Në vazhdën e takimeve me kryetar të komunave në zonën e shërbimit, udhëheqësit e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” sh.a. në përbërje të Bordit të Drejtorëve Amir Gashi – kryesues, anëtarët, Hasan Zeqiri dhe Ilir Rexhepi , UD i Kryeshefit Ekzekutiv Ilir Abdullahu dhe sekretari i kompanisë Salih Gjonbalaj, të enjten takuan kryetarin e komunës së Graçanicës Vladeta Kostiç dhe drejtorin e shërbimeve publike Vladica Trajkoviç.
Gjatë këtij takimi u diskutua për gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, furnizimin me ujë të pijshëm për Komunën e Graçanicës me fshatra, investimet, zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike në mënyrë që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën ligjore për të përfituar nga ky ligj, planet konkrete të bashkëpunimit, projektet specifike zhvillimore, sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, rritjen e shkallës së arkëtimit, rritjen e kërkesave për shpenzimin e ujit të pijshëm gjatë sezonit të verës dhe marrjen e masave adekuate për gjobitjen e personave fizik dhe juridik që zihen në flagrancë duke e shpërdoruar ujin e pijshëm përmes një Urdhërese Administrative që do t’i parandalonte ato keqpërdorime, që të gjitha në kontekst të zgjerimit të rrjetit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj konsumatorëve të kësaj komune.
Bordi i drejtorëve i kryesuar nga Amir Gashi dhe anëtarët e tjerë, falënderuan kryetarin Kostiç dhe stafin e tij shoqërues për pritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme lidhur me të gjitha projektet dhe investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe ujërave të zeza për të gjithë qytetarët e komunës së Graçanicës, duke ritheksuar përkushtimin maksimal të udhëheqjes së tij personale dhe anëtarëve të tjerë të bordit, kundrejt bashkëpunimit dhe bashkërendimit të investimeve, në funksion të ngritjes së efiçiencës dhe furnizimit sa më të mirë me ujë të pijshëm.
Kryetari Kostiç duke e përgëzuar udhëheqjen aktuale të Ujësjellësit “Prishtina” për mënyrën e qasjes ndaj palëve të interesit dhe gatishmërinë e treguar deri më tash për të çuar kompaninë përpara, përmes dhënies së këshillave dhe realizimit të investimeve e projekteve të ndryshme, u zotua se Komuna e Graçanicës me të gjitha kapacitetet e saj do e mbështesë këtë kompani në kontekst të avancimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të investimeve si dhe trajtimit ndër institucional të çështjeve të lartcekura. Ai njëkohësisht falënderoi edhe punëtorët e Njësisë Operative të Ujësjellësit në Graçanicë për bashkëpunim të shkëlqyeshëm në zgjidhjen e problemeve teknike për qytetarët e kësaj komune, të cilët kanë treguar përkushtim të madh të bashkëpunimit me strukturat e kësaj komune.
Kryetari Kostiç si çështje të rëndësishme ngriti, zgjerimin e sistemeve të reja për furnizim me ujë të pijshëm për qendrën e kësaj komune, zonave rurale, me theks të veçantë për zonat industriale përgjatë magjistrales Prishtinë – Ferizaj. Ai i njoftoi udhëheqësit e Ujësjellësit ”Prishtina” lidhur me një projekt të një rëndësie tejet të veçantë për qytetarët e komunës, investim nga Qeveria Austriake për ndërrimin e infrastrukturës së rrjetave të ujësjellësit për qytetin dhe zonat përreth. U diskutua edhe për investime tjera të përbashkëta për rrjetin e ujësjellësit dhe mirëmbajtjen e ujërave të zeza, duke lënë vend për bisedime tjera të mëtejme lidhur me ndërtimin e Impianteve për Trajtim të Ujërave të Zeza për komunën e Graçanicës.