Datë zyrtare për takim nga Brukseli nuk është dhënë, por në pjesën e parë të muajit shtator delegacionet e Kosovës e Serbisë planifikohet të takohen për rrethin e ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja. Aty pala kosovare do të ketë një kërkesë specifike ndaj asaj serbe, e kjo ka të bëjë me thirrjen ndaj Beogradit që të hap arkivat shtetërore. Mendohet se Serbia mban dosjet e detajuara që mund të zbardhin fatin e personave të pagjetur të zhdukur gjatë luftës së Kosovës. Numri i tyre është rreth 1600. “Kërkesa jonë e parë në takim me palën serbe do të jetë hapja e arkivave me anë të të cilëve ne do mësonim për fatin e të pagjeturve”, ka thënë Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur. Ndërkohë, kërkesë identike me atë të Kosovës në adresë të Serbisë ka edhe Kroacia. Kryetari i këtij shteti që është anëtar i Bashkimit Evropian e NATO-s, tha se ata duan hapjen e arkivave mu për fatin e personave të pagjetur që u zhdukën në luftën serbo-kroate nga viti 1991 deri më 1995.
