Fëmijët janë artistë, krijimet e tyre momentale janë nga pavetëdija, subkoishienca, imagjinata, ëndërrorja, mistikja, duhet të shikohen me mahnitje, me ëndje dhe me bindje filozofike. Veçanërisht kur një fëmijë-artist thurr vargje në prozë, poezi, ose tregime. Fëmijët nuk shkruajnë për lexuesit e athët ose tepër të mprehtë, por për lexuesit e veçantë, të sinqertë të cilët çlirojnë imagjinatën e tyre nga zinxhirët e zakonshem, realitetit të hidhur dhe strehohen pas portave të fantazisë së pastër nga magma e shpirtit.
Çmimi Nobel, si një çmim më i vlersuar në botë, nuk e ka kriju edhe një çmim në letërsi që t’i ndahet fëmijëve artistë që shkruajnë dhe vazhdojnë të shkruajnë. Pse e them këtë? Artistët e sotëm qoftë në arte pamore, letërsi, po i kthehen krijimeve të sinqerta fëmijërore, pra rrëfejnë për këtë kohë, mendojnë sikur të ishin në këtë kohë, fillojnë ta ndriçojnë mendimin e kthimit në këtë kohë, ju besojnë atyre linjave, konturave, shprehjve, veprimeve, pyetjeve, logjikës dhe së ardhmes. Pra, një fëmijë e di se ka lindur, por e ndjen veten shkrimtar, projekton imazhin me një stil të stërholluar me liri ndaj dialektikës, me një fuqi të shpjegimit të mendimeve, dhe në mënyrë të vullnetshme ai kapet pas të sinqertës, dramatikës, tragjikës, dashurisë, i cili bëhet i kuptueshëm dhe grumbullon fuqi artistike letrare duke mos i interesuar ta drejtojë ndjenjën e tij nëpër rrugët e sheshta duke kapur stile, shprehje dhe ngjyra si një kusar (që e bëjnë shkrimtarët e rritur, besa edhe disa fitues të çmimit Nobel).
Fëmijët kanë një instikt të pasur të formës që krijon një renditje fjalësh, kurorëzim mendimesh, thellësi ngjarjesh, personazhesh e që mund të identifikohet si stil i stërholluar dhe i sinqertë. Fëmijët përjetojnë batut pas batute, fjali pas fjalie, ngjarje pas ngjarje, dhe e harrojnë sepse fuqia e të përjetuarit rrënjët i ka te harresa dhe kënaqësia momentale të vepruarit mbas shpirtërores.
Stili i tyre i të shkruarit një tregim, poezi , venitet drejt një arti të madh sepse kërkesat brenda në tekst janë të mëdha njëjtë sikur te arti klasik, p.sh një ngjarje natyrore shikohet me melankoli, fantazi, imagjinatë, logjikë, matematikë. Një fëmijë kishte shkruar një tregim për ujin të cilin e kishte bërë të mundshëm që edhe uji mund të lidhet sikur një litar. Mendim absurd, mirëpo në tregimin e tij ishte real dhe funksional. Dikund në mes rreshtash ai ngrinë ujin e bënë akull dhe pastaj fillon ta lidh ujin. Gjatë të lexuarit me admirim me zvetënime artistike, me shprehje dhe rrëfime, identifikohet një ide e veçantë dhe një stil origjinal i të shkruarit të fëmijës. Gjatë rrugës pavetëdijshëm fëmiu krijon tension të lartë dramatik, në të cilin zemra të dridhet sepse imagjinata dhe realiteti janë shumë afër, të dyja bashkëjetojnë.
Fëmijët janë gjykatësit tonë të ardhshëm. Vet fëmija është libër në të cilin ne lexojmë dhe duhet shkruar në të, ose vet ai shkruan nga ne. Arsyeja pse fëmija është më artist se i rrituri është se ai jeton në liri absolute, në lojë të madhërishme, në kërcim të lirë, ashtu siç ja kërkon vullneti dhe sjellja, dhe asnjëherë nuk ka qetësi. Personazhet të cilat i thurr fëmija, kur qesh, qesh me plot zemër dhe është i vërtetë, edhe kur ndodhet në mes një konflikti të madh, konflikti vet ngritët në pikën e krizës dhe pastaj rrugëton drejt zgjidhjes. Kjo thënie mund të jetë e saktë: “Fëmijët dhe të çmendurit tregojnë të vërtetën”. Vetëm ata veprojnë mbas të vëtetave të brendshme. Atëherë, pse të mos ekzistojë edhe një çmim Nobel në letërsi për fëmijët?