Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë para pushtuesit serb, më 1 dhjetor 1971, u lind dëshmori i kombit, Jahë Hasani. Bashkëshortët: Tahiri dhe Mihanja nga Bederiana rritën pesë djem dhe një vazjzë: Imerin, Ramadanin, Ibrahimin, Ismailin, Jahën dhe Mehremen.
Dëshmori i kombit, Jahë Hasani, ishte më i vogli nga vëllezërit e tij, të cilët po ashtu dhanë një kontribut të madh për çështjen kombëtare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen e nisi në Orllan dhe e vazhdoi në Besianë, kurse studimet i ndoqi në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Përpos mësimeve ai merrej edhe me sport dhe ishte ndër sportistët e dalluar të kësaj ane. Ishte edhe kryetar i klubit të futbollit të Orllanit.
Familja e Jahës, nga pushteti i atëhershëm okupator, nuk shikohej me sy të mirë. Disa herë babain e tij, Tahirin, e morën në polici, në të ashtuquajturat biseda informative, ku edhe e keqtrajtuan shumë herë duke i kërkuar armë.
Derisa ishte student, në Pejë, i erdhi ftesa për shërbim ushtarak në ish-Jugosllavi. Ai, qe dërguar ushtar në Banjallukë të Bosnjës, në kohën kur shpërtheu edhe lufta serbo-boshnjake. Pas një mundi të madh dhe një sakrifice, ai arriti të largohet nga ushtria, sepse nuk dëshironte të luftonte kundër boshnjakëve. Kishte parandjenja se një ditë do të ketë luftë edhe në Kosovë.
Pas rënies së komandant, Zahir Pajazitit, që ishte shembull i idealizmit për të rinjtë e kësaj ane, te Jaha edhe më tepër zgjohet ndjenja e atdhedashurisë. Ai këkonte sa më parë të inkuadrohet në rrugën e saj të lavdishme për çlirimin e popullit shqiptar nga okupatori shekullor. Dalja në skenë e UÇK-së, i solli kënaqësi të madhe dhe pa hezituar nga vendlindja e tij niset për në Shalë të Bajgores, atje ku ushtarët e ZOLL-it, kishin filluar ushtrimet dhe përgatitjet për luftën e armatosur kundër okupatorit shekullor. Kështu ai më 2 gusht 1998 hyri në radhët e UÇK-së të ZOLL-it.
Jahë Hasani ishte ushtar i disiplinuar dhe të gjitha detyrat i kryente me përpikëri, ishte shumë i dashur për shokët e tij ushtarët e lirisë. Që në ditët e para të rreshtimit në radhët eUÇK-së, shquhet në artin luftarak, të cilin më vonë e dëshmon në betejat e ardhshme.
Në betejën e njohur të 15 shtatorit, të vitit 1998, Jahë Hasani pa u trembur bashkë me shokët e tjerë, qëndroi ballë për ballë hordhive barbare serbe. Në këtë betejë luftëtarët e UÇK-së forcave të okupatorit u patën shkaktuar humbje të mëdha si në njerëz, ashtu dhe në teknikë luftarake.
Pas kësaj beteje që është e njohur si, Ofenziva e Kaqanollit, Jaha, sistemohet në fshatin Bradash dhe atje qëndroi deri në janar 1999 për të shkuar më pas në Kastrat (ish Obrançë) ku edhe caktohet komandant toge, në pikën “Ulpiana -54” te lagja e Duriqve .
Jaha ishte pjesëmarrës edhe i shumë betejave të tjera si ajo e 24 dhjetorit 1998 që u zhvillua tek ”Tabet e Llapashticës” dhe në betejat tjera të janarit 1999 që u zhvilluan në Llapashticë, Katunishtë, Kastrat, Bradash, Bajçinë për të vazhduar të jetë pjesëmarrës edhe në betejat e shkurtit, marsit e prillit të vitit 1999. Ndërsa në betejën e prillit njësiti i tij zhvilloi një luftë të rreptë në vendin e quajtur “Kalinë”, mbi fshatin Bradash, ku pas disa orë luftimesh, më 28 prill 1999 ra për të mos vdekur kurrë dëshmori i kombit, Jahë Hasani.
Ai, së bashku me Zenel Hasanin, më 19 nëntor 1998, sistemohen në radhët e UÇK-së në fshatin Bradash në njësitin e “Blondit”.
Njësiti, në të cilin ndodhej Jaha, që nga 7 dhjetori 1998 nga komanda e shtabit u emërtua si njësit për intervenime të shpejta, kudo ku paraqitej nevoja. Jaha u ngarkua edhe me një armë, të cilën deri tani ky njësit nuk e kishte (mortaja 500 mm). Ai edhe gjatë ushtrimeve shtesë u tregua më i dalluari në grupin e tij, duke kryer ushtrimet dhe të gjitha detyrat tjera që i ngarkoheshin. Ato i kryente me përpikëri dhe me një disiplinë të lartë ushtarake.
Më 21 dhjetor, kur forcat e armikut kishin tentuar të depërtojnë në fshatin Anallap (ish Bajqinë) dhe nga atje të depërtojnë në pikat tjera të UÇK-së, ky njësit shkoi, në Gegaj, ish-Dobratin dhe nga atje u doli para në fshatin Lepajë ku u pozicionuan duke mos lejuar depërtimin e forcave serbe.
Nga Lepaja, njësiti shkoi rrugës për te “pika” në Anallap. Më pas ata njoftohen se forcat serbe janë kthyer prapa dhe do të tentojnë të hyjnë në fshatin Bradash. Lushi me disa shokë me një shpejtësi të madhe arrijnë atje dhe duke përcjell tanket e armikut, të cilat lëviznin ngadalë nëpër rrugë duke gjuajtur në drejtim të pikave të UÇK-së. Ato nuk u kthyen në Bradash por vazhduan rrugën drejt qytetit të Besianës.
Në mëngjesin e hershëm të 24 dhjetorit 1998 si edhe njësitet tjera edhe njësiti ku ishte, Jaha i njohur me nofkën, “Lushi”, njoftohen se forcat e okupatorit kishin mësyrë depërtimin drejtë pikave të UÇK-së dhe atë duke hapur një front të gjatë që nga Majasi deri në Katunishtë. Mirëpo synimi i tyre ishte që të tërhiqet vëmendja në shumë vende dhe të depërtojnë tek Tabet e Llapashticës. Njësiti i Lushit përqendrohet te “Duriqët” vend afër tabeve. Atë ditë luftohej në të gjitha anët dhe pozicionet e UÇK-së sulmoheshin pareshtur, por ushtarët trima nuk largoheshin për asnjë çast nga pozicionet e tyre.
Më 27 dhjetor forcat e okupatorit prapë mësyjnë pozicionet e UÇK-së por kësaj radhe në fshatin Kastrat (ish Orbrançë). Shumë shpejtë edhe këtu arrin bashkë me ndihmësin e tij, Vedat Fetahun, të cilët pozicionohen në vijën e parë të frontit, ku qëndrojnë tërë ditën, ndërkohë që një pjesë e ushtarëve të këtij njësiti kthehen në bazë, ndërsa Jaha, me disa të tjerë, qëndrojnë aty deri më, 31 dhjetor të vitit 1998.
Më 12 janar 1999, me urdhër të shtabit, Lushi dërgohet me një grup ushtarësh si përforcim në fshatin Kastrat ndërkohë emërohet edhe komandues i këtij grupi. Gjatë kësaj kohe, në këto anë, u zhvilluan me dhjetra beteja të njëpasnjëshme.
Në ditët e para të pranverës të vitit 1999, për disa ditë kishte depërtuar në pjesën e Gallapit. Ai, me disa shokë shkoi deri në Koliq, ku mijëra njerëz ishinstrehuar në këto anë. Aty vizitoi edhe familjen. Kthehet me shokë në pjesën veriperëndimore të Llapit, ku ishte i sistemuar dhe kishte njësitin e tij që e drejtonte. Kjo ishte hera e fundit që Lushi u pa me familjen, sepse pas disa ditësh, ai bie dëshmor. Më 26 prill 1999, qëndron në Gegaj, ku kalon disa orë me ish bashkëluftëtarët e njësitit të intervenimit. Nga aty ai u kthye në bazën e tij, në Katunishtë.
Më 28 prill 1999, në një ofensivë të fortë, me ç’ rast forcat serbe përpos përdorimit të armatimit nga nga të gjitha armët, në vendin e quajtur “Tek Qukollët” hodhën edhe mjete kimike. Njësiti që ndodhej aty mori urdhër që të tërhiqet në drejtim të Kalinës. Edhe kësaj radhe ky njësit u takua me Jahën, komandant “Lushin”, i cili kishte dëgjuar për sulmin e okupatorit edhe me mjete kimike.
Asokohe me vete kisht e vetëm tre ushtarë, me të cilët kishte mësyrë majën e Kalinës për të vëzhguar terrenin. Gjithnjë shkonte i pari duke vëzhguar terrenin, por në malin e afërt ishin fshehur forcat serbe dhe pas dhjetë minutash pasi u nda nga shokët u dëgjuan rafalët e të shtënave, të cilave u përgjigjen edhe ushtarët e lirisë, por meqë Lushi ishte në pozitë më të vështirë edhe përkundër qëndresës së tij heroike, në orën 11.00, të 28 prillit 1999, bie heroikisht dëshmori i kombit, Jahë Hasani-komandant Lushi.
Lushi është varrosur atë ditë në vendin e rënies, ndërsa rivarrimi është bërë më 20 nëntor 1999 në vendlindjen e tij në Bederianë (ish Bërvenik). Në vendin e rënies, në Kalinë, mbi fshatin Bradash është ngritur një lapidar për dëshmorin.
Çlirimin e vendit dhe UÇK-së përpos komandant Lushit e ndihmuan e tërë familja e tij. Babi i Jahë Hasanit, Tahiri, ndonëse shumë herë ishte thirrur në të ashtuquajturat biseda informative, ku i kërkohej të dorëzoi ndonjë armë, ai asnjëherë edhe përkundër keqtrajtimeve të shumta, që iu bënë sidomos nga serbë: Stanku dhe Cipiripi, nuk i dorëzoi armët. Kur erdhi koha që i duheshin UÇK-së Tahiri, djemve të lirisë, ua dhuroi dy pushkë, M-48, me të cilat luftëtarët e lirisë luftuan armikun shekullor. Edhe vëllezërit tjerë të komandant Lushit dhanë kontribut për UÇK-së. Vëllai i madh, Imeri, bashkë me Bajram Pajazitin dhe Bajrush Ibishin ishin koordinatorë të rekrutimit të ushtarëve të rijnë, të anës së Gollakut. Vëllai tjetër, Ramadani, asokoh ishte në Zvicër, mirëpo luftën e ndihmoi materialisht, ndërsa Ibrahimi që punonte në Fabrikën e Armaturave Ndërtimore në Besianë shumë herë rregullonte shumë pjesë të armëve të ushtarëve të UÇK-së Ismaili ishte në radhët e Mbrojtjes Civile, e më vonë kaloi në radhët e UÇK-së.
Dëshmorit dhe heroizmit të tij i janë kushtuar këngë dhe poezi ndërsa SHP i UÇK-së e ka nderuar familjen me mirënjohje. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …