tahiri, Bajram Musa, Qerim Hetemi, Afrim Imeri, Sejfi Mustafa, Imer Fejzullahu, Besim Istrefi dhe Halil Strana.
Në çdo aksion luftarak, Shemsiu paraqitej vullnetar, thotë bashkëluftëtari, Hamdi Hasani. Ai kujton momentin kur një ditë Shemsiu, derisa po bisedonte për luftën, thotë se, që kur kishte krisur pushka e parë e lirisë, nuk kishte mundur të qetësohej, derisa kishte veshur uniformën e UÇK-së. “Po të mos të bëhesha ushtar i lirisë këtë nuk do tia falja vetes kurrë” – ishte shprehur ai.
Njësiti ku bënte pjesë Shemsiu ishte çdo herë në vijat e para të frontit. Trimat e lirisë morën pjesë në shumë beteja të suksesshme, si në Kutllovc, Sumë, Trepçë, Rahovë. Ata shkonin nga një vend në tjetrin, e shpesh shkonin në ndihmë edhe të Brigadën 142. Në të gjitha luftimet që zhvilloheshin, Shemsiu dallohej. Më tepër se një muaj u zhvilluan luftime përreth “Shkëmbit të Majdanit” në Melenicë, atje ku tani quhet “Shkëmbi i Lirisë”. Luftohej pa ndalur, por trimat e lirisë nuk lëkundeshin nga aty për as një çmim.
Luftë pas lufte erdhi edhe 26 prilli i vitit 1999, kur u zhvillua një luftë e ashpër, në të cilën ranë shumë trima të lirisë. Kërkohej ndihmë, ngase shkëmbi nuk lejohej të binte. Aty shkoi edhe Shemsi Istrefi, bashkë me Enver Musën. Aty u takuan edhe me dy luftëtarë të lirisë të plagosur. Njëri nga ta ishte Ismail Istrefi, djali i xhaxhait të tij, i cili ia dha gjoksoren, sepse duhej të shkonte për shërim. Ishte kohë e luftimeve dhe ai qëndroi në pozicione. Gjatë tërë natës luftuan pa u ndalur derisa ra, më 27 prill të vitit 1999. Për trimërinë dhe heroizmin e Shemsiut me admirim flasin shumë bashkëluftëtarë, të cilët kanë kujtime të ëmbla nga ditët që kanë kaluar me të.
Familjes së dëshmorit, Shemsi Xhafer Istrefi i ka dhënë “Mirënjohje” Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Zonës Operative të Shalës dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …