U mbajtë Simpoziumi i Parë Ndërkombëtar me temën “Teknologjia dhe sfidat për materialet e integruara balistike”, organizuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Operacione të Stabilitetit
Në Prishtinë, nën organizimin e Asociacionit Ndërkombëtar për Operacione të Stabilitetit (ISOA), me seli në Washington, u mbajtë Simpoziumi i Parë Ndërkombëtar me temën “Teknologjia dhe sfidat për materialet e integruara balistike”.
Në fjalën e tij të hapjes, Presidenti i ISOA-s për Evropë, Lindje e Mesme dhe Afrikë, z. Mac McClelland, falënderoi Ministrin Mehaj për mundësinë unike për të filluar bashkëpunimin, duke synuar në zgjerimin e këtij bashkëpunimi fillestar në gjithë rajonin.
Ndërkaq, nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e organizimit të këtij simpoziumi, i pari në një format të tillë, në Kosovë dhe në rajon. Në vazhdim, ai vlerësoi se, simpoziumi i sotëm ofron një mundësi unike për përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, që të mësojnë më shumë rreth teknologjisë dhe të dëgjojnë nga përvojat më të avancuara për materialet e integruara balistike. Gjithashtu, ministri Mehaj, theksoi se, kjo është edhe mundësi për të mësuar më shumë për teknologjitë më të reja, performancën e materialeve mbrojtëse balistike në kushte ekstreme mjedisore, si dhe materialet dhe automjetet e blinduara. “Diskutimet për zhvillimet e ardhshme, metodologjitë e fundit të testimit dhe proceset e matjes së cilësisë për materialet dhe pajisjet e sigurisë, janë mundësi tjetër si dhe vlerë e shtuar e simpoziumit të sotëm” tha ndër tjera ai.
Më tej, Ministri Mehaj paraqiti perspektivën e Kosovës kundrejt zhvillimeve të fundit ndaj akteve që e sfidojnë demokracinë, prandaj qasja e integruar nga këndvështrimi rajonal është si një përgjigje për të reaguar në mënyrë efikase në secilën situatë. Në mbyllje, Ministri shtoi se përvoja, diskutimet profesionale, njohuritë që ndahen nga ekspertët më të njohur të fushës, janë të një rëndësie të lartë për të pasur një qasje konkrete sa i përket pajisjeve teknologjike dhe materialeve të sofistikuara ushtarake, drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, për të krijuar një ambient të sigurt për të gjithë.