leoni

Daut Haradinaj

RKL: Daut Haradinaj nga radhët e AAK-së, kandidati më serioz për t’i fituar zgjedhjet në kryeqytet

Fushata për zgjedhjet vendore të 17 tetorit tashmë është intensifikuar dhe po hyn në fazën e fundit të aktivitetit, që po zhvillojnë partitë politike, duke prezantuar programet e tyre bashkë  me premtimet e shumta, disa mjaft të ekzagjeruara, të tjerat pak më të reale, si gjithnjë…

Ajo që dallohet më shumë në këtë fushatë është aktiviteti i AAK-së, e cila si parti politike ka ruajtur komunat me kandidatë që kanë treguar zell, angazhim, mbajtje të premtimeve dhe integritet e kredibilitet, në raport me qytetarët dhe institucionet, qoftë ato që i përfaqësojnë, qoftë nivelin qendror të bashkë-qeverisjes.

Edhe PDK-ja, ka disa shanse të fitojë sidomos në zonat e luftës së UÇK-së, në radhë të parë për traditën dhe fitoret e vazhdueshme në disa komuna, por edhe respektit që do të tregojnë me këtë rast qytetarët liridashës të vendit, ata që i njohin dhe i mbështesin vlerat e UÇK-së, dhe kreut të saj  që padrejtësisht po akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale.

LDK-ja sado e përgjysmuar nga krahu i Vjosa Osmanit, e cila tradhtisht i mori votat e Partisë dhe në çastin vendimtar, kur pritej që LDK-ja të merrte, në mos të parin, ahere vendin e dytë, në zgjedhjet e përgjithshme ajo ra në pikën më të ulët të votuesve, qysh nga themelimi. Shtrirja e LDK-së në komuna ka një përvojë të gjatë të qeverisjes, dhe ka gjasa që të ruajë komunat ose të marrë edhe ndonjë më tepër.

Vetëvendosja me “guximtaren” e Vjosa Osmani, nuk do ta ketë të lehtë, për shkak të mungesës së përvojës totale  në qeverisjen lokale. Vetëvendosja ka pak emra që i sjellin vota nëpër komuna, sepse në qytete, tradicionalisht kanë qeverisur, LDK-PDK-AAK, ndërsa në fshatra, kjo pari nuk ka elektorat, të pakën jo nga ajo pjesë e elektoratit që merr pjesë në zgjedhje, qofshin ato të përgjithshme apo vendore. Pavarësisht si është përfolur nga opozita, Mytaher Haskuka ka siguruar një elektorat të qëndrueshëm në Prizren, por tani do të ketë një garë të fortë të PDK-së, në krye me Shaqir Totajn, parti e cila për shumë vjet, në këtë qytet  kishte një bastion të palëkundshëm.

Nisma, nuk duket se ka ndonjë  rritje të elektoratit nëpër komuna, përveç në dy bastionet, në Malishevë dhe në Drenas.  Ajo në disa komuna do të mbështesë krahun e luftës dhe mund të fitojë një numër të konsiderueshëm të asamblistëve.

Gara më e fortë dhe me shumë të papritura mund të jetë në kryeqytet, ku kanë prezantuar kandidatët  e tyre të përzgjedhur  AAK-ja PDK-ja, LDK-ja, Vetëvendosja dhe AKR-ja.

Risi në këtë garë për të parin e kryeqytetit paraqet kandidimi i eprorit të UÇK-së, vëllait të tre dëshmorëve, Daut Haradinaj, që është edhe vëlla i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe njëri ndër luftëtarët më emblematikë të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare.

“Prishtinalitë” e kohës së bashkim-vëllazërimit nuk do mund të paramendonin që një luftëtar nga Dukagjini të qeveriste Prishtinën, por tani kanë ndërruar rrethanat, ka ndërruar historia dhe Prishtina nuk është më qyteti i dikurshëm i “prishtinalive”, me kuadrot e LKJ-LDK-së por është kryeqyteti i tërë Kosovës, e rinisë që ka lindur gjatë e  pas luftës dhe i fitores historike,  i nxënësve e studentëve që kanë mbajtur mbi supet e tyre dhunën e robërisë serbe, të dëbuar nga shkollat e fakultetet, të cilët në fund lanë librat e studimet, morën armët dhe iu bashkuan luftës  së UÇK-së.

Fitorja e Daut Haradinajt në Prishtinë, nuk do të ishte befasi, përkundrazi do të ishte një satisfaksion moral e kombëtar,  i  të gjithë atyre që gjatë luftës u dëbuan dhunshëm nga qyteti,   (nga regjimi vrastar i Milosheviqit)  dhe në qershor  të vitit 1999, u kthyen  falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës  të forcave të NATO-s, që kishin bombarduar Serbinë.

Prishtina e gjakut të ri çlirimtar e ka radhën të provohet,  dhe të dëshmojë, se  nuk është ajo që ka mbetur peng i ish strukturave LKJ-LDK, por është Prishtina që ka gjak lirie, dashuri për kombin e atdheun, nderim për të rënët dhe respekt për çlirimtarët.

Fushata e deritanishme e Daut Haradinajt ka qenë më reprezentuesja dhe më realistja në raport me kandidatët e tjerë.

Për më tepër, transparenca e tij, kërkesa dhe guximi për t’u përballur publikisht në medie me kandidatët e tjerë, premtimet e matura dhe të realizueshme, gjuha e vetëpërmbajtur e komunikimit me qytetarë, thjeshtësia, modestia, bagazhi kombëtar e çlirimtar e bëjnë më të dalluar dhe më reprezentativ  nga të  gjithë kandidatët e tjerë, andaj fitorja e tij në Prishtinë do të kishte një domethënie të veçantë.

Daut Haradinaj në Prishtinë nuk ka  ndonjë konkurrencë të veçantë, përveç Uran Ismajlit nga PDK-ja, i cili po ashtu i takon  një gjenerate të re, me një ndikim në rritje. Kandidati i vetëm, i cili mund të mbledh më shumë vota partiake, por jo qytetare, në Prishtinë,  është Arben Vitia i Vetëvendosjes, një emër krejt i panjohur deri në kohën e pandemisë kur Vetëvendosja e emëroi ministër të Shëndetësisë, dhe të cilit nuk i vajti puna mbarë, në radhë të parë në mungesë përvoje me punët e qeverisjes, të cilën e kanë  të pamjaftueshme  të gjithë kuadrot e Vetëvendosjes, 15 vjet në opozitë dhe për herë të parë në pushtet, para tetë muajve. Mbi supet e Arben Vitisë rëndon keqmenaxhimi i epidemisë, heqja e parakohshme e masave mbrojtëse e mbi të gjitha fakti se në kohën kur ai ishte ministër, Kosova për disa ditë, zuri vendin e parë në botë me numrin e vdekjeve, llogaritur për nga numri i banorëve. Me një kalvar të tillë mbi supe, Arben Vitia mund të marrë vetëm votat e partisë, por kurrsesi të qytetarëve të Prishtinës e sidomos jo të atyre që nuk votojnë partitë por kandidatët e caktuar të cilëve ua falin besimin,  sikur ndodh rëndom në  zgjedhjet lokale.

Presim që kësaj radhe Prishtina të zgjedh më meritorin, më të dëshmuarin, më të përkushtuarin, më të besuarin.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …