Vazhdon dezinsektimi i zonave endemike

Në territorin e Komunës së Malishevës, krahas aktiviteteve tjera, në kuadër të zbatimit të strategjisë për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), është duke vazhduar dezinsektimi i zonave endemike. Kjo fushatë, është duke u bërë në fshatrat Marali dhe Gurishtë (ish Goriq), ndërsa fushatën e dezinsektimit, e kanë parë nga afër edhe i pari i Malishevës, Ragip Begaj, me drejtorin e emergjencave Sajdi Paçarizi dhe drejtorin e shëndetësisë, Hajdin Berisha.

Kryetari Begaj, me drejtorët Berisha e Paçarizi, fillimisht janë takuar me përgjegjësit e kompanisë “Truly Nolen”, e cila është duke e kryer dezinfektimin, ku janë njoftuar me ecurinë e kësaj fushate. Sipas përgjegjësve të kompanisë, dezinsektimi po ecën mirë dhe nuk kanë probleme gjatë spërkatjes, si në fushë, ashtu edhe në oborret dhe kopshtet e banorëve.

Më pas, është biseduar edhe me banorët e Gurishtës, ku këta të fundit, i kanë falënderuar të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë fushatë të dezinsektimit kundër rriqrave, si bartës së virusit të EHKK. “Ne ndihemi më të sigurt, në veçanti për fëmijët, të cilët gjatë ditës janë ekspozuar në fushë, duke luajtur apo duke i ruajtur bagëtitë”, thanë disa nga banorët e këtij fshati.

“Jemi duke u munduar dhe jemi duke dhënë gjithçka nga ana jonë, në mënyrë që të mos kemi raste të infektimit, apo të vdekjeve nga ethet hemorragjike. Nëse arrijmë që edhe në vitin e tretë radhazi, të mos kemi raste të vdekjeve, është një sukses i jashtëzakonshëm, për të gjithë ne dhe për të gjithë ata që janë angazhuar në për luftimin dhe parandalimin e këtij virusi”, tha me këtë rast kryetari Begaj.

Po ashtu gjatë ditës së  sotme, është duke vazhduar me ligjëratat vetëdijesuese me nxënësit e shkollave të Komunës së Malishevës, për rrezikun nga pickimi i rriqrave dhe masat parandaluese, për të mos ardhur në kontakt me rriqrat, apo edhe pas pickimit, për mënyrën e trajtimit. Ligjëratat janë duke i mbajtur stafi i QKMF të Malishevës, të përkrahur edhe IKSHP dhe IRSHP në Prizren.

Në të njëjtën kohë, po vazhdon edhe cikli i dytë i repelimit të kafshëve, po ashtu njëra prej masave më efektive për të parandaluar kontaktin me rriqra dhe ndërprerjen e ciklit të rriqrave. Repelimi i kafshëve, sot është duke u kryer në fshatrat Dragobil, Marali dhe Astrazup.

Sa i përket situatës epidemiologjike, sipas drejtorit për shëndetësi, Hajdin Berisha, “pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, deri më tani, nuk ka raste të infektimit me EHKK”. Berisha, po ashtu tha se “vlen të theksohet, se gjatë vitit të kaluar, falë masave të ndërmarra, ngritjes së vetëdijes dhe kujdesit të shtuar nga vet qytetarët, nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me EHKK, ndërsa në dy vitet e fundit, po ashtu nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes me EHKK, në territorin e Komunës së Malishevës”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …