Nëse për 20 vjet në Kosovë ka pasur vetëm rrënim, nga kush ka pasur ndërtim- nga Krali serb, nga Millosheviqi, Tito-Rankoviqi, kundër të cilëve ka luftuar ajka e atdhetarisë?
Është për keqardhje se ku është katandisur mendja e të gjithë atyre që vetëm zi shohin në Kosovën e lirë e të pavarur. Mendja dhe shpirti i atyre që mohojnë çdo të arritur në vendin tonë që ende ka mijëra plagë të luftës, të një lufte që ka rrënuar thuaja çdo gjë.
Është shqetësuese se deri ku ka arritur propaganda e një kategorie të shoqërisë që 24 orë në ditë, për 365 ditë e për dekada me radhë vazhdojnë të propagandojnë se që 20 vite në Kosovë ka pasur vetëm shkatërrim, vjedhje, korrupsion e hajni dhe asgjë pozitive. Nuk mund të ua gjesh të tillëve as edhe një fjali që tregon se në Kosovë janë bërë edhe vepra të mira për këto 20 vite ndonëse janë bërë shumë vepra të mira, me raste edhe përtej imagjinatës sonë!
Nuk e besoj se mohuesit e tillë nuk e dinë se ku shpie propaganda e tyre por a janë të vetëdijshëm dëgjuesit dhe besimtarët e verbër të kësaj propagande se kujt i shërben ajo!? A janë të vetëdijshëm se këtë propagandë e ka bërë dekada e shekuj me radhë edhe Serbia për kombin tonë, duke propaganduar se shqiptarët nuk kanë vetëdije shtet formuese, se shqiptarëve edhe po ua dhe shtetin, nuk dinë ta qeverisin atë por nëse ju jep pushtet, me të do ta shkatërrojnë vendin e tyre në vend se ta ndërtojnë.
Se ka pas dukuri negative edhe në Kosovën e pas luftës, këtë askush nuk e mohon por të propagandosh se që 20 vite vetëm është shkatërruar në këtë vend, kjo është propagandë a pavërtetë dhe dashakeqe. Nëse e marrim për të vërtetë se në këtë vend vetëm është shkatërruar për 20 vite, atëherë shtrohet pyetja e logjikshme: Kur na qenka ndërtuar kaq shumë ky vend që ju paskan dashur 20 vite për shkatërrim!? Në kohën e pushtimit të saj nga Sllobodan Millosheviqi apo në kohën e regjimit tjetër shqiptar vrasës, Tito-Rankoviq!? Faktet historike e dëshmojnë se gjatë kohës së regjimeve Tito-Rankovi-Millosheviq, Kosova ka qenë vendi më i pazhvilluar dhe i varfër në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë!? Atëherë si u bë që një vend të varfër e të pazhvilluar dhe të shkatërruar tërësisht nga lufta, na u paska dashur 20 vite kohë për ta shkatërruar kur dihet se ajo që ndërtohet me vite, dekada e shekuj mund të shkatërrohet brenda muajit!? Athua cili na paska qenë niveli i zhvillimit e ndërtimit të Kosovës para 20 viteve që mandej është dashur 20 vite angazhim për shkatërrimin e saj!?
Çdo kush me kujtesë minimale nga koha e viteve e dekadave të fundit të shekullit 20 nuk mund ta pranoj këtë propagandë qëllim keqe e që mohon çdo të arritur në Kosovë për gjatë 13 viteve pavarësi. Por pavarësisht kësaj, gjeneratat e reja, sidomos ato që kanë lindur pas lufte, mund të ndikohen nga kjo propagandë e madhe që po bëhet me një përkushtim të pashoq dhe të lajthitin e të vijnë në përfundime të gabuara sepse nisen nga premisa dashakeqe të sajuara nga ata që mohojnë çdo të arritur të Kosovës gjatë 13 viteve pavarësi!
Ama nëse i krahasojmë faktet, e shohim se situata në terren është krejt ndryshe për secilin që ka një grimë kujtesë për gjendjen e Kosovës gjatë dy dekadave të fundit të shekullit 20 dhe gjendjen gjatë dy dekadave të para të shekullit 21.
Infrakstruktura
Që të jemi më konkret është mirë të ja nisim nga vendbanimet tona. Para luftës, nga rreth 70 fshatra sa kishte komuna e Lypjanit, vetëm 6 fshatra kishin rrugë të asfaltuar nga Lypjani deri në hyrje të fshatit ( Janjeva, Gadimja, Sllovia, Dobraja, Magurja dhe Shala, kuptohet edhe fshatrat që shtriheshin kah kalonin këto rrugë). Tani nuk ka fshat që rrugët e tij kryesore nuk janë të asfaltuar. E kjo vlen ak a shumë edhe për komunat tjera. Por jo vetëm kaq, thuaja se edhe shumica e rrugicave janë asfaltuar! Nuk di të ketë pasur ndonjë fshat rrjet të kanalizimit para çlirimit të vendit tonë ndërsa për 13 vite shtet, thuaja se shumica dërmuese e fshatrave kanë rrjetë të kanalizimit. Para lufte, kishim disa qindra metra autostradë, në hyrje të Prishtinës ndërsa sot kemi qindra kilometra, duan apo s’duan ta pranojnë mohuesit e të gjitha të arriturave në Kosovë. Përveç këtyre, janë edhe me qindra e mijëra fshatra që kanë me kilometra trotuare, ujësjellës, rrugë të ndriçuara e shkolla të ndërtuara por ja që as këto nuk i shohin ata që vetëm terr e zi shohin në Kosovë! A ka mundur të bëhet edhe më mirë, po ka mundur por nuk mohohen veprat e shumta për shkak të disa mbrapshtive të bëra me apo pa qëllim, (sikur është rregullimi i rrugicave apo trotuareve nëpër lagjet e militantëve dhe injorimi i lagjeve apo rrugica të militantëve të partive rivale).
Siguria
Janë edhe ndryshime tjera që gjeneratat e reja të sotme as që munden me i imagjinuar! Këto gjenrata nuk mund ta marrin me mend që gjatë viteve të ’90-ta, burimi kryesor i frikës te ne ishin policia dhe ushtria. Posa ishe afër tyre, ndjeje ankth e frikë nga dhuna që mund të pësoje prej tyre ndërsa sot është krejt ndryshe. Është pikërisht prania e policisë dhe ushtrisë që të largon frikën dhe shton sigurinë. Deshtëm apo s’deshëm ta pranojmë, ky ndryshim ka ndodhë. A ka mundur të bëhet më shumë që të kemi një polici që asnjë pjesëtar i saj t’mos keqpërdor uniformën, detyrën apo autoritetin, normalisht se kemi mundur të bëjmë por nuk bënë që nga disa raste të vogla të keqpërdorimit të detyrës të propagandojmë se në Kosovë që 20 vite ka pasur vetëm shkatërrim!
Shëndetësia
Mbaj mend edhe një fakt tjetër nga fëmijëria. Kur kishim nevojë për mjek, duhet të shkonim me ndokënd që njihte gjuhen serbe sepse mund të ndodhte ishte ndonjë mjek serb që nuk dinte shqip sa duhej dhe nuk arrinte ta kuptonte mirë pacientin shqiptar. Po sot!? Sot kemi një situatë krejt tjetër, dukshëm më të mirë por jo aq të mirë sa të rrimë komodë dhe t’mos bëjmë përpjekje për përmirësim të mëtejmë.
Teknologjia – Arsimi
Përderisa gjatë viteve para çlirimit mësonim e studionim nëpër shtëpi, sot mësohet nëpër ambiente pa krahasimisht më të mira! Përderisa para çlirimit, kur niseshim për provim, në fillim kishim frikë mos gjatë kontrollimeve nga policia e Serbisë do na gjendej indexi dhe fillonte keqtrajtimi, tallja e poshtërimi, sot asnjë student nuk i përjeton këtë frikë. Asnjë! Por a ka mundur të bëhet më shumë në sistemin edukatio-arsimor? Po, ka mundur të bëhet por nuk mund të thuhet se që 20 vite vetëm është shkatërruar sistemi arsimor. E të mos flasim për mungesë të kompjuterëve që unë për vete nuk di ndonjë shkollë që ka pas kompjuter para 20 viteve ndërsa tani nuk di të ketë ndonjë shkollë që nuk ka jo një por dhjetëra kompjuter!!! Por jo vetëm kaq. Përparime të jashtëzakonshme ka edhe në shumë fusha tjera por mjafton të ndalemi edhe te ajo se kush po kritikon!? Janë të shumtë ata që kanë kundërshtuar me të drejtë për mos efikasitet dhe vendime të gabuara UNMIK-un, Kuvendin e Kosovës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe institucione të tjera por posa gërmon pak në biografinë e këtyre kritikuesve, mëson se prind e tyre kanë punuar në këto institucione!
Sot njoh shumë syresh që vjellin vrer duke sharë majtas e djathtas, se që 20 vjet ka pasur vetëm rrënim të sistemit arsimor. Ama posa hulumto pak në të kaluarën e tyre mësoj se përderisa unë i diplomuar jam detyruar të punoj për pesë vite punë nga më të ndryshmet, herë herë duke marrë edhe ara për të prashitur e livadhe për të kositur me mjete primitive, me tërë familjen, këta që shajnë sot janë kyçur në sistemin arsimor ende pa u kualifikuar! Nga kush janë sistemuar të tillët në arsim? Nga partitë politike të cilat sot i shajnë 24 orë. E nëse të tillët vazhdojnë të bëjnë akuza për rrënim të arsimit, duhet ta pranojnë se këta kanë punuar në arsim ende pa u kualifikuar! Athua a e vrasin ndonjëherë mendjen për këto fakte para se të shajnë majtas e djathtas, lart e poshtë!? A kanë të drejtë morale të tillët të kritikojnë për rrënimin e sistemit arsimor kur vet kanë punuar në arsim ende pa u kualifikuar!?
E shoh të arsyeshme të jap disa informata për familjen time, jo për tjetër por për të treguar se nuk kemi përfituar asgjë, nga asnjë institucion lokal, qendror apo parti politike por është e pamoralshme që t’i mohojmë të arriturat e Kosovës për gjatë 13 viteve pavarësi. Për hire të parandalimit të përhapjes së dezinformatave nga propagandues qëllim këqij, më duhet të heq dorë nga modestia dhe të jem plotësisht i sinqertë. Ashtu sikur shumë familje anekënd Kosovës, edhe familja ime ka dhënë kontributin e saj për komb e atdhe. Nga katër të vrarët gjatë luftës për liri, tre prej tyre nuk ua dimë varret. Por jo vetëm kaq. Gjatë ripushtimit të Kosovës nga regjimi titist-rankoviqist, janë burgosur 13 anëtar të familjes, nga mosha 15-16 vjeçare deri në moshën rreth 70 vjeçare. Regjimi titist-rankoviqist, e kishte plaçkitur gjithë pasurinë e tundshme, mandej shtëpive, odave e stallave ua kishte vënë flakën dhe kishte konfiskuar me dhjetëra hektar tokë.
Pas përfundimit të luftës, me ndihmën e farefisit e kemi rregulluar bustin e gjyshit. Po me ndihmën e farefisit e kemi sajuar edhe rrethojën ku është vënë busti i gjyshit. Me ndihmën e pakursyer të Radios Kosova e Lirë dhe Televizionit Dielli, është shtypur libri ku janë përfshirë edhe dhjetëra biografi të atdhetarëve të shquar të kombit dhe është bërë një audio e video dokumentar. Është e dhimbshme që edhe fotot e gjyshit për shkollën që mban emrin e tij, është dashur t’i rregullojmë me mjete tona. Dhe është e dhimbshme se nga drejtori paraprak i kësaj shkolle është larguar fotoja e gjyshit nga zyra! Por jo vetëm kaq. Nga përfaqësues të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Lypjanit, pak vite më parë është larguar emri i gjyshit, ( kryetari i parë shqiptar i komunës së Lypjanit ), nga një rrugicë e qytetit, edhe pse e dinë shumë mirë se afër gjysmë shekulli ai ka rezistuar kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia ( 1912-1913 ), nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene dhe ripushtimi i saj nga Jugosllavia, deri në pushkatim në Tauk Bahqe, më 12 shkurt, 1948. Të gjitha këto janë bërë pa asnjë kontribut nga institucionet e vendit, qoftë lokale apo qendrore por pavarësisht këtyre, as edhe njëherë të vetme nuk kemi mohuar se në Kosovë janë bërë punë të mira por ka pasur vetëm shkatërrim sikur propagandojnë 24 orë në ditë për shumë vite me radhë një kategori e shoqërisë sonë. Mbase është mirë të pyeten të tillët se cili është kontributi i tyre për këtë vend. Jo kontribut minimal për të marr mandej shpërblim maksimal por kontribut pa marr asnjë shpërblim ose kompensim1?
Është mirë të reflektojmë se nga kush vijnë këto deklarata që shohin vetëm terr e zi në Kosovë e që sipas tyre këtu që 20 vite ka pasur vetëm rrënim por pa na treguar se në cilën kohë na paska pasur aq shumë përparim sa është dashur 20 vite për rrënimin e tij- në kohën e kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, në kohën e regjimit shqiptar vrasës Tito-Rankoviq, apo në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, pushtues kundër të cilëve luftuan deri në rënien heroike ajka e atdhetarëve tonë!?
Apo mbase këta duan t’i bindin të tjerët se alfa dhe omega e patriotizmit, nacionalizmit dhe përparimit e shtet ndërtimit fillon dhe mbaron me ta dhe partinë e tyre sepse para tyre nuk ka pasur as atdhedashuri, as nacionalizëm, as njerëz liridashës, as njerëz të arsimuar e emancipuar por gjithë çka fillon me ta, madje edhe dita e çlirimit është ardhur fal tyre sepse deri sa fituan ata, ky vend ka qenë i robëruar e duke jetuar në errësirë!!!