OAK

OAK: Vendimet e shpejta duhet të përcillen me përkrahje urgjente nga ana e Qeverisë

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është shumë e shqetësuar nga vendimi i shpejtë për mbyllje të menjëhershme dhe kërkon nga Kryeministri Kurti që të thirrë mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë në mënyrë që menjëherë të ndajë dhe alokojë buxhetin për punëtorët dhe biznesin për kohën që i është ndaluar e drejta e punës si dhe kompenzimin e humbjeve që po u shkaktohen.

Jemi të vetëdijshëm se shëndeti është mbi të gjitha dhe i përkrahim plotësisht vendimet në mbrojtje të shëndetit publik, por, vendimet e shpejta për ndalimin e të drejtës së punës dhe ushtrimit të veprimtarisë së biznesit i dëmton edhe më shumë qytetarët dhe biznesin duke marrë parasysh obligimet që këta i kanë për jetesë, blerje të medikamenteve për trajtim, pagesat e kredisë, qirasë apo investimet që tashmë i kanë bërë.

Detyrë e Qeverisë së Kosovës është që të gjithë qytetarët e Kosovës t’i trajtojë në mënyrë të barabartë, pavarësisht se ku punojnë.

Vendimi i Qeverisë (pika 10) që Gratë shtatzëna, të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë, duhet të përkrah edhe gratë që janë të punësuara në sektorin privat, e jo siç ka ndodhë deri më tani.

Që nga fillimi i pandemisë, punëtorët e sektorit privat dhe biznesi po detyrohen që në forma të ndryshme të gjejë alternativa e të mbijetojë, meqenëse vazhdimisht ndihma që është ofruar nga ana e institucioneve ka qenë shumë e vobekët, përderisa, vendimet për mbyllje kanë afektuar direkt të këta të fundit. Si rrjedhojë, konsiderojmë që ora policore e kufizimet e tilla në orarin e punës nuk janë zgjidhje adekuate, por, të respektohen masat për mbrojtje të shëndetit publik në përpikëmëri.

Duke pasur parasysh që sot, sfidë në vete është edhe vaksinimi, sepse aktualisht minimumi i pritjes për termin të vaksinimit është rreth dhjetë (10) ditë, OAK kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rritet kapaciteti i vaksinimit, pra, të shtohet mundësia që vaksinat të merren edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Mobilizimi është i nevojshëm edhe në Qendrat e Testimeve, ashtu që testimi të mos mbetet i kufizuar vetëm deri në ora 14:00, por në orare ditore më të gjata, e gjithashtu të punohet çdo ditë të javës.

OAK e vlerëson si shumë të rëndësishme mirëqenien e qytetarëve, andaj për këtë arsye bëjmë thirrje që të bëhet vaksinimi masiv i popullsisë, por, krahas shëndetit publik duhet të mendohet dhe të punohet edhe për gjendjen e ekonomisë së vendit, veçanarisht, kur kemi parasysh se pikërisht ekonomia është lokomotiva e një shteti.

Rikujtojmë se gjendja e bizneseve edhe më tutje vazhdon të jetë e rëndë dhe mos ofrimi i përkrahjes adekuate për komunitetin e biznesit mund të rëndoj edhe më shumë gjendjen e brishtë të ekonomisë vendore.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …