Llazar Llazari: Duke kujtuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe dëshmorët e saj III

Llazar Llazari: Duke kujtuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe dëshmorët e saj III

      Lufta që përfshiu ajkën e djalërisë së shqiptare… 

 

Sulmin e pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste,  mbarë populli e veçanrisht shumica e rinisë dhe e  intelektualëve në vend, e pritën me indinjatë të thellë. Përsëri shumica e tyre jo vetëm ushqeu e shprehu urrejtje, por as nuk ra në kurthin e fashistëve, me joshje e premtime për t’i mbajtur në punë shtetërore, apo me tregëtira ‘fitimprurëse‘, me dhënie bursash, postesh e gjithfarë lehtësirash. Kuptohet me një kusht “të vogël“, të pranonin e të bëheshin anëtarë të partisë fashiste. 

Ata ishin të bindur që jo fashistizimi i vendit, por lufta kundër pushtuesit e çlirimi i tij, ishte e vetmja rrugë që do ta nxirrte në dritë Shqipërinë. Luftë që kishte filluar në mbarë Evropën kundër murtajës fashiste e naziste… Pa ngurim do të shprehesha, se rezistenca spontane apo e organizuar antifashiste, nuk filloi vetëm me plumba në gjithë portet shqiptare më 7 Prill 1939. 

Ajo kish filluar vite më parë, që me shkuarjen si luftëtarë internacionalistë në luftën e Spanjës, të dhjetra shqiptarëve, ndër ta edhe Skënder Luarasi apo leskoviqari Kosta Dhimitri, që vdiq nga torturat në kampet e nazizmit në Francë, në dhjetor 1944, kur Shqipëria ishte çliruar…

U shfaq më pas në shkollat ushtarake në Itali, ku studentë shqiptarë nuk u betuan mbi flamurin fashist dhe braktisën studimet. Kështu, krahas dhjetra të tjerëve, vepruan edhe studentët kolonjarë në Itali, Skënder Çaçi e Spiro Shalësi. Formë e rezistencës ishte edhe qëndrimi i sa e sa nëpunësve, mësuesve e të tjerë intelektualve, që braktisën punët dhe nuk pranuan të bëheshin anëtarë të partisë fashiste. Kështu vepruan mësuesit Josif Pashko e Koço Prifti (drejtues të krahinorit), apo dy dëshmorët normalistë, Mehmet Pepi e Mustafa Jashari (Radovicka).

Rehovarin Jani Jarazi, pushtimi fashist e gjeti në Korçë, ku kishte shkuar për të punuar e fituar diçka më shumë se në fshat. Por kur filloi rezistenca antifashiste, pa hezitim ai iu bashkua asaj. Lufta për çlirim ishte për të mbi punën e paranë, mbi gjithçka, madje edhe mbi jetën. U bë një luftëtar i guximshëm dhe pikërisht në betejë me pushtuesit u vra tek Guri i Bletës në malësitë e Librazhdit, sikur të mbronte pragun e derës së tij në vendlindje, në Rehovën që e deshte aq shumë…

Gjimnazisti Pali Prifti, një djalë inteligjent, me prirje të veçanta edhe në letërsi, pikturë e violinë, mund të shkonte me studime në Itali e gjetkë, siç e kishte ëndërr. Por për diçka më të lartë e braktisi ëndrrën dhe u përfshi aktivisht në luftën N Cl. Pasi kishte braktisur punën në Kukës e ishte kthyer ne Kolonjë, qysh në fillimet e vitit 1942, tashmë i rreshtuar në anën e rezistencës antifashiste, Mehmet Pepi edhe pse i martuar rishtas e me një djalë të porsa lindur, ishte përfshirë tërësisht në këtë rezistencë. Ai vepronte në gjithë fshatrat “Mbi Xhade” siç quheshin në atë kohë nga Kozeli në Arrëz, madje përgjegjës për këtë veprimtari në terren. Së bashku me Pali Priftin e të tjerë merrnin pjesë edhe në aksione luftarake, ishin nga veprimtarët më të vendosur e të qartë, më bindës e trima, me autoritet e besim tek banorët, të cilët i donin, i dëgjonin, i strehonin dhe i mbronin…

 Të dy ata dhanë jetën për lirinë e të gjithve jo thjesht se ishin komunistë, por së pari se ishin atdhetarë të flaktë, që e donin vendin më shumë se veten, që e donin lirinë më shumë se jetën, që e vunë luftën për çlirim mbi rehatinë e interesin e tyre…  Madje Mehmeti, edhe mbi familjen e tij të re.        

 

        Detaje të vogla që flasin shumë… 

 

Për luftën dhe sakrificat e luftës nuk flasin vetëm betejat e aksionet ushtarake kundër pushtuesve të huaj e kolaboracionistëve vendas, që u rradhitën në anën e tyre.

Ka detaje të veçanta, të bindjeve e të shpirtit të njeriut, në dukje të vogla, që flasin shumë, sa për faqe e faqe   të tëra gazetash e librash… Reshit Çollaku, një nga studentët akademistë në Itali, si të tjerë shqiptarë, nuk pranoi betimin fashist dhe braktisi studimet. U kthye në atdhe e shpejt u detyrua të emigronte në Jugosllavi për t’i shpëtuar përndjekjes së regjimit të kohës. Atje u njoh, u dashurua e u fejua me një vajzë që e deshi shumë. Kur babai i saj (dhe ai i larguar si antifashist), u propozoi të fejuarve, që mund t‘i ndihmonte financiarisht të shkonin në Amerikë e të ndërtonin jetën larg luftës, Reshiti pa u menduar gjatë, i tha.

-Unë u fejova me vajzën tënde se e desha. Po dua më shumë lirinë e vendit tim. Unë prandaj e braktisa akademinë, ndryshe kisha qëndruar atje. Unë do të kthehem e do të luftoj në Shqipëri, pavarësisht se ç’mund të ndodhë…

Ai u kthye, u vu në krye të batalionit të Mokrës dhe ra heroikisht në Pojskë, si një hero i vërtetë, me mitroloz në dorë në korrik 1943, së bashku me nëntë luftëtarë të tjerë…

Mehmet Pepi mund të vazhdonte mësuesinë e t’i qëndronte luftës mënjanë, bashkë me gruan e djalin e porsa lindur. Por jo, ai përsëri vuri luftën për liri mbi jetën, mbi familjen. Ai ishte ilegal dhe Afërdita, gruaja e tij shtatzanë, nuk qëndronte dot në shtëpinë e saj në Starje, por strehoej e lëvizte nga një fshat në tjetrin. E lindi djalin në Shtikë, në një ditë me Thoma Priftin dhe ai mjek nga ai fshat. Madje u pagëzuan në një ditë, edhe pse jo i fesë ortodokse. Ja kështu i gjendeshin njeri-tjetrit  njerëzit  në atë  kohë, pa pyetur as për rreziqet për vete e fëmijët.

Në jo pak raste, kjo nënë e re, me fëmijën në krah, kapërxente me vështirësi Gramozin e strehoej në Plikat në anën tjetër. Bashkë me të tjera nëna rehovare shtatzëna apo me fëmijë të vegjël.

Me merakun e përherëshëm për fatin e të shoqit në luftë, ajo luftonte në anën tjetër me vështirësitë e rreziqet e shumta, të mbronte jetën e djalit të saj, që ishte vazhdimësia, e ardhmja e asaj familje të re…

Në këto rrethana aq të vështira, nënës së re i ishte larguar qumështi, por Gëzimit të vogël i jepte gji një tjetër nënë, rehovarja Krisanthi Prifti, sikur ta kishte binjakun e vajzës së saj të porsa lindur…

 Ky ishte solidariteti e dashuria mes njerëzve në ato kohë, një tjetër armë e rëndësishme e rezistencës e kapërximit të vështirësive e rreziqeve të luftës…  

 

 

        Monumente që flasin… 

 

 Në Ersekën e dikurshme, qendër e vogël e krahinës lavdimadhe të Kolonjës, mes atij  sheshi shtruar me kalldrëm që nga koha e qeverisë së Nolit, nuk ka bir e bijë të kësaj treve, që të mos e identifikojë  kontributin e trimërinë e saj, me atë monument të gurtë, ‘mbirë‘ nga toka mëmë. “Zbritur“ nga Gramozi, shqiponja e bronztë në majë të tij, qëndron si kurorë lavdie. Kurse portreti po i bronztë në mes, simbolikisht është gjithkush  nga  atdhetarët, që  në  breza  ka luftuar  me pushkë e penë për atë vend.  Nuk mund të kuptohet ai shesh, pa atë monument. Nuk ka të huaj që të mos derdhë shikimin tek ai. Sa e sa të tjerë bëjnë një foto e pafund janë ata që kanë kujtime dhe e sjellin ndërmend në biseda e diskutime për vendlindjen.

Mjeshtri përmetar, Odhise Paskali, sikur kishte rënë në dashuri me Kolonjën, me historinë e saj të pasur, me kontributin e saj.

Nuk është aspak rastësi, që në veprat e tij të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, ai, tre punë i ka të lidhura me Kolonjën.

Monumentin e gurtë në qendër të Ersekës, kushtuar rilindasve e luftëtarëve kolonjarë; shtatoren e atdhetarit Themistokli Gërmenjit në lulishten në qendër të Korcës dhe memorialin në Pogradec, po në qendër të qytetit të bukur liqenor në krah të Bashkisë…

Sa herë kaloj në krah të tij, është e pamundur të mos hedh sytë me admirim, nga ai memorial, vepër e babait të skulptorës shqiptare Odhise Paskali. Jo i madh basorelievi i bronztë në qendër të tij, por mënyra e punimit, një skenë masive beteje e trimërie, i japin aq shumë madhështi. Pra edhe ky i viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, i paguar me kontributin e pogradecarëve. Shprehje e mirënjohjes së tyre ndaj 300 luftëtarëve kolonjarë, që në vitin e mbrapshtë 1914, iu përgjigjën thirrjes së atdheut, për t‘u përballur me forcat regresive haxhiqamiliste, esadiste e  atyre   nga  jashtë,  që  i  inkurajonin e  mbështesnin për të  prishur Shqipërinë.   70 luftëtarë të Kolonjës, derdhen gjakun në këto troje, sikur të ishte pragu i shtëpisë së tyre.  Ndër ta edhe një nga më të shquarit trim e bir trimi, Gani Butka; apo komandanti i shquar Zalo Prodani; vëllai i Themistokliut, Telemak Gërmenji, e dhjetra të tjerë… 

Sejcili reagon sipas mënyrës së vet. Dhe unë për këtë ngjarje e këtë memorial, modestisht do të shkruaja një poezi që mbyllet me vargjet:

Kudo në këtë vend, çdo pëllëmbë toke,

Në Kolonjë a Pogradec, ishte Nënoke.

 

Mjeshtri përmetar e njihte kontributin e Kolonjës e bijve të saj, frymëzohej prej tyre dhe i përjetësoi me artin e tij. Nuk ka e nuk do të ketë gojëshqyer, që mund të arrijë të përbaltë dëshmorët…  (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …