leoni

DR. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë I

Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:

“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave  e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve  e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Nr. 1

Udhëzim mbi takimin që do të bëj shoku Sokrat Plaka në Ministrinë e Punëve të Jashtme jugosllave lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë

Tiranë, më 4 prill 1981

Lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë kërkoni menjëherë takim me një zëvendëssekretar federativ të Punëve të Jashtme dhe, pas përshëndetjeve të zakonshme, i thoni sa vijon: “Konstatoj se marrëdhëniet midis dy vendeve tona zhvillohen normalisht në frymën e politikës së fqinjësisë së mirë në fushën e tregtisë, të kulturës dhe në fusha të tjera të interesit reciprok, ku kemi rezultate pozitive. Për sa i përket problemeve ideologjike pikëpamjet dhe pozitat e të dy palëve janë të njohura.

Në përputhje me politikën e saj parimore, Shqipëria nuk ka ndërhyrë e nuk ndërhynë në punët e brendshme të Jugosllavisë, gjë që e dëshirojmë edhe nga ana e saj ndaj vendit tonë. Qeveria jonë i përmbahet me konsekuencë kësaj politike në marrëdhëniet me Jugosllavinë. Do të dëshiroja të vija në dukje se nga ana e sekretariatit të Punëve të Jashtme, këto kohët e fundit, ka një qëndrim jo korrekt ndaj meje, si ambasador i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Nga organet e ndryshme të shtypit unë kam mësuar për ngjarjet në Kosovë, si për demonstratat ashtu edhe për masat e marra. Disa nga kolegët e mi, ambasadorë të vendeve të ndryshme, më kanë thënë se nga zyrtarë të Sekretariatit të Punëve të Jashtme janë informuar mbi zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Mua më vjen shumë keq dhe e quaj jo normale që unë si ambasador i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe si përfaqësues i një vendi, i cili është direkt i interesuar, sepse në Kosovë banojnë shqiptarë, nuk jam informuar mbi këto ngjarje nga ana e Sekretariatit të Punëve të Jashtme.

Nga kolegët e mi dhe nga shtypi shoh se flitet që ngjarjet në Kosovë janë nxitur edhe nga jashtë, por në shtyp nuk është precizuar asgjë se për kë bëhet fjalë. Ju e kini të qartë qëndrimin tonë, por unë dëshiroj të theksoj se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë as ka ndërhyrë, as ka pasur dhe as ka asnjë lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Kosovë. Gjithashtu, nga shtypi dhe kolegët e mi diplomatë kam mësuar se në Kosovë është shpallur shtetrrethimi dhe se janë marrë e po merren masa kundër demonstruesve. Natyrisht, këto janë punët tuaja të brendshme. Siç ua theksova ne nuk ndërhyjmë në punët tuaja, por unë mendoj se do të ishte edhe në të mirën e Kosovës dhe të Jugosllavisë Federative që të mos ndiqet rruga e goditjeve dhe e masave represive. Unë ritheksoj se në kurrë nuk kemi ndërhyrë në punët e brendshme të Jugosllavisë, por gjykojmë se kërkesat e drejta, që rrjedhin nga Kushtetuta e RFS të Jugosllavisë, është e ligjshme t’u njihen shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi”.

Ka mundësi që zëvendëssekretari jugosllav të ndërhyje dhe të thotë se në demonstrata janë hedhur parulla dhe është thirrur “Rroftë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë”, “Rroftë shoku Enver Hoxha”. Në këtë rast ju (Sokrati) t’i thoni zëvendëssekretarit: “Unë nuk di se çfarë parullash janë hedhur në demonstrata e përse është thirrur, por edhe në qoftë se ndokush ka përdorur thirrje të tilla siç përmendni ju, kjo nuk mund të jetë veç se veprim i ndonjë provokatori, ose i ndonjë personi të papjekur. Ju pozitën tonë ndaj çështjes së Kosovës dhe shqiptareve në Jugosllavi e kini të qartë”.

Kini parasysh që bisedën me zëvendëssekretarin e Jashtëm ta bëni në mënyrë të qetë, duke qenë shumë prudent në lëshimin e fjalëve të tepërta, jashtë atyre që u njoftojmë më lartë. Fjalët e tepërta në këtë rast janë të dëmshme. Për çdo gjë që mund t’u ngrejë, gjatë bisedës, zëvendëssekretari lidhur me këtë çështje, i jepni përgjigje në frymën e porosive të mësipërme.

Ministri,

Nesti Nase.

Nr. 2

Zyra diplomatike

Informacion ditor nr. 14

Artikulli i Zërit Popullit datë 8 prill 1981, “PSE U PËRDOR DHUNA POLICORE DHE TANKET KUNDËR SHQIPTARËVE NË KOSOVË?”, është pritur me interesim nga trupi diplomatik akredituar në Tiranë. Mjaft diplomatë janë shprehur pro ose indirekt kundër këtij artikulli, ndërmjet tyre dhe me punonjësit tanë.

Diplomatët e ambasadave të vendeve revizioniste, lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë, janë shprehur njëzëri se në to ka gisht Shqipëria. Akoma nuk kanë shprehur qëndrimin e tyre diplomatët kubanezë, kinezë, vietnamezë dhe koreanë.

Reagimet e diplomatëve të ambasadave të vendeve perëndimore, janë krejt të ndryshme nga ato revizioniste. Ata e kanë cilësuar artikullin tonë shumë të rëndësishëm dhe të argumentuar mjaft mirë. Gjithashtu ata kanë thënë se pavarësisht nga ngjyrat që mundohet t’u japë udhëheqja jugosllave ngjarjeve në Kosovë, faktet vërtetojnë të kundërtën. Nuk ka asnjë logjikë, thonë ata, që në këto konjuktura Shqipëria të nxisë turbullira në Kosovë, siç pretendon shtypi jugosllav. Me frymë më miqësore dhe pro artikullit tonë është shprehur ambasadori turk.

Diplomatët e Ambasadës Jugosllave, me daljen e këtij artikulli janë shqetësuar shumë. Një nga diplomatët e kësaj ambasade, Njazedin Nushi, ka thënë se nuk e kuptojnë se çfarë po ngjet. Gjithashtu ka thënë se mjaft i shqetësuar u nis për Kosovë, për të parë të afërmit e tij, por në kufi jugosllavët e kanë kthyer mbrapsht duke i thënë se në Kosovë vazhdon gjendja e shtetrrethimit. Gjithashtu sipas thënieve të tij në Kosovë janë bërë shumë vrasje dhe gjakderdhje.

Tiranë, më 9 prill 1981     Luan Oruçi

Nr. 3

Sulm flagrant i “Zërit të Popullit”

Prishtinë, 9 prill (Tanjug)

Radio Tirana emitoi dje fragmente nga artikulli i numrit të djeshëm të  “Zërit të Popullit” të Tiranës, lidhur me ngjarjet më të reja në Kosovë. Artikulli vlon me plot të pavërteta dhe vlerësime tendencioze, të cilat në esencë i karakterizon përzierja flagrante në punët e brendshme të vendit tonë dhe është thellësisht në kundërshtim me qëndrimet dhe interesat vitale të kombësisë shqiptare dhe të të gjitha kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë.

“Zëri i Popullit”, sipas Radio Tiranës, na akuzon për dezinformimet rreth shkaqeve të demonstratave të paradokohshme armiqësore në Kosovë si dhe për masat që i ndërmorëm për t’ia ndalur hovin aksionit të armikut, i cili synonte kah kontrarevolucioni. Shkaqet dhe qëllimet e vërteta të këtyre demonstratave, vetë kombësia shqiptare së bashku me të gjitha kombet e kombësitë e Jugosllavisë i kanë vlerësuar ashtu si ishin-armiqësore dhe kontrarevolucionare me qëllim të sulmit ndaj stabilitetit, unitetit dhe pavarësisë së tërë Jugosllavisë. Kombësia shqiptare në Kosovë dhe në Jugosllavi vlerësoi me urtinë e pjekurinë e popullit se këtu është fjala për veprën e organizuar të armikut, i cili për aksionet e veta tuboi rreth vetes një pjesë të reaksionit shqiptar në platformën nacionaliste dhe irredentiste.

“Zëri i Popullit” mohon vlerësimet tona dhe masat të cilat organet legjitime të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në bazë të Kushtetutës dhe ligjit i përdorën për t’ia ndalur hovin aksionit të armikut, i cili tentonte t’i shkatërronte frytet themelore të revolucionit tonë.

Vlerësimet dhe masat tona “Zëri i Popullit” në mënyrë shoviniste ia vesh popullit serb me qëllim që të krijojë urrejtje dhe konflikte ndërnacionale. E vërteta është se populli serb, si të gjitha kombet e kombësitë e tjera të vendit tonë, organet dhe udhëheqësit e Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë shprehen solidaritetin, përkrahen vlerësimet tona dhe ndihmuan masat tona.

“Zëri i Popullit” edhe me këtë rast, me paternalizëm më të vrazhdë dhe me qëllime të këqija, në këtë kontekst jep prapë vlerësime mbi “prapambeturin”, “varfërinë”, “mjerimin”, “mungesën e lirive demokratike dhe te drejtave politike”! As populli i Kosovës, as kombësia shqiptare nuk kanë dalë në demonstrata, përkundrazi në mënyrë masive i kanë dënuar dhe i kanë shpartalluar si vepër të armikut dhe i kanë hedhur poshtë parullat me përmbajtjet armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste të armikut, i cili e mashtroi një pjesë të vogël të rinise dhe të qytetarëve.

“Zëri i Popullit” në mënyrë më të paskrupullt ia vesh popullsisë shqiptare kërkesën “që të çlirohet nga Serbia! Me çfarë të drejte dhe çfarë qëllime e bën këtë “Zëri i Popullit”, duke e ditur fare mirë se kombësia shqiptare në Jugosllavi është e lirë dhe e barabartë me të gjitha kombet e kombësitë e vendit tonë, duke e ditur fare mirë se në sistemin tonë federativ Krahina Socialiste Autonome e Kosovës si bashkësi e shqiptarëve, serbëve, malazezeve, turqve e myslimaneve të barabartë është pjesë konstituive e Federatës, dhe se ka Kushtetutën e vet, se është në përbërjen e Republikës Socialiste të Serbisë gjë që është fryt i shprehjes së vullnetit të lirë të kombësisë shqiptare dhe të gjitha kombeve dhe kombësive të Kosovës, Serbisë dhe të Jugosllavisë.

Kombësia shqiptare e di mirë se kërkesa për “republikë” përmban në vete tentativën për shkatërrimin e rendit tonë kushtetues, të stabilitetit dhe integritetit të vendit tonë. Pikërisht me këto qëllime armiku, posaçërisht nacionalizmi e irredentizmi shqiptar, në mënyrë më demagogjike e hodhën parullën e “republikës”, ndërsa aq më absurd duket pohimi i “Zërit të Popullit” se është për kushtetutën, stabilitetin dhe pavarësinë e vendit tonë. Ky është qëndrimi i kombësisë shqiptare dhe i kombeve e kombësive të tjera të Kosovës dhe të vendit tonë, lidhur me parullën e njohur armiqësore mbi “republikën”.

Me parullën demagogjike e armiqësore të “republikës” “Zëri i Popullit”, në të vërtetë po bëhet avokat dhe telall i forcave më reaksionare dhe armiqësore të kombësisë shqiptare dhe bën të dyshosh se a thua mos është vete nxitës apo kuzhinë ku zihen dhe nxiten këto tendenca armiqësore. Në qoftë se është kështu, atëherë merr mbi vete përgjegjësinë historike, prandaj tingëllon si farse pohimi i “Zërit të Popullit” se angazhohet për respektimin e rendit kushtetues të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, për stabilitetin dhe pavarësinë tonë. Mirëpo, si duket “Zëri i Popullit” ”harroi” me këtë rast pohimet e mëparshme të udhëheqjes më të lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për stabilitetin dhe pavarësinë e Jugosllavisë si çështje vitale e stabilitetit dhe e pavarësisë së vet Republikës Socialiste të Shqipërisë.

“Porositë” e “Zërit të Popullit” nuk i kuptojmë as “të ndershme”, as “të pastra” e as “bujare”. Përkundrazi, i konsiderojmë të papranueshme, të palejueshme dhe qëllimkëqija të cilat kanë për qëllim të inkurajojnë forcat armiqësore. “Çështjen e shqiptarëve” në Jugosllavi, të cilën e potencon “Zëri i Popullit” e kanë zgjidhur vet shqiptarët, së bashku me të gjitha kombet e kombësitë e Jugosllavisë duke e krijuar këtë bashkësi dhe të angazhuar për begatimin e mëtejshëm të barazisë, vëllazërimit e bashkimit dhe të bashkëjetesës në Jugosllavinë tonë vetëqeverisëse socialiste. Për këtë nuk na nevojitet as ndihma e as paternalizmi i “Zërit të Popullit”.

Në këtë artikull të “Zërit të Popullit” tingëllojnë qesharake frazat mbi “ruajtjen e miqësisë” me popujt vëllezër të Jugosllavisë”, tingëllon qesharake dhe ofenduese gatishmëria për “ndihmë vëllezërve shqiptarë”. Sepse, ç’është e vërteta, e tërë kjo më shumë duket kërcënim se sa gatishmëri për bashkëpunim.

Ne, edhe në këto momente të vështira që po i përjetojmë dhe përkundër sulmeve të vrazhda të “Zërit të Popullit” theksojmë gatishmërinë për zhvillimin e mëtejmë te fqinjësisë se mirë midis Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, e në kuadër të kësaj edhe bashkëpunimit të barabartë e në dobi reciproke të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, pa përzierje në asnjë moment në punët e brendshme të njëri tjetrit. Mirëpo, platforma politike e cila u shpreh në artikullin e “Zërit të Popullit” me përzierje kaq flagrante në punët e brendshme na bënë të dyshojmë në sinqeritetin e palës tjetër.

Të shqiptaret në Jugosllavi kualifikimi i nacionalizmit, shovinizmit dhe i irredentizmit shqiptar përdoret për kualifikimin e forcave më reaksionare të kombësisë shqiptare. Kur “Zëri i Popullit” sulmin tonë kundër këtij reaksioni e përdor si “diskreditim i rinisë dhe i popullit kosovar”, atëherë me të drejtë pyesim vallë, për kënd është “i brengosur”, “Zëri i Popullit”? Sepse, të mbrosh nacionalizmin, shovinizmin dhe irredentizmin shqiptar do të thotë të diskreditosh vetë kombin shqiptar.

Na brengos thellë, edhe si kombësi shqiptare, edhe si qytetarë të Jugosllavisë se si “Zëri i Popullit” thërret zërin e lugetërve të kohërave të 100-viteve të kaluara. Jugosllavia socialiste vetëqeverisëse nuk është krijuar me traktatet e Londrës e të Versajit, por me gjak në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në Revolucionin socialist të të gjitha kombeve dhe kombësive, pra edhe të kombësisë shqiptare. Përkujtimi i traktateve të Londrës e të Versajit dhe sinjalizimi i të gjitha “shteteve të vogla e të mëdha”, s’është asgjë tjetër por objektivisht paraqet ftesë për përzierjen e forcave imperialiste e hegjemoniste për rrezikimin e pavarësisë se Jugosllavisë e të Shqipërisë dhe të paqes në këtë pjesë të Ballkanit, aventurizmi i tillë politik mund të shpie drejt vetëvrasjes. Këtë populli shqiptar në tërësi dhe historia askujt nuk do të mund t’ia falin.

Artikulli i këtillë i “Zërit të Popullit” nuk pranohet dhe nuk do të mashtrojë askënd te ne, njësoj siç nuk do të na zvogëlojë ashpërsinë dhe efektet e luftës sonë kundër armikut, përkundrazi në luftë do të jemi edhe me unikë.

Nr. 4

BS për ngjarjet në Kosovë

10 prill 1981

Bashkimi Sovjetik ka mbajtur qëndrim të rezervuar për ngjarjet në Kosovë. Deri tani është mjaftuar me dy njoftime të agjencisë TASS me burim nga Beogradi të transmetuara më datën 6 e 8 prill. Në njoftimin e datës 6 prill citohen për ngjarjet në Kosovë TANJUG dhe organe të shtypit jugosllav e kosovar. Duke iu referuar TANJUG-ut agjencia TAS vë në dukje se në Krahinën Autonome të Kosovës (Serbi) “ndodhen çrregullime dhe u zhvilluan demonstrata në rrugë nën parulla nacionaliste shqiptare” të cilat “çuan në prishjen e rregullit dhe të qetësisë”.

Nga gazeta “Borba” citohej shprehja, sipas së cilës ngjarjet në Kosovë “shkaktuan një shqetësim të kuptueshëm në vend”, kurse nga gazeta “Politika”, ajo pjesë që karakterizon qëllimin e ngjarjeve në Kosovë, pikërisht atë pjesë ku thuhet se këto ngjarje “kanë si qëllim që të prishin stabilitetin, të kërcënojnë tërësinë territoriale të Jugosllavisë, të përçajnë vëllazërimin dhe unitetin e popujve të Jugosllavisë”.

Duke iu referuar gazetës “Rilindja”, agjencia TASS vë në dukje se gazeta shkruan se trazirat filluan në qendrën studenteske të Universitetit të Prishtinës dhe se gjatë demonstratave të zhvilluara midis pjesëmarrësve dhe forcave të ruajtjes së rendit pati përleshje. Në këtë njoftim agjencia TASS njofton nga ana e saj së “Kosova është një nga rajonet e Jugosllavisë ku shumica e popullsisë përbëhet nga kombësi shqiptare”.

Në lajmin e dytë të agjencisë TASS më datën 8 prill, njoftohet mbi zhvillimin e Plenumit të KQ të LKJ-së. Duke iu referuar TANJUG-ut vihet në dukje se plenumi diskutoi mbi ngjarjet në Krahinën Autonome të Kosovës (Serbi), ku ditët e fundit “kanë ndodhur turbullira dhe janë zhvilluar demonstrata nëpër rrugë nën parulla nacionaliste shqiptare. Ka pasur përleshje midis pjesëmarrësve në demonstrata dhe punonjësve të ruajtjes së rendit shoqëror, gjatë të cilave janë vrarë 10 demonstrues dhe dy milicë, ndërsa 57 vetë janë plagosur”.

Nga leximi me kujdes i këtyre dy njoftimeve të agjencisë TASS tërheq vëmendjen fakti që nga burimet jugosllave, konkretisht nga gazeta “Politika” për qëllimin e ngjarjeve në Kosovë citohen ato të dhëna që nënvizojnë edhe vetë jugosllavët. Në të dy njoftimet e TASS-it citohet nga burimet jugosllave se demonstratat u zhvilluan “nën parulla nacionaliste shqiptare”. Për intervistën e Dollancit nuk bëjnë fjalë. Për gjendjen ekonomike, politike e shoqërore në Kosovë nuk flasin. Vetëm thonë se Kosova është një nga rajonet e Jugosllavisë, duke u shprehur ne mënyrë të përgjithshme edhe për popullsinë  e saj me kombësi shqiptare.

Nga përmbajtja e këtyre dy njoftimeve krijohet përshtypja se një qëndrim i tillë i ulët, ka për qëllim të kënaq jugosllavët e të largojnë vëmendjen nga çdo thënie se në ngjarjet e fundit në Kosovë mund të këtë dorë BS, se ato mund të jenë nxitur apo ndihmuar nga ai, sikurse vihet në dukje nga ndonjë burim shtypi apo diplomatik e si lënë edhe vetë jugosllavët në ndonjë rast të nënkuptohet se mund të jetë implikuar në këto ngjarje edhe BS.

10 prill, 1981

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …