Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka thënë sot në një konferencë për media se në planin e tij për Prishtinën është edhe krijimi i një rripi të gjelbër që ndërlidh lagjet me hapësirat e gjelbërta ekzistuese me ato që do t’i krijohen e të cilat do të mirëmbahen me sistem efiçient të ujitjes. Dizajnimi i rripit të gjelbër, përfshinë mobilerinë urbane, ndriçimin, llojet e drunjve dhe të gjelbërimit që do të përdoren, duke krijuar një tërësi që shtrihet nga rrethi me flamur e deri në parkun e Gërmisë. Sipas tij, ky projekt do të përfundojë më së largu deri në dhjetor të vitit 2024.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar,
Faleminderit që keni ardhur në këtë konferencë sot.
Siç e dini tashmë, ndër kërkesat kryesore të qytetarëve të Prishtinës janë hapësirat e gjelbërta e të pastërta në qytet, të cilat sot mungojnë.
Gjatë krejt kësaj kohe, bujtjeve e diskutimeve të shumta me qytetarët, në secilën lagje të Prishtinës, kërkesa më e shpeshtë ka qenë krijimi i hapësirave të gjelbërta, krijimi i mundësive për ecje (për nënat, fëmijët, të moshuarit), fitnes, çiklizëm e lëvizje me trotinetë e mjete tjera të transportit që nuk përfshijnë automjetet.
Unë e kam përmendë një statistikë befasuese edhe në disa raste tjera – sot, vetëm 1% e banorëve të Prishtinës përdorin biçikletat për transport, por 50% e tyre shprehen të gatshëm me i përdorë ato – nëse kishin me pasë kushte e siguri.
Prandaj, sot jemi në parkun Adem Demaçi për me zbulu një komponentë të programit tim për Prishtinën e Gjelbër, të cilën ne e kemi quajtur “Rripi i Gjelbër”.
Çfarë do të bëjmë?
Ne parashohim krijimin e rripit të gjelbër të Prishtinës që ndërlidh lagjet me hapësirat e gjelbëra ekzistuese, si dhe me ato hapësira që do t’i krijojmë, e të cilat do të mirëmbahen me sistem efiçient të ujitjes.
Qysh do ta realizojmë këtë?
- Dizajnimi i rripit të gjelbër, përfshirë mobilerinë urbane, ndriçimin, llojet e drunjve dhe të gjelbërimit që do të përdoren, duke krijuar një tërësi që shtrihet nga rrethi me flamur e deri në parkun e Gërmisë.
- Natyrisht, kjo do të bëhet përmes investimeve infrastrukturore,
- Ndërsa do të bëhet edhe lirimi i trotuareve të uzurpuara përgjatë linjës nëpër të cilën do të kalojë rripi i gjelbër,
- Realizimi i sistemit efiçient të ujitjes
Deri kur do të përfundojë?
- Krejt këto hapësira të gjelbra – aktuale dhe të reja – kanë me u ndërlidhë në Rripin e Gjelbër – i cili, po e përsëris nisë prej kësaj pjese dhe përfundon në Gërmi.
- Rripi i Gjelbër ka me u përfunduar në dhjetor 2024.
Këto janë disa prej projekteve tona konkrete që e mbështesin vizionin tonë për një Prishtinë të gjelbër – ku rritet cilësia e jetesës. Këto projekte janë të mendume specifikisht për qytetarët e Prishtinës, kërkesat dhe nevojat e tyre të përditshme. Ne po ju ofrojmë zgjidhje konkrete, të mendume, të matshme dhe të realizueshme.
Në këtë vizion dhe plan – Prishtina na Bashkon të gjithëve.