Mona Agrigoroaiei

Mona Agrigoroaiei: Një tufë poezish

Në një sferë

 

Si një top që rrotullohet; 

si një leckë që nuk çmohet; 

si një enë që rrëzohet

e thyer.

Si një ar shumë i vyer, 

si ajri që fryn, si një erë 

është zemra jote në një sferë.

 

 

Vendi i fshehtë

 

Në një vend shumë të thell’; 

Në një vend ku s’ka mëshirë; 

Në një vend ku me shumë zell, 

ka pasione dhe dëshirë. 

 

Dhe pse vend shumë i gjerë; 

Është një vend që ka ngushticë. 

Në një vend ku nuk ka vlerë 

dashuria; është pakicë. 

 

Në një vend ku gjen përçmim; 

Në një vend ku nuk ka shpres’ ; 

Plot mjerim, ego, hidhërim, 

në shpirtin që ngadalë vdes. 

 

Në një vend që nuk ndryshon, 

dhe pse i shkreti njeri përpiqet; 

Gjakftohtësi nga jashtë tregon, 

por digjet, përbrenda digjet! 

 

Një vend të fshehtë kërkoj të njoh, 

të zbuloj, të tregoj çfarë je. 

Një zemër të fashuar shoh, 

Por hiqesh sikur fashë nuk ke. 

 

Vendi i fshehtë është aq i thellë 

sa as ti plotësisht s’e njeh; 

në një vend ku çfarë ti mbjell, 

rritet dhe në vete e sheh. 

 

A mundesh disa rrënjë të mbjellësh, 

disa rrënjë të dashurisë? 

Në mënyrë që kur të vjelësh, 

të kesh fryte të përjet’sisë! 

 

Një varkë e vogël në mes të stuhisë

 

Një varkë e vogël në det të hapur, 

drejt horizontit me nxitim vazhdon; 

pa numëruar se sa peshq ka kapur , 

për peshkim, pa pushim rrjetat i lëshon. 

 

Në rrjetë bien peshq, por ca janë helmues , 

ca të ngordhur, ca në fillim të jetës, 

ca të tjerë që janë edhe shkatërrues, 

ca të tjerë të lodhur ngjiten përgjatë rrjetës. 

 

Mendo, o i zgjuar, dhe zgjidhe k’të mister: 

varka është zemra, e deti është kjo bot’ ; 

horizonti është jeta, e cila plot me vrer 

të tërheq drejt saj me peshqit që ka sot. 

 

Rrjeta janë vendimet ; rrjeta janë mendimet ; 

Rrjeta janë dështimet të zhytura në lot ; 

Peshqit janë helmimet, janë zhgënjimet ; 

janë zakonet që vështirë se i heqim dot. 

 

Shiko se çfarë zemra jote mban: 

rrjeta plot me peshq të ngordhur; 

dhe fryma e njeriut qan dhe qan, 

për çdo vendim të marrë të lodhur. 

 

Shiko çfarë zemra jote mendon: 

rrjeta me peshq shkatërrues ; 

mendon, ndjen dhe pastaj vepron, 

në një dështim jetëndikues. 

 

Zemra e njeriut e shkret’ , 

e mbyllur në burgun e krenarisë ; 

vendos veten në fron si mbret, 

si një varkë e vogël në mes të stuhisë.

 

Shinat e vetmuara

 

Nëse do mundesha të shkoja larg, 

Do shkoja patjetër diku në natyrë; 

Do filloja të thur për të ndonjë varg, 

e të veçohesha nga botë e ndryrë. 

 

Në shina të vetmuara në mes gjelbërimit, 

ku nuk duket ndonjë tren gjëkundi; 

Rrëmbej rrugën time të frymëzimit 

në shina të cilave s’u duket fundi. 

 

Në shina të vetmuara filloj e bërtas; 

Në shina të vetmuara zërin e lëshoj; 

Në shina të vetmuara me forcë thërras: 

“A është ndokush që do të ndryshoj’?” 

 

Në shina të vetmuara vështroj; 

Në shina të vetmuara këlthas, 

Në shina të vetmuara shikoj 

një bukuri të rrallë, të pamasë. 

 

Por në ato shina unë nuk shikoj, 

as këmbë njeriu, as shpirt të gjallë; 

Në shina të vetmuara një varg ndërtoj 

për njeriun e vdekur që kam mall. 

 

Ka vdekur, është shuar, në helm është tretur; 

s’ka mbetur dashuri në zemrën e tij; 

Njeriu i shkretë krejtësisht i mekur, 

është plakur shpejt, pa qenë njëherë fëmij’. 

 

Por nëse do mundesha të shkoja larg, 

Do shkoja patjetër diku në natyrë; 

Do filloja të thur për të ndonjë varg, 

e të veçohesha nga botë e ndryrë.

 

Të kisha krahë

 

Ndonjëherë do doja krahë të kisha, 

të mund të shkoja lart në qiell; 

të mund të shihja se ku isha, 

të shoh në zemër se ç’kam mbjell’. 

 

Të mund të shihja varkën time, 

teksa lundron në oqean; 

të mund të shihja në kujtime, 

çdo thesar që ajo mban. 

 

Të shihja çdo dështim të mbytur, 

çdo gabim që shpesh kam kryer, 

çdo rrëzim në oqean zhytur, 

me rifillim për t’i këmbyer. 

 

Por për krahë unë s’kam nevojë, 

se nuk është larg imja zemër; 

nëse ajo ësht’ bërë rrënojë, 

do të thirret me një emër 

të ri, me një ndryshim në pah, 

se vet’ zemra ime do ketë krah’.

 

Gënjeshtra

 

Në fillim dikush e thot’, pastaj dhoma s’e mban dot,

Kështu gjuhët si një rrot’ jashtë e rrokullisin. 

Më pas turma e thërret, dhe më kurrë nuk e humbet,

por e shet edhe e shet gjersa njerzit e gëlltisin. 

 

Pasi ësht’ gëlltitur dhe vërdallë vërtitur, 

lehtë duke shëtitur hiqet si e vërtet’. 

Teksa turma e vë re, të vërtetën shpejt e zbeh, 

por gënjeshtrën lart e ngre në fron për ta bërë mbret.

 

Gënjeshtra në fron ulet, dhe më kurrë nuk përkulet,

por lart vazhdimisht ngrihet si bazë realiteti. 

Por teksa jashtë nuk i rrihet, kur mendojnë se fshihet,

përmes mjergullës shihet një copëz prej vërteti.

 

Një gjethe që lart fluturon…

 

Në një vjeshtë plot hijeshi, 

ku plot magji e verdha rritet, 

një gjethe, në të sajën rini 

është këputur e lart ngjitet. 

 

Duket sikur formon shkallë,

duket sikur po vrapon. 

Për ku të jetë nisur vallë,

teksa shpejt për lart marshon? 

 

Askush s’e di me siguri, 

as vetë gjethja mesa duket, 

teksa shfaqet një stuhi 

dhe papritmas ajo zhduket. 

 

Teksa retë rradhë janë rendur,

teksa era nuk ndalon, 

teksa shiu bie dendur

dhe rrufeja fort ndriçon; 

Teksa dielli fare s’ndihet, 

teksa dita errëson, 

teksa qielli nga retë fshihet, 

lart mbi re nëse vështron, 

diçka e mrekullueshme shihet: 

 

një gjethe që lart fluturon.

 

Fjalët e fluturës

 

Njëherë diku thellë në pyje, 

në një vend disi të futur, 

ku kish’ shumë ngat’rrim dhe nyje, 

fluturonte lehtë një flutur. 

 

Një vog’lush duke u tundur, 

tek vraponte plot gëzim, 

krejt papritur kishte humbur

dhe kish’ mbetur pa drejtim. 

 

Por një flutur kalon pranë, 

i afrohet dhe i flet: 

“Rri këtu, mos shko matanë, 

sepse duan të t’bëjnë mbret!” 

 

Vogëlushi nuk kuptonte; 

kishte humbur thellë në pyll. 

Matanë donte të kalonte, 

por flutura mbante një yll. 

 

“E shikon këtë ndriçim? 

E shikon se ç’lumturi? 

E shikon k’të rrezatim 

të të qenurit fëmij’ ? 

Atje duan të të rrisin; 

duan mendjen lëmsh ta kesh; 

duan zemrën të ta grisin; 

për sa kohë pushtet të kesh. 

Oh, por ti matanë mos shko! 

Mos lejo të të bëjnë mbret! 

Një fëmijë vazhdo qëndro, 

në një botë kaq të shkret’. “

 

Një melodi lotësh

 

Për kryelartin krenar

që mendon se diçka di,

por që është thjesht qyqar

pa një grimcë dashuri:

Luajmë një melodi lotësh!

 

Për hipokritët e ndyrë

që ndjekin interesin;

që duan më shumë se një fytyrë,

por të pafytyrë mbesin:

Luajmë një melodi lotësh.

 

Për të vetmuarin që kërkon

të gjejë shoqëri në bot’.

Për botën që vetë vetmon,

e zhytur, e mbytur, errësirë plot:

Luajmë një melodi lotësh.

 

Për atë mjeran të shkret’

që mendon botën të pushtojë,

mbi të tjerët të jetë mbret,

mbi të tjerët të sundojë:

Luajmë një melodi lotësh.

 

Për të riun që do mendojë

botën të ndryshojë. (Ç’marrëzi!)

Por kur në botë të qëndrojë

Për paranë do ketë lakmi:

Luajmë një melodi lotësh.

 

Për atë që vetëm qan,

dhe për jetën veç ankohet;

Për atë që barra mban,

dhe kur bie nuk dorëzohet:

Luajmë një melodi lotësh. 

 

Treni i së shkuarës

 

Larg në horizont shoh një tren,

që furishëm ndër shina rrjedh.

Në ndërgjegje vazhdimisht më bren,

teksa në të kujtime më vjedh. 

 

Mbase është një tren dështimesh,

që dëshiron të zhytet në det;

Mbase është një tren zhgënjimesh,

që më nuk dëshiron të jetë. 

 

Brenda trenit kish’ njerëz plot,

me mbishkrim në ballë: “E shkuar”. 

Por në tren mbishkruhej: “Sot”

e për në thellësi ish’ drejtuar. 

 

Një tren i madh, i gjatë shumë,

të shkuarën time e ka mbledhur;

Për të vërshuar si një lumë,

në det të gjitha për t’i derdhur. 

 

Teksa stuhia po afron,

dhe dallgët lart ngrihen,

treni më me vrull shpejton

dhe kujtimet brenda mpihen.

Dëshiron shumë thellë të shkojë,

në mes të detit të arrijë synon; 

Aty ku kujtimi dhe po të dojë

të kthehet, dështon, 

dhe në thellësi qëndron. 

 

Tren i bekuar, i mbushur me mua,

me njerez, momente dhe kujtime plot.

Nuk të urrej, por as s’të dua,

Se në të shkuarën nuk jetoj dot. 

 

Prandaj tani, lamtumirë 

bashkë me çdo gjë të vjetër

Në mua e re ngrihet një dëshirë

për të provuar diçka tjetër:

 

Të tashmen! 

 

Ndriçim dashurie

 

Do doja të shkruaja për vetminë,

por nuk mundem!

Do doja të thurja një varg për mërzinë,

por lëkundem!

Do doja për dështimin të mendoj,

por pengohem!

Mbi errësirën do doja të meditoj,

por verbohem! 

 

Vetmia në zemrat e njerëzve, ësht’ pak?

Mërzia në frymë të vdekur, s’ka shkak?

Dështimi në miqësitë e tyre, mungon?

Errësira në shpirt të mekur, s’verbon?

 

Nëse dashuri në zemër ke të mbirë,

dhe gëzimin në gjëra të vogla ta gjesh,

vetmi, as mërzi; dështim, as errësirë

në shpirtin tënd kurrë nuk do të kesh.

 

Prandaj, o bir njeriu, në lutje të kërkoj

ndaj krenarisë sate shtazore të vdesësh.

Errësira e botës ndriçimin tënd do doj’

ta shuajë, por të lutem ta ndezësh.

 

Një ndriçim i pashueshëm dashurie 

Mund t’i japë kryelartit një zemër fëmije.

Një urtësi e magjishme përtej çdo njohurie:

Ndriçim dashurie, ndriçim dashurie!

 

Çel, o imja zemër

 

Çel, o imja zemër!

Petalet e tua frymë le të marrin!

As për famë e as për emër,

po për jetën pa parë varrin!

 

Çel, oj zemër, çel,

se bota atje jashtë po t’mbyt…

Sa herë petale e re të del

ajo ta pret e n’llucë ta zhyt.

 

Oh, por ti zhytu në një vend më t’mirë,

në një lumë të thellë të pastërtisë!

Shkul rrënjët e tua nga ujërat e ngrirë

e mbilli sërish në lumë të dashurisë!

 

Çel, o imja zemër, të gjallë të të shoh,

zhvish gjethen e kalbur dhe kërcell të vjetër.

Çel në dashuri që diell i saj të t’ngroh’,

të shfaqesh siç je, unike, si jo tjetër.

 

Bisedë me kohën 

 

Më kanë thënë të të kërkoj,

një bisedë të bëj me ty.

Të vërtetën ta gërmoj

dhe ta shoh drejt në sy.

 

“Mirë se vjen, udhëtar 

të vërtetën ta vëzhgosh.

Unë të gjitha i kam parë

shih dhe ti që të mësosh.” 

 

Të shoh thellë hezitoj,

refuzoj që të di shumë;

A s’ka qenë gjithmonë njësoj,

moçal i ndenjur dhe jo lumë?

 

“Këtu, djalosh, je i saktë,

bota rrjedhën ka ndërprerë.

Të sinqertët janë të paktë,

por të shumtë ata pa nder.”

 

Si i bëhet, atëherë?

Ç’do të thotë të jesh njeri?

Ç’do të thotë të kesh vlerë?

Ç’do të thotë ‘dashuri’ ?

 

“Ti po kërkon në vendin e gabuar,

po vëzhgon, por gjë s’po sheh…

gjithçka që unë përgjatë kam treguar:

njeriu as veten, as vlerën s’e njeh.”

 

Dhe koha hapi krahët e saj, më tregoi:

Luftëra, kulturë, krenari për pushtet;

sesi njeriu gjithë botën e pushtoi,

por dështoi të pushtojë vetë zemrën e vet.

 

Edhe një herë

 

Kur dielli të zbehet, të perëndojë

mbi atë që njerëzit quajnë “dështim”,

thyerja do të më inkurajojë

që të tentoj sërish në agim.

 

Kur nata të jetë e gjatë në errësirë

dhe gjithë yjet e saj të jenë shuar,

drita në zemrën time të lirë

do të më thotë sërish për të provuar.

 

Kur era e stuhisë furishëm të fryjë

dhe të mos shoh asgjë, veçse erë,

shpresa e patundur do të më shtyjë

që të provoj sërish, edhe një herë. 

 

Edhe sikur dielli më të mos ndriçojë,

errësira, stuhia t’më quajnë të pavlerë,

sërish, vazhdimishit ky shpirt do tentojë,

do ngrihet, do provojë nesër dhe një herë.

 

Ecja njerëzore 

 

Sytë i ngre lart, përmbi qiej vëzhgoj;

mendoj për njeriun, ndërgjegjen e tij.

Si fëmijë përbrenda filloj të lotoj; 

shpresoj që drita në zemër t’i ndrijë.

 

Po drita shkëlqen, errësira s’kupton,

vazhdon njerëzia që të mëkatojë;

të dojë njeriun njeriu nuk mendon,

lejon ta trajtojë shpirtin si një lojë.

 

E shpirti shkatërrohet, pa u ndjerë,

vlerë më nuk ka, dhe pse i shitur;

ngritur në piedestal njeriu i mjerë,

i rritur në mendje, në zemër i mitur.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …