Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, e ka vazhduar fushatën e tij një mënyrë krejt të veçantë. Për dallim prej herëve të tjera, ku Uran Ismaili ka bujtur nëpër të gjitha lagjet e Prishtinës, këtë herë ai ka hapur dyertë e shtëpisë së tij për mysafirë. Ka qenë Kryetari i Tiranës Erion Veliaj ai i cili ka ardhur për të kaluar natën te Uran Ismaili. Veliaj ka thënë se i ka pëlqyer shumë fushata kreative e Ismailit dhe programi i tij që ka për zhvillimin e Prishtinës. Tema e diskutimit mes kryetarit aktual të Tiranës dhe kandidatit për kryetarin e Prishtinës ka qenë transformimi i qyteteve, digjitalizimi, krijimi i hapësirave të përbashkëta dhe një vizion afatgjatë për kryeqytetet shqiptare, me krijim të një sinergjie të përbashkët.
“Pas dy muajve duke bujtë n’qytet e n’fshat, me Arizonën, Umën e Omerin e pritëm në shtëpinë tonë Kryetarin shembull të Tiranës, Erion Veliaj. Biseda t’gjata me këshilla e shumë humor. Plot ide me vizion t’përbashkët për kryeqytete t’gjelbra e funksionale. Erioni na ndihmoi të nesërmen t’ia lëmë Prishtinës edhe një punë të mirë – mbjelljen e drunjve dhe ndreqjen e fushës të basketit në Breg të Diellit, lagjen ku unë jam rritë.”, ka shkruar Ismaili. Në fund të vizitës së tij në Prishtinë, Veliaj së bashku me Ismailin kanë ndreqë një fushë të sportit dhe kanë mbjellë disa pemë në Bregun e Diellit.