Prof. dr. Sabit Syla: Qëndrimi i Shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë më 1981 III

Prof. dr. Sabit Syla: Qëndrimi i Shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë më 1981   III

Burimet shqiptare dëshmojnë edhe për proceset gjyqësore që u zhvilluan në Kosovë. Sipas Drejtorisë së IV-të, të MPJ-së, datë 14 gusht 1981, lidhur me 7 gjyqet e zhvilluara në Kosovë gjatë periudhës 22 korrik deri më 12 gusht 1981 ishin dënuar 67 vetë. Nga këta: 15 punëtorë, 13 arsimtarë, 14 studentë, 15 nxënës, 5 bujq dhe 5 të tjerë. Ndër të dënuarit 4 janë vajza, përkatësisht 2 punëtore, 1 arsimtare dhe 1 nxënës. Mosha mesatare e të dënuarve 23 vjeç. Dënimi mesatar 7 vjet bile edhe për femrat. Në pikëpamje të shtrirjes gjeografike të dënuarit u përkasin 10 komunave. Akuza kryesore e të dënuarve është: “Veprimtari armiqësore, organizim e pjesëmarrje në demonstrata”. Për këtë dënimet janë dhënë sipas neneve: 136 (pika 1) dhe 114 të Kodit Penal të RSFJ, “mbi veprat kriminale”. Akuza të tjera janë: “Kërcenim rendi”, “rrëmbim armësh milicëve”, “fshehje armësh”, “vandalizëm”, “Rroftë Republika e Kosovës”, “Poshtë tradhtarët”, “Nxirrni shokët tanë nga burgu”, etj. Po ashtu edhe akuza për “shkrime vjershash dhe pamfletesh me përmbajtje armiqësore”, “prishje e themeleve të bashkim vëllazërimit” si dhe “shpërndarje materialesh të ndaluara”. Për grupin e gjykuar në Pejë, të përbërë nga 8 arsimtarë dhe 3 studentë, ngrihet edhe akuza si anëtarë të organizatës “Lëvizja për çlirimin kombëtar të Kosovës”, në lidhje me Jusuf Gërvallen në Republikën Federale Gjermane. Thuhet se kanë krijuar komitete lokale të kësaj organizate se kanë shpërndarë në Kosovë 300 kopje të gazetës “Lajmëtari i Lirisë” të cilën e botonte Jusuf Gërvalla. Kjo organizatë akuzohet për “veprime në drejtim të shkëputjes se Kosovës dhe disa pjesëve të Jugosllavisë të populluara nga shqiptarë dhe aneksimit të tyre me Shqipërinë”27. Lista e shumë të dënuarve në gjyqet e zhvilluara jugosllave, na paraqitet me emër, mbiemër, komuna, profesioni, mosha dhe afati i dënimit, në të cilën janë të evidencuar emrat e 103 personave të dënuar28, me gjithsej 778 vjet burg.

Ndërkaq, sipas Ambasadës shqiptare në Beograd, evidentohen emrat e 111 personave të dënuar gjatë muajit korrik dhe gusht të vitit 1981. Të dhënat flasin për dënimet në gjyqin e qarkut të Mitrovicës; për të dënuarit nga rrethi i komunës së Suharekës e për pjesëmarrësit e demonstratave të Drenasit; për të dënuarit në gjyqin e qarkut të Pejës; për të dënuarit në Prishtinë si organizatore te demonstratave ne Kaçanik; për te dënuarit ne Prishtine, demonstrues nga Lipjani; për te dënuarit ne Prishtine me 2 gusht, si pjesëtar te grupit qe ndaluan makinat e SPB-se, ne rrugën Podujeve-Prishtine; për te dënuarit ne gjyqin e qarkut te Pejës me 8 gusht; për te dënuarit me 15 gusht, pjesëmarrës te demonstratave ne Podujeve; për te dënuarit ne Prishtine si pjesëtar te “Komitetit Irredentist”, te Drenasit me 18 gusht dhe për te dënuarit nga gjyqi i qarkut te Prishtinës, për pjesëtaret e demonstratës se Ferizajt29.

Përkrahja e demonstruesve dhe e kërkesës së tyre Kosova Republikë e demaskimi i politikes jugosllave për politiken skllavëruese ndaj shqiptarëve ne Jugosllavi, u prit me zemërim në qarqet jugosllave. Në Jugosllavi, si dëshmohet në dokumentet shqiptare, mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes se marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe. Udhëheqja shqiptare jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.

Enver Hoxha në Raportin që mbajti në Kongresin e VIII të PPSH-së, më 1 nëntor 1981 mbrojti pikëpamjen se shqiptarët në Jugosllavi nuk përbenin një minoritet të ardhur apo të vendosur, por përbenin një etni, një popull të formuar ndër shekuj, me histori, gjuhë, e kulturë. Një popull të cilin e copëtuan fuqitë imperialiste dhe ia aneksuan Jugosllavisë e kjo e fundit copëtoi më tej tokat shqiptare duke u mohuar shprehjen e vullnetit të tyre të lirë. Udhëheqësi i Partisë shqiptare, përveç kësaj, akuzoi Jugosllavinë për politiken e saj nacionaliste, shtypëse e diskriminuese të ndjekur ndaj shqiptarëve, në periudha të ndryshme kohore, të pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në Kongres, Enver Hoxha,  mbrojti fuqishëm edhe kërkesën për Republikën e Kosovës, si kërkesë të drejtë dhe të  ligjshme e cila nuk cenonte ekzistencën e federatës jugosllave30.

Udhëheqja politike shtetërore e Tiranës u orientua edhe nga opinioni publik ndërkombëtar, në mënyrë që ajo të ishte në favor të çështjes së Kosovës. Me këtë çështje u rekomandua, sidomos Ministria e Punëve të Jashtme e cila duhej t’u epte ambasadorëve që kishte të akredituar në vende të ndryshme të botes, udhëzime se si e çfarë të bisedohet me personalitete të ndryshme duke u shpjeguar atyre problemet dhe qëndrimet politike të Qeverisë shqiptare për çështje të përgjithshme ndërkombëtare apo të çështjeve konkrete të politikës së jashtme, me theks të veçantë ndaj Jugosllavisë dhe Kosovës. Lidhur me këtë çështje ambasadorët duhej që t’ua ekspozonin qëndrimet politike të Shqipërisë lidhur me demonstratat e zhvilluara në Kosovë dhe çështjen e Jugosllavisë në mënyrë që të influencohet pro një qëndrimi të tillë të Shqipërisë dhe Kosovës edhe nga vendet e tjera evropiane e botërore. Kështu, diplomatët shqiptarë të akredituar në vende të ndryshme të botës duhej që të përpiqeshin, t’i informonin dhe të ndikonin të kolegët e tyre ndërkombëtarë, për avancimin e çështjes së Kosovës. Madje për mes ndërlidhjeve të ndryshme diplomatike shikohej alternativa që të ndikohej edhe tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës31. Ndërmarrja e një veprimi të tillë diplomatik nënkuptonte që çështja të zgjidhej në favor të qëndrimit të Shtetit shqiptar mbajtur ndaj Kosovës e realizimi i kërkesave të demonstruesve për statusin e tyre politik.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …