Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur i shqetësuar me situatën kaotike në Malin e Zi, me rastin e shugurimit të kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje, që kulmoi me protesta të përshkallëzuara në rrugë.
Kreu i PDK-së përmes një reagimi në Twitter u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Serbisë për ta respektuar sovranitetin e fqinjëve të saj në Ballkan.
“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit në Malin e Zi. Kjo është një ‘déjà vu’ e viteve ’90 kur Serbia e instrumentalizoi fenë për ta nxitur destabilizimin dhe konfliktin. U bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Serbisë që ta respektojë sovranitetin e Malit të Zi dhe të të gjitha vendeve fqinje”, ka shkruar Krasniqi.
Mitropoliti serb Joanikije u shugurua sot në mëngjes në kryeqytetin historik fetar të Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimit nga mijëra protestues që i mbajtën rrugët e bllokuara për në Cetinje për dy ditë rresht.