Sylë Ukshini: Fehmiu dhe Xheva kishin një jetë dhe një flijim të jashtëzakonshëm II

Sylë Ukshini: Fehmiu dhe Xheva kishin një jetë dhe një flijim të jashtëzakonshëm II

Takimi i Fehmiut me kryediplomatin shqiptar

Edhe pse në distancë njiheshim prej vitesh dhe kishim komunikuar edhe në telefon, në janar të vitit 1998, në Mynih( München) të Gjermanisë, kisha rastin ta takoja nga afër Fehmiu, i cili, si zakonisht i hapur dhe shumë i sinqertë, ishte i interesuar të shkëmbente mendimet për zhvillimet dramatike në Kosovë, për konsolidimin e radhëve të UÇK-së dhe për perspektivën e zgjidhjes së çështjes së  Kosovës, si dhe për mundësitë e përfshirjes së komunitetit ndërkombëtar në luftën e Kosovës. Në fakt, ky qytet dhe banesa e vëllait të tij, Ramizit, ishte shndërruar në vendtakim për bashkatdhetarët dhe mbështetës të UÇK-së nga shtete të ndryshme të Evropës, të cilët nga Fehmiu merrnin këshilla dhekurajime se lufta e nisur kundër okupimit serb do të fitohej nga shqiptarët, pa marrë parasysh çmimin dhe sakrificat e saj. Ai ishte optimist për dëshirën dhe gatishmërinë e rinisë shqiptare në kauzën e filluar. E kishte entuziazmuar dhe fliste me admirim sidomos lëvizja studentore të viteve 1997, pas së cilës ishte një paralajmërim se Kosova po lëvizte drejt luftës së armatosur. Lëvizja studentore e 1 tetorit 1997, thoshte Fehmiu, pos që tregonte shenjat se në një të ardhme të afërt do të rritej rezistenca e gjithanshme kundër shtetit serb, ajo kishte shpërfaqur shpirtin dhe vullnetin e pathyeshëm të shqiptarëve për liri dhe emancipim kombëtar.

Edhe një takim të zhvilluar po ashtu në Mynhen të Gjermanisë në fillim të vitit 1998  me  ministri e Jashtëm të Shqipërisë, Paskal Milon, i cili asokohe po qëndronte për një vizitë pune në Gjermani,  Fehmiu kishte deklaruar qartë se në luftën e filluar të UÇK-së nuk do të kishte kthim prapa dhe as kompromis në kërkesën për pavarësi. “Rinia shqiptare e Kosovës kurrë nuk do të pranojë të jetojë nën zgjedhën serbe dhe për këtë ajo do të vazhdojë luftën çlirimtare deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Prandaj, ne kërkojmë nga ju dhe nga shteti shqiptar që të ketë kujdes në qëndrime dhe në prononcime që i kanë të bëjnë me zhvillimet luftarake në Kosovë”, i tërhiqte Fehmiu vëmendjen gjatë takimit me kryediplomatit shqiptar, duke bërë me dije se nëse Tirana nuk do të ishte në gjendje të bënte shumë, ose të dilte hapur në mbështetje të luftës së armatosur, atëherë të mos deklarohej jashtë objektivave dhe kërkesave të UÇK-së. Në këtë takim Fehmiu gjithashtu në mënyrë të prerë i deklaroi kyediplomatit shqiptar Milo se rina shqiptare e Kosovës, pavarësisht nga qëndrimi që do të mbajë shteti amë, ajo mbetej e vendosur të vazhdojë luftën e armatosur kundër regjimit serb. Nga ana tjetër, Milo, i vetëdijshëm per limetet diplomatiek dhe ushtarake te shtetit shqiptar, duke mos bere ndonjë premtim decidiv, vetëm se shprehu mirëkuptim per kërkesat e përfaqësuesve te UCK-se dhe ne te njëjtën kohe nënvizoi nevojën e një koordini dhe unifikimi ne mes faktorit politik dhe ushtarak ne Kosove.

Beteja e 22 shtatorit

Gjatë korrikut dhe shtatorit 1998 forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të gjerë ushtarake kundër formacioneve të UÇK-së, duke mos përjashtuar edhe popullatën civile me qëllim të thyerjes së çdo rezistence shqiptare. Fehmi kishte mobilizuar bashkëluftëtarët e tij në zonën e Drenicës, ai kishte vendosur të mos sprapsej për asnjë moment. Ai e dëshironte ballafaqimin me forcat policore dhe ushtarake serbe, edhe pse ato kishin epërsi të madhe ushtarake dhe logjistike. Ishte mbrëmja e 22 shtatorit 1998, si kudo në fushëbetejat e Kosovës, edhe në Gradinë e Shkabaj, bëhej një rezistencë e jashtëzakonshme kundër forcat agresore serbe. Ishte një rezistencë që tërbonte forcat agresore serbe, pasi pengonte lëvizjen e tyre përpara. Ndërkohë ishin shtuar edhe forcat dhe mjetet e blinduara ushtarake serbe me qëllim që ta mposhtin këtë rezistencë të madhe të njësiteve të UÇK-së nën drejtimin e Fehmi Lladrivcit. Pasi i kishte rreshtuar ushtarët e vet për t´i shpërndarë në pikat e zjarrit, Fehmiu i përqafon të gjithë me radhë duke iu thënë: ku ka ditë më të mirë se sot me vdek për atdhe. Dhe, pas kësaj porosie ai i përcaktoi edhe grupet për rezistencë. Komandant Fehmi Lladrovci bashkë me Xhevën dhe Fatime Hetemin u vendosën te Kodrina e Qëndresës. Prej kësaj pike Fehmi Lladrovci me snajperin 12,5 milimetra do të pengojë ushtarët dhe policët e shumtë serbë që të vendosnin minahedhësin te Shavarinat, afër Çikatovës së Vjetër, por edhe për t´i tërhequr 3 tanke të shkatërruara nga kryengristësit shqiptarë.

Kur ai tashmë ishte rrethuar po thuaj nga të gjitha anët dhe kur Fehmiu ishte plagosur rëndë, ai u kërkoi ushtarëve të largoheshin në një pozicion më të sigurt, ndërsa pranë tij në këtë betejë të fundit qëndroi vetëm Xheva, e cila ishte betuar se deri në vdekje nuk do t’i ndahej më Fehmiu. Ajo luftoi deri në çastet e fundit pranë burrit të saj. Në këtë betejë vritet edhe luftëtarja e re e UÇK-së, Fatime Hetemi nga Shala. Ishte Rënia e tyre ishte një rënie e veçantë, një rënie heroike, një rënie që ngre lart këta dy heronj të Kosovës.

Përfundim

Me veprën politike dhe luftën e tyre të madhe në radhët e UÇK-së në përmbyllje të shekullit XX, Fehmiu dhe Xheva po ripërsërisnin më mirë se askush tjetër heroizmin e Azem e Shote Galicës në dekadat e para të shekullit XX. Aksioni politik dhe lufta e Fehmi Lladrovci dhe e bashkëshortes së tij ishte vazhdim logjik i trimërisë së Drenicës dhe njëkohësisht ndër majat më të larta të trimërisë shqiptare në Kosovë.

Pa dyshim, Fehmiu dhe Xheva mbeten jo vetëm dy figura të shënuar atë historisë më të re të Kosovës, por edhe simbole të atdhedashurisë dhe të idealizmit, dhe më mënyrën e rënies ato lartësojnë figurën e heroit të UÇK-së dhe mbeten përherë frymëzim për brezat që vijnë.

Fehmiu dhe Xheva kishin një jetë dhe një flijim të  jashtëzakonshëm.

Emrat dhe heroizmi i tyre janë kujtesa më e ndritur e Kosovës dhe e kombit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …