Deputetja gjermane e rizgjedhur në Bundestagun e 20-të, Renata Alt, nga radhët e liberalëve ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës dhe ka paralajmëruar për rikthimin e një konflikti të armatosur. “Fakti që konflikti midis Serbisë dhe Kosovës mund të ndizet përsëri për shkak të një banaliteti, siç është mosmarrëveshja për targat, tregon se tensionet mes dy vendeve nuk kanë mbaruar. Nga njëra anë, reagimi i qeverisë Kurti ndaj praktikës shumëvjeçare të Serbisë me targat nga Kosova është i kuptueshëm. Nga ana tjetër, ai nuk kontribuon për bashkëjetesën paqësore, por për një përshkallëzim të situatës”, ka argumentuar Renata Alt në një deklaratë për media, raporton DW.
“Gjermania dhe BE-ja duhet të ndërmjetësojnë këtu dhe të koordinohen ngushtë me SHBA-të në kuadër të NATO-s. Serbia dhe Kosova tani duhet të tregohen të përmbajtur dhe të rifillojnë dialogun. Von der Leyen duhet urgjentisht të këmbëngulë për këtë në takimin e sotëm me Presidentin e Serbisë, dhe ta bindë atë që t’i ndalë praktikat e tij provokuese, me të cilat i ka ngarkuar vendit padrejtësisht marrëdhëniet me fqinjët për vite me radhë”, u shpreh më tej ajo.
Deputetja Alt ka nënvizuar rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë. “Zhvillimet alarmante në të dy anët e kufirit tregojnë edhe një herë se sa e rëndësishme është prania e trupave të KFOR-it për stabilitetin në rajon – veçanërisht në funksion të paqes së brishtë në veri të Kosovës. Ne duhet të parandalojmë me çdo kusht një Ballkan të djegur, siç e kemi parë në të kaluarën”, përfundon deputetja gjermane e FDP-së.
Renata Alt është rizgjedhur sërish në Bundestagun e 20-të në radhët e grupit parlamentar të liberalëve, kryetari i të cilëve është Christian Lindner. Partia e Liberalëve (FDP) në legjislaturën e kaluar ka qenë në opozitë, ndërsa pas zgjedhjeve të 26 shtatorit 2021 ka shumë gjasa të jetë në qeveri. ( DW)