Që nga fillimi i pandemisë, zjarret në repartet Covid 19 janë një fenomen i shpeshtë në të gjithë botën. Sasitë e mëdha të oksigjenit në këto reparte dhe mundësia e rrjedhjes së tij, mund të shkaktojë zjarr që do të kishte pasoja katastrofale. Mjafton një shkëndijë elektrike dhe zjarri të përhapet me shpejtësi, për shkak të sasisë së lartë të oksigjenit në ajër.
Qendra Kilinike Universitare e Kosovës, por edhe spitalet rajonale në vend, kanë shumë reparte me të sëmurë me Covid 19, andaj si rrjedhojë nëpër ato reparte ka edhe sasi të mëdha të oksigjenit, që janë të domosdoshme për trajtimin e pacientëve.
Kontrollimi i gjendjes së këtyre aparateve me oksigjen, si dhe mënyra e përdorimit të tyre, duhet të jetë permanente dhe strikte, në mënyrë që të parandalohet ndonjë tragjedi e madhe nga zjarret në këto institucione shëndetësore, ashtu siç supozohet që ndodhi ngjarja e fundit tragjike në spitalin e Tetovës.
Gjithashtu, këto institucione shëndetësore, duhet që të bëjnë zbatimin e të gjitha ligjeve në fuqi lidhur me sigurinë në punë, si dhe plotësimim e të gjitha kritereve për mbrojtje nga zjarri dhe masave për parandalimin e zjarreve të mundshme.
Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC).