Nën organizimin kryetarit, Bashkim Ramosaj, u përurua libri: "Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit", vepër e autorit, Adem Lushaj

Nën organizimin e kryetarit, Bashkim Ramosaj, u përurua libri: “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit”, vepër e autorit, Adem Lushaj

Në Deçan, nën organizimin Kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, është bërë promovimi i  librit “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit”, libër që prezanton krimet e kryera gjatë periudhës janar-qershor 1999 në territorin e Komunës së Deçanit, nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbo-sllavë. Në këtë libër prezantohen dëshmitë e mbi 200 dëshmitarëve dhe viktimave, dëshmi të mbledhura gjatë periudhës korrik-dhjetor 1999, së bashku me Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG). Përmes këtij libri jemi munduar t’a dëshmojnë krimin gjenocidial të Qeverisë së ish-Jugosllavisë, ndaj popullatës së pambrojtur deçanase, në krye të së cilës qëndronte kryekrimineli Sllobodan Millosheviç. Në të gjitha ofensivat e ndërmarra në këtë anë të Kosovës, nuk ishin kursyer gratë, pleqtë dhe as fëmijët. Krimet e bëra në këtë anë, bazuar në dëshmitë e prezantuara edhe në këtë botim, ishin natyrash të ndryshme, duke filluar nga plaçkitjet, torturimi psikik e fizik, djegia e shtëpive, granatimi dhe shkatërrimi i objekteve kulturore, historike dhe fetare, pastaj plagosje, arrestime dhe burgosje, vrasje dhe djegie kufomash, ekzekutime në masë, si dhe dhunime seksuale.

Jam i vetëdijshëm se nuk kam mundur t’i pasqyroj në këtë botim tërë krimet serbe të kryera në të gjitha lokalitetet Komunës së Deçanit dhe të Junikut, ngase ka qenë e pamundur të përfshihen të gjitha brenda kopertinave të këtij libri dokumentues dhe argumentues, njëkohësisht. Në anën tjetër, gjatë periudhës së mbledhjes së deklaratave kanë mbetur shumë dëshmitarë pa u intervistuar për shkaqe objektive, por edhe subjektive. Prandaj, disa periudha kohore në të cilat ka qenë i shtrirë terrori i makinerisë serbe, kanë mbetur të pa prezantuara, ose të prezantuara vetëm sporadikisht. Sigurisht se viti 1998, mbase shumë i rëndësishëm për t’u përshkruar i tërë terrori i ushtruar mbi popullatën e Deçanit dhe Junikut, mbetët jashtë këtij libri, pikërisht për vështirësitë e përmendura. Shpresojmë të mbushim këtë zbrazëtirë me një botim në një të ardhme jo të largët.

Nga dëshmitë e prezantuara del se vërtet krimi ka adresë. Se kriminelët kanë emër dhe mbiemër! Këto dëshmi të pasqyruara në këtë libër, sipas lokaliteteve dhe datave të zeza për shqiptarët e përndjekur e të persekutuar, edhe sot mund të shfrytëzohen nga institucionet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare për të rehabilituar sado pak, të prekurit e të persekutuarit e ofensivave të përmendura.

Nuk do mend se viktimat e këtij krimi kërkojnë drejtësi. Familjarët e viktimave kërkojmë ndëshkimin e ekzekutorëve të të afërmve të tyre. Kërkojnë gjetjen dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve të tyre.

Prezantimi i këtyre të dhënave në këtë botim mund të jetë një nismë për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera në territorin e Kosovës. Mirëpo, nuk e përjashtojmë faktin se ky punim mund të nxit reagime institucionale, politike apo edhe të ndonjë individi ose të ndonjë familjeje. Të dhënat e prezantuara janë nga dëshmitarët e drejtpërdrejtë, numri më i madh i të cilëve ishin viktima të krimit serbo-sllav. Po ashtu, në këtë botim nuk kemi bërë dallim nëse disa nga të rënët janë dëshmorë, heronj apo martirë të luftës, ngase këto kategori janë të rregulluara nga institucionet përgjegjëse.

Ky botim shpresoj se do të plotësohet edhe më dëshmitë të tjera, të mbledhura edhe për periudhën mars-dhjetor 1998. Në këtë periudhë Deçani ishte vënë nën flakët e luftës. Arsyeja pse është marrë periudha janar-qershor 1999 është për faktin se krimi serbo-sllav mundohej të fshihej pas sulmeve të NATO-s. Arsyeja tjetër është se për periudhën 1998 na nevojitet një kohë më e gjatë e dokumentimit, ngase shtrirja e luftës ishte në gjithë territorin e komunës së Deçanin.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …