leoni

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është miratuar projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

RKL: Kosova shënon një rekord të zi të përhapjes së pandemisë, ky është rekordi i parë botëror i Qeverisë Kurti

Prania e variantit të virusit “Delta” ka rritur në mënyrë rapide  numrin e rasteve të reja dhe viktimave në të gjithë botën, por vendi më i prekur  në tërë botën aktualisht është Kosova. Nga të dhënat e Universitetit Xhon Hopkins rezulton se Kosova është vendi me vdekshmërinë më të lartë për 1 milion banorë, bazuar në shifrat e jetëve të humbura të kësaj jave. Nga data 20 deri më 29 gusht, në Kosovë kanë humbur jetën 135 të infektuar  si pasojë e koronavirusit.  Sot më 29 gusht, një vit e gjysmë prej fillimit të pandemisë, Kosova ka shënuar numrin rekord të të vdekurve nga virusi korona me humbjen e jetës së 36 të sëmurëve nga virusi. Kjo shifër, është rezultat i angazhimit të Qeverisë Kurti, në luftë  të papërgjegjshme neglizhente dhe të papërgatitur për të luftuar dhe për t u mobilizuar  kundër virusit korona.

Kthejmë në kujtesë kohën kur  Albin Kurti kishte prishur koalicionin qeveritar me LDK-në vetëm sepse ministri i Brendshëm i asaj kohe, Agim Veliu  ishte pajtuar me kryetarin, Hashim Thaçi lidhur me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për  të frenuar përhapjen e virusit korona. Kurti kishte kundërshtuar në mënyrë kategorike propozimin e Thaçi, në radhë të parë sepse propozimi vinte nga kryetari i Kosovës, si dhe  për inat të ministri Veliu, i cili sipas tij po ia mbante “zhagun” Hashim Thaçit.

Sot kur Kosova ka shënuar rekordin e zi me humbje jete të 36 qytetarëve, nga virusi korona,  kur ditë më parë ishte shpallur botërisht vendi me vdekshmërinë më të lartë në botë  për 1 milion banorë, bazuar në shifrat e jetëve të humbura të kësaj jave, Albin Kurti mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurisë, meqë masat e papërgjegjshme, dilemat për të shpallur apo jo gjendje në akord me situatën,  nga frika se po pëson fushata e zgjedhjeve lokale.

Mungesa e perceptimit të rrezikut nuk ka si të mos ndodh në një Qeveri, e cila  po tregohet krejtësisht e papërgjegjshme për ta luftuar epideminë, por shumë virulente dhe e papërmbajtur për të eleminuar kundërshtarët politikë, për t’ i përjashtuar nga puna zyrtarët e agjencive të ndryshme, për ta emëruar kandidat për  kryetar të Prishtinës, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet e tetorit, nga frika se mund të mos fitojë qoftë edhe një komunë të vetme.

Kjo gjendje tregon se ku shpie arroganca e brigadierëve politikë të Albin Kurtit, i cili kur ishte në opozitë kërkonte madje edhe arrestimin e ish kryeministrit, Avdullah Hoti, për shkak të gjendjes së pandemisë, edhe pse në atë kohë kishte dhjetë fish më pak të vdekur gjatë ditës nga pasojat e virusit.  Me të drejtë ish kryeministri Hoti ka shkruar se “tash kur gjendja është më e rëndë kryeministri Kurti dhe ata që  i shkojnë pas, po heshtin. “Fatkeqësisht, këta që tani janë në pushtet e kanë shfrytëzuar politikisht këtë fatkeqësi për ta sulmuar qeverinë e kaluar të udhëhequr nga LDK-ja. Duke shfrytëzuar numrin e rasteve me fatalitet në verën e vitit të kaluar, shumë prej tyre shanin dhe kërkonin dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë duke ia shtrembëruar mbiemrin në formë fyese. Në studio të disa medieve në atë kohë bëhej thirrje për arrestimin tim”, ka deklaruar ai. “Në raportimin në Kuvend për 100 ditë të qeverisje kryeministri aktual krahasonte shifrat e të infektuarve dhe atyre me fatalitet në ditët kur e mori detyrën në fund të marsit 2021 me shifrat pas 100 ditë të qeverisjes për të treguar se si po e menaxhojnë̈ pandeminë. Sot, ky dhe ata që i shkojnë prapa janë të gjithë të heshtur”.

Në shumë segmente masat janë të vonuara dhe virusi do ta bëjë të vetën. Në vend se të merret me pandeminë, Kurti merret me “keqqeverisjen” e kaluar  duke larguar zyrtarë  nga puna, të cilët sipas tij e kishin kapur pushtetin. Ai ka emëruar në vend të tyre militantët e tij, për ta “çkapur”  pushtetin e tyre dhe për ta uzurpuar vetë. Nuk thuhet kor se ai që nuk di të qeverisë, është një uzurpator, e ky është rasti më i mirë për të kuptuar e për t u bindur se ku po tretet Kosova me këtë qeverisje të klasës më të paaftë qeverisëse, me njerëz që krejt çeka kanë mësuar e kanë ditur është kritika opozitare dhe emetimi i saj edhe tani ku ndodhet në pushtet e qeverisje.

Nuk është rastësi kur një ministre, sikur zonja Albulenë Haxhiu merr pjesë në protestën drejtuar Qeverisë në të cilën bën pjesë.

Kurti nuk ka pasur kohë të merret me pandeminë sepse ka luftë me Edi Ramën, për shkak  se ai ka pranuar të bashkëpunojë lidhur me tregtinë e ekonominë me Serbinë e Maqedoninë për “Ballkanin e hapur”.

Kurti nuk do të japë kurrfarë përgjegjësie, për këtë të ka ndodhur dhe po ndodhe, sepse ai është njeri që kërkon përgjegjësi nga të tjerët, po jo për vetëm as për militantët e brigadierët e tij politikë, meqë vazhdon të mendojë se është më i dituri dhe më i miri dhe si i tillë nuk do të pranojë kurrë se ka gabuar apo se mund të gabojë, edhe nëse vdesin 100 të sëmurë në ditë.

Mendjelehtësia e Kurtit dhe e Qeverisë së tij tashmë është vulosur me një rekord në nivel botëror. Kosova e vogël, gjysmë e pranuar gjysmë e papranuar nga bota, mban rekordin e zi, mbanë vendin e parë në botë me të infektuar për një milionë banorë dhe thyen rekord me humbe jetë të të sëmurëve të infektuar me virus.

Ky rekord tragjik dhe fatal do të mbetet në faqet e zeza të historisë së Qeverisë Kurti dhe do t ia vulos fatin politik, në mos ia ka vulosur që tani. Po t i kishte ndodhur kjo ish Qeverisë me militantët e tij do të bënin përpjekje për t i ngrehë zhag ministrat e qeveritarët përgjegjës.

Shqipëria edhe pse ka dyfish më shumë numrin e popullsisë, ka arritur ta mbajë nën kontroll pandeminë, duke e radhitur veten në vendet e para në botë me më pak humbje jetësh. Në Shqipëri vdesin dy tre  të infektuar në ditë, në një kohë kur vendi është vërshyer me pushues e turistë  nga rajont dhe bota, ndërsa Kosova me gjysmë më pak popullatë se Shqipëria, ka dhjetëfish më shumë të vdekur.  Në Shqipëri dy të vdekur 700 raste të reja. Në Kosovës 36 të vdekur, 1.630 të infektuar gjatë një dite  ( 29. 8. 2021). Krejt kjo tregon se kush sa është i përgjegjshëm në punën që e bën dhe kush rrah gjoks për trimëri, kush kritikon të gjithë natë e ditë dhe fajëson për 20 vitet e kaluara, por pa pasur asnjë ide si të veprohet në kushte dhe rrethana konkrete dhe kush kryen punë me përgjegjësi dhe nuk rrahë gjoks.

Nga qeverisja e derisotme disa mujore, pothuajse në të gjitha segmentet, u dogj në tërësi kauza e ndërtuar mbi gënjeshtra e premtime e Albin Kurtit dhe pasuesve të tij, gardës së mujsharëve, përbuzësve, kritikëve,  tërë një klase kujdestarësh militantë hipokritë që të vërsulen si të çmendur nëse merr guximin për ta folur të vërtetën dhe për t ua kritikuar ndonjë ministër, apo kryeministrin. Garda e Albinit është kurdoherë mobile, kurdoherë emergjente për të etiketuar për të sharë me nënë e babë kritikuesin, duke nxjerrë në shesh mungesën elementare të edukatës, mirësjelljes dhe njerëzisë.

Duke shkruar për “gardën e mbrojtësve” të Albin Kurtit, ish ministri Skënder Hyseni  shkruan se pas çdo shkrimi, deklarate, interviste apo ndonjë postimi të thjeshtë në rrjete sociale, e që përmban tone tërësisht racionale kritike ndaj të bëmave apo të pa bëmave të Albin Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë se tij, autorët përballen me një armatë të tërë primitive digjitale. Kjo far ‘ushtrie’ digjitale e Albin Kurtit, gjykuar nga “kultura” dhe niveli i shkrimit, shihet se përbëhet kryesisht, por jo vetëm, nga analfabetë primitivë. Ata, pjesëtarët e kësaj ‘ushtrie’, duke përfshirë edhe figura publike të VV-së, të fshehur si stupcat prapa llogarive dhe faqeve në rrjete sociale (jo pak nga këto profile të rrejshme) me gjasë, dirigjohen nga “komandanti suprem” Albin Kurti dhe rrethi i tij. Ata të mjerë nuk kanë asgjë tjetër pos që armë kryesore kanë komentet me plot sharje, mallkime, kërcime nga më të padëgjuarat. Këta të mjerë, njësoj si “eprorët” e tyre, nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën e sjelljes dhe kodin shqiptar të nderit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …