Urtësitë e Avdi Carës
Avdi Cara, apo Lal Avdiu siç i thonë zakonisht, lindi në Zajs në vitin 1867. Të gjithë jetën kishte qenë bari dhe kishte punuar e jetuar në ato male të larta e të ftohta, por të mrekullueshme, ku falë Zotit pati shëndet shumë të mirë dhe qe jetëgjatë. Ai për nga natyra ka qenë një tip i qetë dhe fjalë pak. Duhej që fjalët për ngjarje dhe histori të ndryshme për familjen, vëllazërinë, fshatin e krahinën t’ ia nxirrje me marifet. Por ama ishte shumë i saktë për gjërat që thoshte. Edhe për faktin që gjatë gjithë jetës ishte marrë me blegtori. Lal Avdiu ishte në kullë vetëm mëngjeseve dhe në darkë. Herë të tjera, vetëm kur ishte e domosdoshme prania e tij.
Urtësia është dhunti e natyrës, por që kjo dhunti të zhvillohet në shkallë të lartë, duhet të ndikojnë dhe faktorë të tjerë: mjedisi familjar, mjedisi shoqëror angazhimi në punë etj. Profesioni nuk e favorizonte Lal Avdiun dhe në përgjithësi çobanët njihen si njerëz hokatarë, të shkathët, të guximshëm, por jo aq të zgjuar edhe për shkak të jetës së izoluar që bëjnë në mes të maleve. E kanë pyetur dikur një burrë të zgjuar: Më mirë një i kërkueshëm apo i këndueshëm? Sido që e ka dhënë përgjigjen ai, del se mençuria lidhej me dijen dhe mësimin me jetën në mjedise të ndryshme shoqërore, duke u takuar me burra të zgjuar dhe përfituar prej përvojës së tyre në jetë. Avdiu ishte në shtëpinë e tij zevendësi i vëllait të vet, Bajram Selman Cara, që do të thotë se i takoi të shkonte shpesh në dasma dhe morte dhe ndonjëherë, në mungesë të vëllait, edhe në kuvendet burrë për shpi të fisit apo katundit, ku kishte mjaft burra të zgjuar. Nga ana tjetër, ai nuk hoqi asnjëherë dorë nga pasioni i tij i veçantë, për t’u marrë me blegtori, të cilin e pati deri në pleqërinë e thellë. Dimëronte me bagëtitë e tij në luginën e Matit dhe ndonjëherë deri në fushën e Tiranës, duke takuar shumë njerëz, njohur tradita të ndryshme, të cilat kishin bërë që ai ta pasuronte shumë përvojën e tij jetësore. Një shkollë më vete ishte vajtja e tij në pazaret e Dibrës dhe të Prizrenit për të marr misër për familjen. Në këto tregje takoheshin njerëz nga të gjitha anët e vendit në kafenetë e bujtinat e këtyre qyteteve të përmendura për zhvillimin e tyre. Ato kafene frekuentoheshin nga shumë njerëz të shkolluar, por edhe të tjerë që kishin shëtitur botën, prandaj nuk kishte se si mos merreshin dije prej tyre.
Si rezultat i një përvoje të gjatë, Avdiu kishte mundur të dallohej në mes të burrave të zgjuar të Zajsit, sa kanë mbetur prej tij fjalë urtësie që ia vlen të njihen. Po japim disa prej tyre:
Kur nuk di me fol, a di me nejt.
Mjerë i vjetri me të ritë, mjerë i miri me të këqinjtë!
Ha ha ha në kodër, buqa llap në vorbët.
Mishi i vjerr e shpirti i gjerr mos të shkelshin kurrë në derë.
Ti nuk ban, veç të laftë Lala mbrapa!
Ka ardh koha me lidh macën e jo me lshue qenin.
Sa qingja kanë me shkue deri kur t’shkojë dashi i kumonës!
Lidhe qenin n’shteg nga vjen ujku!
Mos e lsho gojën se ja ruen ftyrës bojën.
Nuk e due zarmin në llamarinë (sobë), se shpirti (zemra) e ka ngrohtësinë.
Nuk e due bukën të preme me biçak (thikë), por burm e për dore t’plakun.
Zarmin e due në grope (oxhak) dhe bukën nji copë t’plotë (mos me e pre me thikë).
Ma mirë qorr se horr.
Dy olixhe e nji sakat nuk janë për stan, arë e konak.
Burri pa grue si jorgani pa çarçafë.
Me ty po qesh gomari, a thue ke hangër tru gomari!
Pash zotin rrej përtokë, jo hava!
Në mes Çelës e Allamanit nuk cofin dhentë e Avdi Selmanit.
Kush ja ban me hile shoqit, e vraftë buka e tallamoqit!
E ndezi çibukun Plaku i Jallisë (kur pritej të binte shi).
Varri i Lalë Avdiut
Bjeshkët e Valmorit, masivët shkëmborë e oazet livadhore të çojnë miliona vjet pas e të kthejnë në historinë e vonë, të ndezin imagjinatën e zanave dhe të fusin brenda peisazheve që frymëzojnë me rrëfime për heronjtë. Në Valmor gjenden gjurmët fizike të njerëzve, ndoshta tani të vdekur, por ato gjurmë janë dëshmi e jetës dhe përvojave njerëzore. Shumë banorë të dikurshëm jetojnë përmes emrit që kanë lënë në livadhe, gryka, kepa, zabele, etj. Të tjerë e kanë lënë emrin në vendin e vrasjes etj. Në këtë rast, toponimia shërben si burim i dorës së parë për të gjykuar mbi të kaluarën në mungesë të burimeve të tjera historike. Në male ndodhen dhe varre, zakonisht për të panjohur, apo armiq të vrarë si varri i serbit, i turkut etj., por nuk ka një emërtim për vendësit, pasi tradita jonë e nderimit të të vdekurit e kërkon varrosjen e tij me ceremoni në varrezat e vendit ku jeton. Por, si askund në bjeshkët shqiptare, në Valmor të Selitës nuk ndodhet varri i një njeriu që ka jetuar në kohët që s’mbahen mend, as i një të vrari të panjohur, apo të ndonjë ushtari pushtues,por varri i çobanit të mirë, ndoshta çobanit më jetëgjatë të Selitës, Avdi Carës, apo Lal Avdiut, i cili e la amanet të varroset në bjeshkë, në Livadhin e Qafës së Ahut, në vendin që mori si toponim emrin vorrit të tij. Tri vjet pas vdekjes, një dele e zezë e tufës së tij shkëputej dhe mrizonte pranë varrit të tij.
Lal Avdiu besonte në jetën e përtejme dhe donte ta zgjidhte një vend të lartë për shpirtin e tij, prej nga do të shihte me një vështrim të gjitha vendet nga kishte kaluar si çoban. Ndoshta besonte se atje lart shpirti i tij do të kishte prehje më të mirë ose se do të ishte ai ëngjëlli mbrojtës i banorëve të bjeshkës. Epitafi mbi varrin e Avdi Carës, shkruar nga poeti Viktor Gjikolaj, e lidh atë varr me mbrojtjen e kalimtarëve, me shërbimin ndaj të vetmuarve, njerëzve që jo pa drojë kalojnë netët pa hënë në atë vend. Ja si shkruhet në epitafin e tij: “Kur t’kaloni në këto anë/, nëse nata nuk ka hanë/nëse dielli nuk ban dritë/ecni n’udhë pa dert e frikë//. Ke murana e bariut/ dritë ban shpirti i Lal Avdiut/ dritë lëshojnë fjalt’ që s’harrohen/ brez mbas brezi do t’kujtohen//.
Lal Avdiu besonte se në mal do të kishte gjithnjë lëvizje dhe jetë. Edhe një i vdekur në varr nuk do të kishte ndarje të plotë nga njerëzit e tjerë, nëse për te varri i tij ka shtigje nga kalojnë njerëz. Këto shtigje do të shërbejnë si lidhje e udhëtarëve me të vdekurin, përtej kohës në të cilin ata udhëtojnë. Varri i të vdekurit do të ishte vendi që bashkon jetën me vdekjen, vorri i mirë mbrojtës, vorri tek i cili ndoshta dhe ia vlen të lutesh.
Kënga “Ç’asht ai vorr me dritë bariu, me tekst të bashkfshatarit të tij, poetit të mirënjohur Gjok Beci, Mjeshtër i Madh shpreh me art krejt jetën e Avdi Carës, prandaj po e japim të plotë.
Amanet la Avdi Selmani/ jetë e vorr ju mos m’i ndani/ prej Valmori e n’Kreshtë t’Kunorës/ ku zbardh lugjesh lulja e borës/ zemërbardhi i Selman Carës/ shumë lezetin ia shtoi fjalës//.
Në supe t’burrit të kësaj ane/ breshën ra e rreze hane/ n’ato gjurmë ku shqipe ulen/ po i thotë bjeshkës: Lirom udhën/ku ta prekin kreshtat qiellin/ due me dal me takue diellin//.
(Refreni). Po ja thom dy fjalë bariu/ njiqind vjet jam Lalë Avdiu/ amanet djelve dhe fisit/ e due vorrin n’hije t’lisit//. Do t’kalojnë dhe njimijë vjet, drita e emnit aty jet/ kush e merr udhn e njeriut, falet n’gjurmët e Lalë Avdiut//.
Ç’asht ia vorr mbi buzë Valmorit/monument n’kujtim t’blektorit/ në turrë e kurthe nji jetë ra, tufës së vogël kurr s’iu nda/ mik i rrallë me rrunza e desh, kanga n’buzë, cigarja n’vesh//.
Ç’janë këta gurë që s’dinë me dek/ pelegrinë vorri po pret/ vend që ndoshta e bekoi zoti/ me u mbledh burrat mot mbas moti/ me besue se n’vende t’shenjta/ nuk vdes burri, po rron jeta//.
Gjokë Becit, sikurse dhe të tjerëve u ishte imponuar ai vorr për ta parë ndryshe, si vend pelegrinazhi, kujtese, lutje dhe prehje shpirtërore. Avdi Cara vjen në vargje si njeriu i mirë i Zajsit që bëri një jetë model dhe si i shenjtë ai është i denjë për një vorr të mirë. Vitet do të kalojnë, Zajsi dhe krejt Selita, Valmori dhe krejt bjeshkët e Selitës do të presin shumë turistë. Njëri ndër vendet ku ata do të ndalen do të jetë Vorri i Lal Avdiut. Do të ndezin ndonjë qiri mbi atë vorr dhe do të vazhdojnë me programin e tyre por, me këtë rast, edhe do të meditojnë jo vetëm mbi jetën, por edhe për vdekjen dhe përtej vdekjen…
Për jetën e tij kishte shkruar edhe poeti popullor Jak Tuci, i cili ishte ndalur në mençurinë e bariut Avdi Cara… Një bari që lë urtësi vjen krejt i veçantë ashtu si vorri i tij, tashmë vend pelegrinazhi.
Fund