70 vjet më parë, natën e 10 e 11 tetorit të vitit 1951 kanë rënë në pritë të UDB-së dhe janë likuiduar, luftëtarët e fundit të NDSH-së në Kosovë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me bashkëshorten e tij Rabijen, e cila ishte shtatzënë, si dhe Agush Mehmeti me bashkëshorten, Qibrie Misin Alidema.
Trupat e tyre të vdekur i kishin ekspozuar në Gjilan “te Lama e Miellit” ku i mbajtën disa ditë me qëllim që të frikësoheshin qytetarët dhe ata të cilët eventualisht do të guxonin të përsëritnin veprimet luftarake antijugosllave të këtij grupi.
Mustafë Koka dhe Hasan Alia nga Remniku, kanë qenë luftëtarë të përkushtuar të lirisë kundër ripushtimit jugosllav të pas Luftës së Dytë Botërore. UDB-ja me kohë kishte futur disa agjentë në mesin e grupit dhe ata gjatë rrugëtimit për të shkuar në Shqipëri i drejtuan në vendin e caktuar ku kishte zënë pritë Milicia e UDB-së dhe ku i kishte likuiduar të pestit, Qibrie Misin Aleidema ishte shtatzënë. Agjentët ishin paraqitur si njerëz të cilët gjoja do të ndihmonin Mustafë Kokën dhe Hasan Remnikun për të kaluar kufirin dhe për të hyrë në Shqipëri. Rrugëtimi për të kaluar kufirin besohet se ka filluar me 6 tetor 1951 për ta përfunduar në mes të natës së 10 e 11 tetorit në pritën te kalimi i lumit Bistricë, mbi Prizren. ( Kalendari Kombëtar, RKL-TV-Dielli).