Luljeta Bozo është deputetja më e vjetër e kuvendit. Ka kaluar një jetë të tërë mes studentëve dhe kantiereve, por kurrë nuk e kishte parë veten në këtë rol. Këto ditë i ka lënë librat dhe ka studiuar rregulloren e kuvendit. “Në ethet e fjalimit nuk jam, jam në ethet e procedurave, sepse fjalimin e kam të pjekur në mend që kur doli në media 15 ditë më parë, që Luljeta do të hapë parlamentin. Unë i kam në mendje disa probleme që do t’i bëj të njohura më datë 10, meqë e dekretoi presidenti”, thotë Luljeta Bozo.
Duke folur për Euronews, Bozo ka vlerësuar qeverinë e re, ndërsa thotë se Rama e ka kuptuar forcën e gruas.
“Mbi të gjitha është një qeveri që rrallë e gjen në botë, që ka kaq shumë gra ministre. Rama është burrë i mençur në këtë kuptim, që ka kuptuar forcën e gruas dhe ka dalë i suksesshëm që i ka besuar grave”, shprehet Bozo.
Por a do ta pranonte ajo postin e ministres?
“Edhe sikur të më thoshin s’do pranoja asnjë post ministri. Posti i ministrit është me shumë përgjegjësi konkrete me njerëzit, deputetët e kanë në një plan më të gjerë përgjegjësinë, do forcë, do energji fizike. Unë nuk mund të qëndroj në dikastere që kërkojnë kaq shumë energji”, thotë deputetja e zgjedhur e PS.
Edhe pse qëndrimet e saj për kohën e komunizmit sollën një reagim të madh në publik, Bozo shprehet se nuk ka ndryshuar qëndrim duke përdorur këto argumente.
“Nuk ka sistem që i ka të gjitha gjërat e mira. Ai sistem, e kam thënë dhe nuk heq dorë, ka disa arritje të cilat shumë rrallë ose shumë vështirë mund t’i bëjë një vend si Shqipëria me një ekonomi të shkatërruar nga lufta.
Gjithë Shqipëria bregdetare ishte kënete, e gjeti Shqipërinë me një ekonomi as agrare, me 98 për qind analfabetë. Në 1960, çdo 3 shqiptarë 1 ishte në shkollë, i dha një vrull shumë të madh zhvillimit të arsimit që krijon trurin.
Bëri elektrifikimin, bëri vepra hidroenergjetike, bëri sistemin e vaditjes shumë modern. Kishte anë negative, që janë mbyllja hermetike, e dyta ishte lufta pa mend e klasave, gabimi i tretë ishte lufta në ekonomi; kur i morën fshatarit çdo gjë, kjo ishte katastrofa”, shpjegon znj. Bozo. (Dita)