Në diskutimin e Aleksandar Rankoviqit për masakrën në Tivar, në Kongresin Themelues të Partisë Komuniste të Serbisë 8 – 12 maj 1945, veç tjerash është thonë se “ne do të gabonim po qe se në këtë mbledhje të Partisë nuk do të përmendim disa gabime strategjike që janë bërë kundër Shqiptarëve, për të cilët këtu folëm aqë shumë.
Ju e dini se në Kosovë-Metohi është caktuar detyra e mobilizimit. Ai mobilizim është zbatuar, por organizata e Partisë, udhëheqësit partiakë në Kosovë-Metohi nuk kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mobilizim të rregullt, veçse kanë lënë që të lajmërohën vullnetarisht për ushtrinë tone; ta kuptojnë se është edhe detyra e tyre t’i përgjigjen thirrjes së armatës sonë e të marrin pjesë në luftën kundër okupatorit dhe trathtarëve të vendit. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, të cilat më së miri flasin për shovinizmin dhe patriotizmin lokal dhe përgjithësisht për raportin e padrejtë të komunistëve ndaj masave.
Me rastin e përcjelljes së një numri të Shqiptarëve, për t’i plotësuar njësitë e Armatës IV, ka shpërthyer një incident që nuk ka qenë i atillë sa të mos mund të lokalizohej e të ketë pasoja më të vogla. Unë nuk dua të hy tash në detaje. Një shqiptar i hidhëruar në njërin prej përcjellësve, e ka hequr pushkën dhe e ka vrarë atë. Do të thotë e ka vrarë shokun tonë luftëtar. Por, shokët tanë udhëheqës, në vend se tërë çështjen ta zgjidhin në mënyrën që të mos zhvillojnë konflikt, ata kanë dashur t’i ndëshkojnë, kanë dashur të zbatojnë represione, kanë dashur që të pushkatojnë 40 Shqiptarë për luftëtarin e vrarë. Ka shpërthyer kryengritja. Disa Shqiptarë kanë filluar të gjuajnë bomba. Mund të kenë qenë disa bomba. Ndërsa udhëheqësit tanë kanë hapur zjarrë dhe kanë vrarë 300 Shqiptarë. Ky është shembëll, nga i cili duhet të mësojmë edhe na që punojmë në ushtri edhe na që punojmë në terren. Unë mendoj se kjo është një çështje që mund të dëmtojë autoritetin jo vetëm të ushtrisë sonë, veçse edhe të Partisë sonë, të udhëheqësve tanë.
Rasti i dytë, që përsëri është pasojë e sigurimit birokratik dhe kriminal, është ai që disa Shqiptarë nga ai transportim (marshim,v.j.) janë vendosur në hapësira në të cilat më parë ka qenë depo e barotit. Edhe aty janë ngulfatur 130 njerëz. Ja, këta janë shembuj prej të cilave duhet nxjerrë mësime. Këta janë shembuj prej të cilave duhet të edukohet udhëheqësia jonë dhe t’i edukojmë udhëheqësit tanë. Shqiptarët e kanë humbur besimn – kjo është e qartë, dhe nuk e kanë humbur vetëm sepse e kanë vuajtur në lëkurën e tyre Jugosllavinë e vjetër, por e kanë humbur edhe për shkak të gabimeve të cilat po i bëjnë udhëheqësit tanë ndaj tyre. E gjithë kjo ka mundur të shmangej, vetëm sikur udhëheqësia jonë në Kosmet ta kishte kryer mobilizimin në mënyrë të rregullt dhe ta kishte bërë transportimin e rregullt të atyre ushtarëve. Por, ata ua kanë lënë disa ushtarëve, komandave vendore, disa byrokratëve, disa njerëzve të pandërgjegjëshëm, prandaj për këtë shkak ka ndodhur e gjithë kjo”.
(Kongresi Themelues i PK të Serbisë, 1972, fq.157-158)
** *
Çka mund të kuptohet nga këto thënie të Rankoviqit?
E para, nënkuptohet se në atë Kongres të Partisë Komuniste të Serbisë, të mbajtur më 8 – 12 maj 1945, është folur shumë për Shqiptarët. Për të kuptuar se çka është folur aq shumë, duhet të lexohet stenogrami i Kongresit.
E dyta, vet antishqiptari më i madh i kohës, Rankoviqi, pranon se janë bërë “gabime strategjike” ndaj Shqiptarëve. Ai me këtë “gabime strategjike” aludon në gabimet për t’i joshur Shqiptarët të jenë lojalë e besnikë ndaj Serbisë.
E treta, pranon se ndaj Shqiptarëve kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, se ka pasur raporte të padrejta dhe shovinizëm lokal (!) ndaj tyre.
E katërta, rekrutët i trajton si ushtarë, dhe duket se mendon që shqiptarët kanë qenë me armë në krah, kur thotë: “E hoqi pushkën (nga krahu, v.j.) dhe e vrau luftëtarin tonë! Se a e ka ditur vërtetë se shqiptarët nuk kanë qenë të armatosur, respektivisht se janë çarmatosur që në momentin e kapjes për mobilizim dhe me rastin e tubimit në Prizren, kjo mbetet dilemë nga fjalia e tij “skinuo pusku i ubio ga” (e hoqi pushkën dhe e vrau; nuk thotë se ia rrëmbeu pushkën). Por, është e pabesueshme që nga ajo pozitë në të cillën ishte, shef i OZN-es, të mos e ketë ditur këtë dhe hollësi tjera lidhur me masakrën e Tivarit.
E pesta, pranon se ka ekzistuar parimi nacist që të vriten 40 shqiptarë për një serb, apo malazez.
E gjashta, me ose pa vetëdije e pranon gënjeshtrën, kinse disa shqiptarë kanë gjuajtë me bomba kundër ushtarëve-përcjellës. Si shef i OZN-es që ishte, është e pamundur të mos i ketë parë dhe lexuar raportet zyrtare të shtabeve të ushtrisë për atë ngjarje, në të cilat përmendet vetëm një bombë e aktivizuar, e jo shumë bomba (ndonëse edhe kjo – një mund të jetë gënjeshtër, për t’ia lënë fajin Shqiptarëve).
E shtata, pranon se udhëheqësit e ushtrisë jugosllave i kanë vrarë për një ditë 300 ushtarë Shqiptarë dhe i kanë ngulfatur 130 të tjerë, duke mos përmendur fare të plagosurit (në njërin raport të shtabit ushtarak shkruan 452 të vrarë e 104 të plagosur, ndërsa në tjetrin: rreth 450 të vrarë e rreth 120 të plagosur).
E teta, për shqiptarët e vrarë e të ngulfatur nuk ndjenë as shprehë asnjë grimë keqardhje as brejtje të ndërgjegjës, veçse ka frikën se është dëmtuar autoriteti i ushtrisë, i partisë dhe i udhëheqjes së tyre!
E nënta, disa herë e përmendë “transportimin”, thuase Shqiptarët janë transportuar me automjete, me tren apo me anije deri në Tivar, derisa ata tërë kohën kanë udhëtuar këmbë, të etur, të uritur, te rraskapitur dhe të torturuar.
E dhjeta, është i bindur se “për shkak të gabimeve të tilla”, Shqiptarët e kanë humbur besimin edhe në regjimin e ri, pas të gjitha vuajtjeve të përjetuara nga regjimi i Jugosllavisë së paraluftës.
E njëmbëdhjeta, përcjellësit dhe vrasësit e Shqiptarëve i quan njerëz të pandërgjegjshëm, e jo me emrin e vërtetë – kriminelë.
E dymbëdhjeta, ai as nuk e merr mundimin të kërkojë që organet kompetente të zhvillojnë hetime për Masakrën e Tivarit dhe krimet e tjera të kryera kundër Shqiptarëve, gjë që kurrë edhe nuk është zhvilluar as është dënuar njeri për to!
Megjithatë, diskutimi dhe pranimi i njeriut më kompetent për krimet dhe Masakrën e ndodhur, ka një rëndësi për historinë e asaj ngjarje të dhembshme e plage të pa shëruar, pasi askush nuk është dënuar për gjithë atë masakër. Dhe jo vetëm kaq, por ajo masakër është heshtur 45 vjet; nuk është folur as shkruar në gazeta as libra, as ato të historisë, për te nuk kanë folur në orët e mësimit as profesorët e histories, nuk është folur në asnjë tribune as të organizatave të luftëtarëve të asnjë niveli, edhe pse ata shqiptarë janë mobilizuar dhe konsideruar rekrut (ushtar) të Ushtrisë Çlirimtare të Jugosllavisë, për të cilën janë thurë aq shumë ode e lëvdata!
(Teksti integral i diskutimit të Rankoviqit është marrë nga “Pirotski zbornik” nr.44, 2019).