Na ishte njëherë Lidhja e Shkrimtarëve, Rekord Gines, sot Shqipëria i vetmi vend në botë pa Lidhje të Shkrimtarëve
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) ishte organizatë jofitimprurëse e krijuar nga një grup shkrimtarësh e artistësh shqiptarë për të propaganduar krijimtarinë letrare e artistike të autorëve shqiptarë, për të vlerësuar e rivlerësuar veprat më të mira të letërsisë, muzikës, pikturës e skulpturës shqiptare, vlerat tradicionale dhe ato bashkëkohore, dhe për të nxitur krijimtarinë e talenteve të reja. LSHA mbronte dhe nxitëte tendencat më të mira të zhvillimeve të letërsisë dhe artit në shërbim të shoqërisë e kombit shqiptar, sipas modeleve më të mira të vlerave letrare e artistike të kombeve të qytetëruara.
Dikur…
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dikur ishte organizatë krijuesish, me qendër në Tiranë, që përmbledh shkrimtarë, kompozitorë, artistë, krijues të arteve figurative dhe kritikë të vlerave letrare e artistike. Lidhja e Shkrimtarëve u krijua më 7 tetor të vitit 1945, ndërsa Lidhja e Artistëve në vitin 1949. Kongresi i Parë, i mbajtur më 1957, i bashkoi këto dy organizata në një institucion të vetëm: në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në krijimin dhe drejtimin e organizatës së parë të krijuesve shqiptarë merrnin pjesë disa nga intelektualët më të shquar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Malëshova, president nderi, Fan Noli. Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse, Haxhiademi etj. Këtë bashkim vullnetar të krijuesve të të gjithë vendit në fillim e përbënin 70 anëtarë. Për më shumë se 60 vjet, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990, ndërsa aktualisht organizata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, për mungesë fondesh, nuk boton asnjë organ dhe është inegzistene “de facto” . Në fillim kishte 70 anëtarë, duke përfshirë edhe gazetarë e gjuhëtarë dhe një seksion të letrarëve të rinj. Që në hapat e saj të parë zhvilloi një luftë të ashpër kundër koncepteve reaksionare dhe idealiste të letrarëve antipopullorë. Madje, kjo përcaktohej edhe me statusin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku qëllimi i saj mbetet bashkimi i forcave krijuese për shërbim ndaj socializmit. Me gjithë kushtet e vështira të një shoqërie të prapambetur dhe të një regjimi totalitar që e kufizonte së tepërmi lirinë e të shprehurit, që ushtronte një orientim dhe censurim vigjilent të partisë-shtet mbi krijimtarinë, madje edhe duke persekutuar dhe dënuar disa shkrimtarë e artistë, mjaft talente, anëtarë të LSHA-së, të cilët gëzonin të drejta si leje krijuese, orare pune të reduktuara, studio dhe mjete të ndryshme lehtësuese për krijimtarinë e tyre, krijuan vepra që dilnin jashtë kornizave të metodës së ashtuquajtur të realizmit socialist, sidomos në ato fusha të artit e të letërsisë ku tradita kombëtare ishte fare e pakët. Pas viteve 1990, krijuesit shqiptarë, shkrimtarë e artistë anëtarë të organizatës sonë, besuan shumë në çlirimin e tyre dhe të krijimtarisë artistike në përgjithësi. Madje ebsuan shumë dhe shpresonin për një mbështetje të madhe. Në nxitimin për të kapur kohën e humbur, disa vepra u shquan dhe sidomos u rivlerësuan figura të persekutuara të së shkuarës si Konica e Fishta, gjë për të cilën organizata dha kontributin e saj me rivlerësime të shumta. Gjatë këtyre dy dekadave me një demokraci tepër problematike dhe mjaft të politizuar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka qenë për shumë vjet lajkatarja e partisë në pushtet, e cila, bashkë me marrjen e pushtetit politik, caktonte edhe kryetarin e krijuesve shqiptarë. Më në fund, nuk mundi të shkëputej prej politikës, dhe për shumë vjet organizata u përpëlit si ai fëmija midis dy shemrave, herë e përbuzur nga një parti dhe herë e persekutuar nga partia tjetër politike. Sidoqoftë, pavarësia e një bashkimi krijuesish dihet që ka çmim të lartë për vetë krijuesit dhe duhen përpjekje të vazhdueshme për ta përballuar. Në statutin e saj, neni 1, përcaktohet qartë natyra thelbësore e shoqatës si një shtëpi e përbashkët e artit dhe letërsisë: “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është një institucion i lirë dhe i pavarur, një bashkësi krijuesish profesionistë, i hapur për çdo shoqatë tjetër letrare dhe artistike, i pakushtëzuar nga bindjet politike, rrymat dhe platformat artistike”. Në strukturën organizative kanë funksionuar seksioni i letërsisë, i muzikës, i pikturës e skulpturës dhe ai i talenteve të reja. Për më shumë se 62 vjet të historisë së saj, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është drejtuar nga personalitete të shquara të kulturës sonë. Kryetarët e saj kanë qenë zotërinjtë: Sejfulla Maleshova (i vdekur), Dhimitër Shuteriqi (i vdekur), Dritëro Agolli (vdekur), Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, Zyhdi Morava (i vdekur) dhe Hysen Sinani. Po sot a ka LSHA? Po godina e saj ku është?!
Rrugëtimi
LSHA si organizatë u lançua si përfaqësuese e vlerave letraro-kulturore të momentit. Ajo u ndërmor nga një “komisjon iniciator: Imzot Vinçenz Prendushi, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Prof. Skënder Luarasi, Dr. Lazgush Poradeci, Dr. Dhimitër Pasko, Selim Shpuza, Sterjo Spase, Dhimitër S. Shuteriqi, Shevqet Musaraj” (Arkiva personale e Dhimitër Shuteriqit).
Në momentet e lançimit, në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ishte vendosur vetëm një kusht për praninë në organizatë, i përcaktuar në nenin 4, ku thuhet: “Nuk pranohen në këtë LIDHJE ata shkrimtarë, publicistë dhe gazetarë që i kanë shërbyer me veprat e tyre okupatorit, në mënyrë direkte dhe deri në fund tue u ba armiq të popullit”(Revista “Bota e Re”, nr. 1, 1945). Ja si shkruan Albert Gjoka:
“Përplasja ideore nisi organet e sapo krijuara, të cilat u shndërruan shumë shpejt jo thjeshtë në një “media” për përcjelljen dhe promovimin e arritjeve letrare, por në një arenë dhe më pas në një armë ideologjike.
Revista e parë “Bota e re” doli në korrik të vitit 1945, si vijim i “Bota e re”, e Korçës, për të mbështetur “traditat pozitiviste dhe progresive të Rilindjes kombëtare” (Bota e Re, nr. 1); “me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural”, me përkrahur të “gjitha energjive mendore që e duan lirinë dhe përparimin”, dhe për të “mbështetur talentet e reja”(Bota e Re, nr, 1). …
Drejtuesit e revistës, të cilët ishin njëherësh edhe drejtues të Lidhjes, e paralajmëruan misionin e vështirë për të qenë një shesh për zhvillimin lirisht të mendimit shqiptar si forcë reale e përparimit. Në të gjithë numrat e saj, por edhe në shkrimin hapës të Lame Kodrës, “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”, shihet qartë se misioni i kësaj reviste i tejkalonte pasqyrimin e aktivitetit letrar në vend, por ishte një “shesh” kulturologjik dhe politik, dhe për rrjedhojë do ta mbyllte aktivitetin e saj shumë shpejt, duke ia lënë vendin revistës tjetër, “Literatura jonë”, e cila e nxori numrin e parë në mars të vitit 1947, me staf të rinovuar, e fokusuar kryesisht te letërsia dhe me mision të ri, i cili do të “tribuna ku do të shtrohen problemet e literaturës s’onë, kritika letrare dhe sidomos nxitja për një prodhim letrar sa më të gjerë dhe sa më të mirë. Por sa i madh është problemi i të prodhuarit në fushën letrare aq ësht edhe ay i drejtimit letrar, i një drejtimi të ri i cili do të japë asaturën literaturës s’onë të nesërme”. Në këtë numër të revistës u botua jo rastësisht fjala e A. Fadejev “Fjala e Shokut A. A. Zhdanov dhe detyrat t’ona më urgjente” mbajtur më 2 tetor 1946 në Moskë përpara mbledhjes së shkrimtarëve sovjetikë. Edhe në numrin pasardhës u botua shkrimi “Realizma Socialiste” e L. Timofejev-it.
Edhe në numrat në vijim vijnë artikuj të Maksim Gorkit dhe autorëve të tjerë rusë, duke botuar gjithnjë e më pak nga autorë perëndimorë.
Një pjesë e mirë e autorëve shqiptarë që bashkëpunuan me “Bota e re” nuk shihen tek “Literatura jonë” me krijime apo artikuj kritikë. Kronikat për ngjarjet letrare flasin për një përafrim të madh me letërsinë dhe autorët rusë dhe instalimit gradual të letërsisë së realizimit socialist sipas praktikës ruse. Ky diskurs kulturologjik është sjellë i plotë edhe në librin “Semiopragmatika e realizimit socialist”, me autor Ilir Yzeirin.
Viti 1947 shënoi momentin kritik të konfliktit mes “shkrimtarëve të pushkës” dhe “shkrimtarëve të mendjes”, para se të finalizohej projekti që u aprovua në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt më 9-12 tetor 1948. Këtë e dëshmon më së miri dokumenti që po paraqitet në këtë konferencë, me titull “Literatura shqiptare në periudhën e Luftës Naçional-Çlirimtare”(F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 185)”.
Lidhja e shkrimtarëve u anulua dhe u zhbë me një gjakftohtësi idioteske. Iu muar dhe godina që në letra juridikisht ishte pronë e shkrimtarëve dhe artistëve. Shqipëria sot përbën një çmim për Guines, sepse është i vetmi vend europian që nuk ka asnjë shoqatë për shkrimtarët dhe artistët, asnjë institucion të tyre, nuk botohet asnjë gazetë dhe asnjë revistë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar dhe nuk kanë asnjë vlerësim real, janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme, nuk u përfillen të drejtat e autorit, nuk fitojnë asgjë nga botimi i veprave të tyre, përkudrazi duhet të paguajnë vetë për botimin e këtyre veprave. Pra, çdo gjë është një katrahurë. Kjo tregon se sa mbrapa është Shqipëria, me të gjitha shtetet e tjera, jo vetëm në Europë, po në të gjitha kontinentet e tjera, në vlerësimin e kulturës dhe të njerëzve që e bëjnë në kondita të pazakonta dhe të vështira këtë kulturë për të mos ndërprerë vijimësinë e saj.
Çfarë janë shkrimtarët?
Shteti nuk duhet të arrinte deri aty sa të mertte godiën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të mos financonte gazetën “Drita”. . Nuk duhet ta bënte këtë veprim. Të mirë të këqij, ne jemi. Por jemi krijues. Jemi ndërgjegjja e një kombi. Jemi përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë. Jemi përçuesit e mendimit progresist. Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori, Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia do të ishte e zbrazët. Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në historinë e një vendi është determinant. Studiuesi Behar Gjoka pas marrjes së godinës së LSHA është shprehur se:”Tani jemi në një situatë, ku libri gati- gati po shndërrohet në mall. Libri nuk është mall. Libri është simbol. Është pasqyrë e një kohe të caktuar, e një rrethane të caktuar. Është një marrëdhënie, e cila e kapërcen kohën. I kapërcen këto lloj sinorësh, të cilat në fund fare nuk ka se si të na krijojnë mundësinë të komunikojmë realisht. Letërsia shqipe tashmë gjendet tani diku në periferi, të mendjes së Institucioneve shqiptare, në periferi vëmendjes së lexuesit shqiptar, vëmendjes së botuesve shqiptarë. Është tek e fundit në nderin e atyre që marrin përsipër që kjo zonjë e rëndë (siç është letërsia), të mos lihet të largohet (të përzihet) nga jeta e përditshme sepse, nesër jeta do të jetë pak më e shëmtuar se sa sot. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita” ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen, ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të panumërta të Tiranës.