Vendimi i Qeverisë Kurti, për sikur thuhet, vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, i cili nisi të zbatohet më 20 shtator 2021, në fakt nuk është asgjë më shumë sesa vënia në jetë e një neni të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2016, të nënshkruar asokohe nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, në Bruksel.
Pompoziteti dhe euforia e militantëve të Vetëvendosjes për fillimin e sikur thuhet të realizimit të premtimit për reciprocitet, me Serbinë, është vetëm një farsë për zgjedhjet vendore, në të cilat Vetëvendosja me të drejtë frikësohet se do të pësojë shumë keq dhe kurrsesi si në zgjedhjet e përgjithshme.
Vendimi si i tillë është përkrahur me të drejtë nga shumica dërrmuese e qytetarëve liridashës së vendit, sepse është i drejtë, pavarësisht se është i vonuar jo me neglizhencën e ish qeverive, por për shkak të qëndrimit injorues dhe shpërfillës të Beogradit zyrtar dhe përkrahjes, që ka marrë nga të gjithë krerët e BE-së, qysh prej fillimit të bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.
Analistët, sidomos ata që përkrahin vendimin për reciprocitetin e targave, nuk përmendin një fakt analog, që kishte marrë Qeveria Thaçi dhjetë vjet më parë, kur me forcat Speciale të Kosovës, ROSU, kishte thyer bllokadat mujore të serbëve, në Veri të cilat nuk përfillnin as forcat e KFOR-it dhe kishte marrë nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinje dhe në Bërnjakë.
Prej asaj dite të 26 korrikut të vitit 2011 e deri tani këto dy pika kufitare kanë funksionar dhe funksionojnë të administruara nga Qeveria e Kosovës.
Dihet se gjatë intervenimit të Qeverisë, Thaçi pati edhe konfrontime, madje, në krye të detyrës kishte rënë edhe tani heroi, Enver Zymberi dhe ishin plagosur shumë të tjerë.
(Enver Zymberi kishte oficer i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ai ra në krye të detyrës për mbrojtjen e Integritetit Territorial të Kosovës. (Në fjalimin e mbajtur me rastin e 2-vjetorit të vrasjes së Enver Zymberit, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, e quajti Hero i Kosovës).
Nuk do të flasim me këtë rast se kush çka tha dhe çka paralajmëroi asokohe, por 10 vite më vonë, kryetarja e Grupit Parlamentar e Vetëvendosjes, Mimoza Lila, e mori si shembull të keq dhe të papërgjegjshëm vrasjen e policit, Enver Zymberi, për të arsyetuar pagesën e rrymës nga Qeveria për serbët e Kosovës në veri, në shumën prej 11 milionë euro, duke konkluduar se më mirë është të paguajmë miliona nga buxheti, sesa të lejojmë që serbët të na i vrasin policët, sikur lejoi Hashim Thaçi. Po e përmend këto fakt në radhë të parë për të zbuluar një mendësi ultra-pacifiste, për të mos thënë një pacifizëm vetë-skllavërues të një segmenti të LDK-së i amalgamuar tashmë në Vetëvendosje në koalicionin qeveritar, Kurti-Osmani.
Tani ka mbetur të shohim sesi do të veprojë Qeveria Kurti, e cila hyri lehtë në Jarinje dhe në Bërnjakë, me një plan konkret, për të mos lejuar vozitësit që me targat e automjeteve të Serbisë të hyjnë në Kosovë, pasi Serbia nuk i lejon targat e qytetarëve të Kosovës, në Serbi.
Në dukje është një reciprocitet i thjeshtë, por pranimi nga ana e Serbisë i tagrave të automjeteve me simbolet e Republikës së Kosovës, do të thotë hiq më pak se njohja e pavarësisë së vendit tonë nga Serbia, qoftë heshtur, qoftë publikisht, pavarësisht se Serbia është zotuar se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Dje, më 23 shtator 2021, zyrtari i lartë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë, N. Xhejkob, ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin kanë diskutuar rreth situatës së fundit të krijuar në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit, për targat. Ai ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështjen e targave dhe për çështjet tjera. Hapat e menjëhershëm janë të nevojshëm për të shtensionim të situatës. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar ai në një postim të tij. Tërheqjen e Policisë nga pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe në Bërnjakë e ka kërkuar edhe BE-ja, Gjermani dhe po thuajse të gjitha shtetet perëndimore.
Kurti, ka hyrë në veri, dhe ka bërë shumë mirë që ka hyrë, pavarësisht rezultatit fitues apo humbës që mund të ketë në zgjedhjet vendore, por Kurti me këshilltarët e tij, nuk e kanë menduar daljen, nuk e kanë menduar mirë sesi do të tërhiqen, në rast se nuk kanë kah ia mbajnë.
Ky veprim i Qeverisë Kurti, më sjellë në kujtesë kohën kur gjatë luftës së UÇK-së, në Dukagjin, kur po krijohej me gjakun çlirimtar, “Republika e Dytë” luftëtari nga Shqipëria, Halit Coka, kishte ndërtuar një bunker të fortë përballë forcave serbe, dhe një kalimtar rasti ia kishte lavdëruar pa masë, por në fund e kishte pyetur,
-Halit o bir, krejt në rregull, po a ke lënë ndonjë dalje prapa bunkerit, që të tërhiqesh në rast nevoje.
–Jo or xhaje, i gjallë nuk do të iku nga bunkeri, sepse po ta kem ndërmend të ik, nuk do ta kisha ndërtuar fare bunkerin.
Mbetet të shohim sesi do të veprojë “Republika tretë fiktive” e Albin Kurtit, do të qëndrojë në Jarinje e në Bernjakë, apo me presionin e faktorit ndërkombëtar do të detyrohet të tërhiqet, duke gjetur edhe një arsyetim sikur i ka gjetur, Albin Kurti, sa e sa herë deri tani.
Qëndrimi i Qeverisë Kurti ka një analogji me këtë anekdotë.
Babë e bir kishin marrë masa ta ruajnë shtëpinë tërë natën, me qëllim për ta zënë hajnin, i cili po i vidhte pa ndërprerë.
Në një moment gjatë natës, djali kishte kapur hajnin dhe i kishte bërtitur të atit.
-E zura hajnin babë!
-Mbaje, e mos e lësho se erdha! i kishte thënë i ati, jo larg vendit ku ishte djali.
-Nuk po mund e mbaj, babë!.
-Lëshoje pra,
-Unë po e lëshoj, por ai nuk po më lëshon mua…
Mbetet të shohim se a do të lëshojë pe, Albin Kurti, apo Aleksader Vuçiqi. Njëri me siguri se do të tërhiqet nga zotimet e vendimet. Por, nëse është për t’ i besuar praktikës që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, autoritet e Kosovës, kanë qenë ata, që vazhdimisht kanë bërë lëshime, madje edhe kur janë krekosur se e kanë mundur Serbinë në bisedime dhe ia kanë bërë tetë me dy, sikur thoshte me gjuhën sportive, Lutfi Haziri në bisedimet e Vjenës, apo sikur lavdërohej pa asnjë fakt, zonja Edita Tahiri, në bisedimet e Brukselit.
Tani radhën e ka Republika e Tretë, e treta e vërteta.
Në rastin konkret dëshirojmë të fitojë Kurti, dhe kjo do të ishte fitorja e parë faktike dhe jo vetëm virtuale e Republikës, por edhe një kthesë e fortë, e domosdoshme në raport me Serbinë, me BE dhe miqtë tanë që na duan aq shumë, sidomos kur i dëgjojmë dhe kur iu servilohemi.
Kryetari i Serbisë, Vuçiq si përgjigje në vendosjen e reciprocitetit nga kryeministri Albin Kurti për targat e veturave serbe ka kushtëzuar madje edhe vazhdimin e dialogut. Kushti i i parë i Serbisë që e kërkon nga Kosova është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe. Kushti i dytë, është që Kosova të mos dërgojë më forca të armatosura rëndë, apo polici në veri, pa lejen e KFOR-it dhe pëlqimin e komunitetit serb, në Kosovë. Kushti i tretë është një kërkesë e vazhdueshme e Beogradit që të formohen dy kompani serbe për shpërndarje të rrymës në komunat me shumicë të komunitetit serb. Kusht i katërt është ai për gjyqësorin. Paneli gjykues që gjykon serbët të jetë 2 me 1 në favor të serbëve.
Këto janë kushtet e Vuçiqit, për rifillimin e bisedimeve, të cilat edhe ashtu në disa radhë kanë qenë bisedime gjysmake, të mbajtura në Bruksel, dhe vetëm sa për sy e faqe nga të dyja palët, meqë e “arritura” e vetme e delegacioneve, është pajtimi për vazhdimin e dialogut, pajtimi për ruajtjen e staus-quosë, e cila iu ka konvenuar dhe po iu konvenon të dyja palëve, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.